“Jetëgjatësia e një viktime trafikimi është mesatarisht 4 vjet”

redaktor

Intervistë/ Erisa Çela – Koordinatore e Programit Kombëtar për Fuqizimin Ekonomik të Grave – UN Women

Ajo ka ndjekur nga afër problematikën e personave të trafikuar dhe ka parë gjithashtu punën që bëjnë strehëzat në Shqipëri për të ndihmuar viktimat e trafikut. Ne kemi biseduar me Erisa Çelën, Koordinatore e Programit Kombëtar për Fuqizimin Ekonomik të Grave pranë “UN Women”.

Çela thotë se pavarësisht se Shqipëria është hequr nga Lista e Vendeve të Vëzhguara, jo se është zhdukur trafikimi në vendin tonë, por mënyra se si bëhet ka pësuar transformime.

Sipas saj janë futur mënyra të reja të rekrutimit përmes rrjeteve sociale, punësimeve falso, martesave me mblesëri, thjesht kanë sofistikuar mënyrat…

Më poshtë një bisedë me Erisën

Erisa, ju jeni Koordinatorja e Programit të UN Women, tetori ndryshe është quajtur edhe si muaji Anti Trafikim. Ç’do të thotë muaji anti-trafikim dhe sa të rëndësishme janë fushata të tilla?

MB ka vendosur të deklarojë tetorin si “Muaji Anti Trafikim” kjo edhe në kuadër të datës 18 Tetor që është edhe Dita Europiane Kundër Trafikimit të Personave. Është hera e parë që në Shqipëri aktivitete të tilla shtrihen në 1 muaj, ku mund të veçojmë se vitin e kaluar ka qenë java AntiTrafikim.

Fushatat të tilla janë të rëndësishme për të sjellë në vëmendje të vendim-marrësve dhe komuniteteve e shoqërisë në përgjithësi mbi çështjet që lidhen me trafikimin e personave dhe masave që duhen marrë për parandalimin e këtij fenomeni. Përgjatë këtij muaji një sërë aktivitetesh po zhvillohen që synojnë ndërgjegjësimin, parandalimin dhe raportimin në linjën 116 të rasteve të trafikimit.

Është një muaj që më shumë se çdo muaj tjetër të vitit, mobilizon nën një kauzë të përbashkët aktorë të sferës publike, shoqërisë civile dhe medias. E veçanta e kësaj fushatë është që shkon jashtë kryeqytetit dhe me informacionet e mesazhet që ndan synon të informojë të gjitha nivelet e shoqërisë, në gjimnaze, universitete, apo komunitete mbi rrezikun e trafikimit. Është një fushatë që ofron shpresë edhe për viktimat e trafikimit e cila shtrihen në të gjitha qytetet e Shqipërisë.

Është krijuar një ide që ka ikur koha e trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri, në dijeninë tuaj, sa problematik është ky fenomen në vendin tonë?

Shqipëria nuk është në Listën e Vendeve të Vëzhguara. Megjithatë nuk ka ikur koha e trafikimit, por mënyrat e trafikimit janë diversifikuar dhe tanimë, viktimë mund të jetë çdokush nga ne.

Këtu mund të përmendim mënyrat e reja te rekrutimit përmes rrjeteve sociale, punësimeve falso, martesave me mblesëri, thjesht kanë sofistikuar mënyrat…

Dhe një trend i ri në fenomenin e trafikimit është ai i trafikimit të brendshëm kryesisht për qëllime seksuale dhe punë të detyruar, ku preja / viktimat kryesore janë gratë dhe vajzat.

Ne kemi disa qendra për trajtimin grave dhe vajzave në Shqipëri. Ku janë të vendosura ato dhe çfarë i ofrojnë viktimës?

Ne kemi disa qendra për trajtimin e viktimave të trafikimit, por për arsye sigurie dhe për një ri-integrim të plotë të tyre, emrat e lokacioneve nuk janë të deklaruara.

Shërbimet që i ofrohen të mbijetuarave të trafikimit, variojnë nga ofrimi i ndihmës psikologjike e sociale, asistence ligjore, si dhe integrim ekonomik që ato t’i rikthehen jetës dhe mos ri-bien pre e trafikimit.

Flitet shpesh në media për probleme në mënyrën se si raportohen këto raste, ku gabohet përgjithësisht?

Mënyrat se si mediat raportojnë mbi fenomenin e trafikimit shpeshherë e penalizojnë edhe më tej viktimën, pasi shpesh fokusi nuk është tek trafikantet por tek viktimat, duke zbuluar identitetet e tyre, duke keqpërdorur dhe ngatërruar termin “prostitutë” me “viktimë trafikimi”. Media shpeshherë mbështetet vetëm në deklaratat e policisë dhe jo në analizë të arsyeve që fshihen prapa rasteve të trafikimit ç’ka në vetvete tregon se media e trajton trafikimin ende si çështje rendi e sigurie, dhe jo si çështje sociale, që kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve, jo vetëm policisë.

Gjatë trajnimeve që kemi pasur me ju, është thënë se një vajzë e trafikuar për qëllime prostitucioni ka treguar se jetëgjatësia e një viktime trafikimi është mesatarisht 4 vjet. Pse, çfarë ndodh me të?

Po, është e vërtetë që në kemi pasur një seri trajnimesh me aktorët e medias përmes një forumi të ngritur me qëllim raportimin e trafikimit. Në të janë diskutuar tema të ndryshme që lidhen me raportimin e duhur në media. Studimet globale për trafikimin e grave dhe vajzave ka treguar se jetëgjatësia e një viktime trafikimi është mesatarisht 4 vjet. Kjo tregon qartë nivelin e shfrytëzimit që atyre u bëhet, dëmet shëndetësore dhe fizike, si dhe problemet psikologjike me të cilat ato përballen gjate ri-integrimit të tyre. Shpesh riintegrimi i tyre kërkon shumë vite punë dhe shërbime, ndërkohë që shumë prej tyre mbartin me vetë plagët e së kaluarës, edhe shumë vite pasi janë rehabilituar.

Sa të vështirë e kanë këto gra që t’i rikthehen jetës normale?

Përveç forcës për t’ju rikthyer jetesës normale dhe për të gjetur një punë, këto gra dhe vajza shpesh hasin edhe në paragjykimin që ka shoqëria ndaj viktimave të trafikimit. Duke mos pasur një njohje dhe ndërgjegjësim të shoqërisë mbi trafikimin dhe arsyeve të vërteta që fshihen pas këtij fenomeni, ndodh që viktimat të bëhen pre e diskriminimit të mëtejshëm, duke mos u pranuar nga shoqëria.

Pas kalimit të kësaj eksperience, çfarë bëhet për rehabilitimin e tyre, ku punësohen viktimat?

Ka disa programe që fokusohen në integrimin e të mbijetuarave në shoqëri. Këto janë të inkuadruara brenda aktivitetit të strehëzave, por edhe kur ato lenë strehëzat. Të mos harrojmë se niveli arsimor i grave dhe vajzave të trafikuara rezulton të jetë 8-9 vjeçar. Ekzistojnë 10 qendra publike të formimit profesional të cilat ofrojnë shërbime si pjesë e ri-integrimit të tyre.

Pjesa e punësimit është edhe hallka më e dobët e procesit të ri-integrimit, pasi edhe kur ato kanë aftësitë e duhura për t’u punësuar, pranimi i tyre në tregun e punës, sidomos nga sektori privat bëhet pothuajse i pamundur për shkak të paragjykimeve që ne synojmë t’i luftojmë edhe gjatë kësaj fushatë edhe përtej këtij muaji. UN Women në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, po zhvillojnë një sërë ndërhyrjesh për trajnimin dhe fuqizimin e këtyre grave dhe vajzave, futjen e tyre në tregun e punës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *