Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka shpallur të pavlefshme zgjedhjet e mbajtura më 17 prill për presidentin e Urdhrit të Mjekëve. Që prej datës 15 tetor kur dhe u mor vendimi nga gjykata, është vënë në pikëpyetje pozicioni i Fatmir Brahimaj, kreut aktual të Urdhrit.
Valbona Doçi, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të transfuzionit të Gjakut, njëkohësisht një nga kandidatet që garonin për kreun e UMSH-së në muajin prill, ka depozituar padinë me kërkesën për të shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve, me pretendimin se nuk është respektuar detyrimi që brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit, të riorganizohen organet drejtuese të UMSH-së sipas kërkesave që imponon vetë ligji.
