Miqësorja Kosovë-Shqipëri, Kukeli dhe Mavraj s’i fshehin emocionet

redaktor

Do të jetë një miqësore festive, për të përsëritur edhe në Prishtinë atë që ndodhi në Tiranë, pas kthimit të kombëtares nga Armenia.

Kualifikimi historik për në finalet e “Euro 2016” ka ekzaltuar një komb të tërë, brenda e jashtë kufijve shtetërorë, por duhet përjetuar në maksimumin e saj edhe në shtetin e dytë shqiptar në Ballkan.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e ka pohuar se në datat e lira të FIFA-s, në nëntor, do të zhvillohet një ndeshje miqësore Kosovë-Shqipëri, në Prishtinë.

Natyrisht, kreu i futbollit shqiptar i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kreut të futbollit kosovar, duke përftuar kësisoj një festë të madhe futbollistike në kryeqytetin kosovar.

Më shumë se aspekti teknik e taktik i kësaj ndeshjeje është festa e madhe, që pritet të organizojnë autoritetet kosovare, duke iu bashkuar ekzaltimit të kualifikimit të kombëtares në “Francë 2016”.

Në fakt, Kombëtarja kuqezi, nisur nga “rrënjët” e lojtarëve të saj, që ngërthejnë thuajse të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë, është institucioni i vetëm që e ka bashkuar “de facto” kombin tonë. Atë që nuk e bën dot politika, e ka bërë përfaqësuesja kuqezi.

Kjo miqësore do të jetë emocionuese për disa lojtarë, të cilët janë detyruar të zhvendosen nga Kosova për shkak të luftës, ndërsa tashmë kthehen në një shtet të ri, të pavarur, që ka fituar lirinë dhe po mundohet të njihet ndërkombëtarisht edhe në UEFA e FIFA.

Sipas “Koha Ditore”, këtë përballje vëllezërish në Prishtinë, mezi po e presin edhe dy nga lojtarët e Kombëtares së drejtuar nga De Biazi, që dhanë shumë për suksesin e saj; kosovarët Mërgim Mavraj e Burim Kukeli. Ata kanë thënë se do të kenë emocione të përziera ku të përballen me Kosovën, vendlindjen e tyre.

“Kur kam dëgjuar se do të zhvillohet kjo ndeshje, jam befasuar, por në anën tjetër është një gjë e logjikshme të festojmë suksesin së bashku, për ta shpërblyer popullin e Kosovës. Njëkohësisht, është krejt normale që Federata Shqiptare e Futbollit ta nderojë Kosovën për kontributin e dhënë. Do të jetë një ndeshje festive”, ka nënvizuar Kukeli.

Nga ana e tij, Mërgim Mavraj, që mungon në fushat e blerta prej fundit të majit të këtij viti, për shkak të dëmtimit dhe operacionit që kreu në gju, ndihet i lumtur me këtë mundësi, për të qenë pranë njëri-tjetrit, si vëllai me vëllain.

“Është ndeshje domethënëse në momentin më të suksesshëm të Shqipërisë, për të qenë pranë njëri-tjetrit e për të festuar një arritje historike për kombin tonë, shkuarjen për herë të parë në finalet e një Europiani. Është kënaqësi për çdo futbollist të luajë në këtë miqësore festive. Natyrisht, tek ne ka emocione të përziera.

Nga njëra anë është kënaqësi të luash në Kosovë, por në anën tjetër është edhe emocion i veçantë të luash kundër vendit tënd. Është vështirë të ndash emocionet, por përfundimisht ne jemi një komb, një popull, një shtet dhe një Kombëtare”, ka shtuar Mavraj.

Share This Article
4 Comments
  • Per te gjithe ata qe mezi e presin bashkimin real te Kombit Shqiptar , kjo ndeshje – feste , eshte me te vertete nje kenaqesi e madhe dhe keshtu duhej te ndodhte , pasi ky eshte bashkimi de fakto i Kosoves me Shqiperine .Edhe pse nga ana administrative figurojme dy shtete kjo ka dhe te mirat dhe te keqiat e veta , por le ta perjetojme kete ndarje sikurse jane te ndara p.sh Qarku i Fierit me ate te Beratit , por ama, ka nje institucion qe i kontrollon te dy keto qarqe , ajo eshte Ministria e P. Vendor . Keshtu duhet te ndodhe dhe me dy shtetet , por dhe me te dy kombetaret , ne heshtje duhet te funksionoje nje byro , ose me sakte nje strukture qe te beje kordinimin e bashkerendimin e probelemeve dhe te aktiviteteve ne te dy pjeset.Kenaqesi qe do te perjetojme nje feste te tille.

  • Kjo ndeshje u ben qefin vetem atyre qe nuk e duan bashkimin Shqiperi – Kosove. Pavaresisht se çfare thone. Se gjarpri i fsheh kembet! Nuk kemi dy kombetare shqiptare, por NJE. Ndryshe eshte te luaje Prishtina me Tiranen, Peja me Korçen, Prizreni me Shkodren etj etj. Por Kombetarja e “Shqiperise natyrale” me Kosoven eshte gabim tejet i rende.

  • Asgje ska ketu te keqe . Perkundrazi ,Eshte shume bukur dhe ide gjeniale.
    Festimet dhe brohoritjet e perbashketa nuk i kane bere dem askujt.
    Rezultati eshte i qarte. Barazim .
    Vetem diçka ,,,,,,,, kujdes kukdes kujdes ……. !!!!!
    ARMIKU NUK FLE.
    Mund te kete provokime nga ndonje serbe te Kosoves…!!!!!
    Mundet qe dikush prej tyre te deshiroje te behet ‘ BALLISTI ‘ i serbise.
    Kjo nuk do ishte shume e bukur . Ballisti eshte i joni dhe i paperseritshem .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *