Kur parajsa shndërrohet në ferr

redaktor

“I burgosin familjarisht. Prindërit poshtërohen në sy të fëmijëve. Ato transportohen të prangosur në qendrat e burgimit. Janë të veshur keq, pa rroba të nevojshme. Fëmijët janë të terrorizuar nga prezenca e rojeve të sigurisë dhe oficerëve të policisë. Për shkak të mungesës së aktiviteteve të mundshme në zonën e burgimit shpesh fëmijët luajnë “polici dhe i burgosuri” ose “gërmojnë nën gardhe për të bërë një tunel”. Çdo natë të burgosurit nxirren nga krevati i tyre, për t’u numëruar nga forcat policore, që shpeshherë vijnë me maska apo helmeta. Nëse fëmijët janë në gjumë ato duhet të zgjohen dhe të qëndrojnë në këmbë pranë prindërve të tyre. Të gjithë mjetet me vlerë janë sekuestruar, përpara vendosjes në qendrat e burgimit. Mungesa e informacionit nuk i bën të mundur të ankimojnë çështjen e tyre ligjërisht. Ato janë të detyruar të paguajnë 10 dollarë dita për qëndrimin e tyre në burg, jashtë vullnetit të tyre.”

Kjo është gjendja e refugjatëve të burgosur në Republikën Çeke sipas raportit të Avokatit të Popullit në Çeki, pjesë e raportit të përgjithshëm të Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara. Një raport, që jo vetëm konfirmon shkeljen e rëndë të të drejtave të njeriut, të të drejtave të refugjatëve dhe migrantëve, por në mënyrë të veçantë dhunimin e të drejtave të fëmijëve.

Kriza e refugjatëve, që ka prekur prej kohësh Unionin, ka ekspozuar një sërë vendesh në thyerje tërësore sa të ligjeve të BE-së, por edhe të ligjeve ndërkombëtare. Përtej rastit hungarez, që miratoi ligjin për burgosjen e kalimit të parregullt të kufirit, me synim “zgjidhjen e krizës” së refugjatëve, Republika Çeke ka shkuar edhe më larg. Me një zgjidhje praktike dhe të shkurtër, ajo i burgos të tërë refugjatët familjarisht, së bashku me fëmijët e tyre. Burgosje sistematike, që zgjat nga 40-90 ditë, në ambiente tërësisht degraduese. Synimi është frenimi i flukseve të tjera të refugjatëve, që mund të hyjnë në territorin çek.

Por, kjo situatë përtej shkeljeve të rënda ligjore ndaj fëmijëve, do të gjenerojë dëme të larta afatgjata që prekin direkt shëndetin psikik dhe fizik të fëmijëve.

“ Unë vetëm mund të spekuloj se sa të traumatizuar ato do të jenë në të ardhmen dhe çfarë lloj pasojash ato do të kenë në jetën e tyre. Ajo çka unë di me siguri, është se ajo, që ato po kalojnë është tërësisht e panevojshme. Fakti që fëmijët janë ekstremisht vulnerabël dhe se burgosja ka një impakt negativ në shëndetin e tyre mendor dhe fizik është i konfirmuar nga një numër studimesh nga ekspertët. Sipas Raportuesit Special të OKB-së mbi të Drejtat e Njeriut të Migrantëve, fëmijët e burgosur janë shpesh të traumatizuar dhe të paaftë të kuptojnë se përse ato po “ndëshkohen” kur nuk kanë kryer asnjë krim.”(pjesë nga Raporti i Avokatit të Popullit në Çeki)

Raporti i Komisionerit të OKB-së konfirmon se, kjo gjendje nuk është një situatë e izoluar, por politikat e burgosjes së refugjatëve në Çeki janë të shoqëruara me një gjuhë publike urrejtje vetëm në rritje, duke përfshirë sa fjalimet e përsëritura islamofobike të Presidentit Milos Zeman, por edhe peticionin publik “Kundër Imigrantëve” të propozuar nga ish Presidenti Vaclav Klaus.

Republika Çeke, nuk është i vetmi vend anëtar i Unionit që po thyen sa ligjet dhe normat evropiane por edhe ato ndërkombëtare. Një sërë vendesh si Greqia, Hungaria, apo Bullgaria, janë bërë pjesë e këtij kuadri për mosrespektim të ligjeve, normave apo vlerave, duke përfshirë edhe vende kandidate si Serbia, apo Maqedonia.

Mini-Samit BE-Ballkan 

Situata vazhdon të jetë e një niveli emergjent. Devijimi i flukseve të refugjatëve pas bllokadës hungareze, ka ekspozuar Slloveninë me një situatë të paprecedentë. Komisioneri për Migrim në BE, Avramopoulos, pas thirrjes sllovene për ndihmë në përballim të situatës, zbarkoi në terren për një vlerësim paraprak. Por, flukset e migrantëve, që hyjnë nga Greqia veçse po rriten.

Kjo situatë ka detyruar kreun e Komisionit Evropian, Zhan-Klod Junker të thërrasë në një Mini-Samit krerët e shteteve dhe të qeverive të 8 vendeve anëtare të BE-së, Austrinë, Bullgarinë, Kroacinë, Gjermaninë, Greqinë, Hungarinë, Rumaninë, dhe Slloveninë, si dhe dy vende kandidate të Ballkanit Perëndimor, Serbinë dhe Maqedoninë, këto të fundit të prekura gjithashtu nga flukset e larta të refugjatëve. Synimi, është një bashkëpunim më i madh, konsultime më të ngushta dhe veprime operacionale të menjëhershme. Masat, që pritet të merren kanë si qëllim lehtësimin e barrës të shteteve që preken nga itinerari i refugjatëve. Masa që nisin nga përpjekjet humanitare si strehimi deri tek koordinimi dhe menaxhimi i kufirit. Iniciativa synon gjithashtu të shmang veprime të mëtejshme të njëanshme siç Hungaria po shfaq muajt e fundit duke mbyllur kufirin e saj me Serbinë dhe Kroacinë.

Ndërkohë, ndonëse BE nënshkroi me Turqinë një marrëveshje për mbajtjen e refugjatëve në tokën turke dhe moslejimin e penetrimit të tyre në BE, Turqia ka konfirmuar publikisht, se nuk mund të shndërrohet në një “kamp përqendrimi” dhe të mbajë përjetësisht refugjatë për të lehtësuar BE-në. Çka nënkupton se ndonëse ka një marrëveshje aktuale me Unionin, flukset e larta të refugjatëve, mund të bëhen të papërballueshme sërish.

Përçarja 

Që prej fillimit të krizës, politika evropiane ka hasur në përplasje të fortë mes dy linjave të qarta, linjat që janë pro politikave humanitare dhe linjave të tjera, që mbrojnë idenë e përforcimit të Kështjellës Evropiane. Kjo lloj përçarje është e shumëfishtë. Ajo ekziston jo vetëm si përplasje mes kampeve të majtë dhe të djathtë, në shumë prej vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore, por ajo shfaqet edhe brenda vetë klasës me të njëjtin ngjyrim politik.

Edhe përgjatë mbledhjes së fundit të Partive Popullore Evropiane në Madrid, këto ngjyrime të forta në lidhje me zgjidhjen e krizës, u ekspozuan sërish. Ultra konservatori i djathtë i Hungarisë, Viktor Orban, i bëri thirrje Unionit të ruajë vlerat dhe civilizimin evropian, që po kërcënohet, duke mos harruar t’i kujtojë të djathtëve se, do të hasen me probleme të mëdha në të ardhmen.

Por, për kreun e Komisionit Evropian, Junker konceptimi mbi këtë situatë është tërësisht i ndryshëm. Teksa denonconte një Evropë egocentrike, që mbyllet ndaj shpresave të të tjerëve, ai deklaroi përpara takimit se, “kur shihte kortezhin e gjatë të refugjatëve, që i kujtonte kortezhin e refugjatëve evropianë pas Luftës së dytë Botërore, lotët ishin gati për të rrjedhur”. Kjo ndjeshmëri e lartë emocionale e kreut të KE-së, Junker, përplaset në thelb dhe në parim, me kalkulimin racional të kreut të PPE-së, Zhozef Doll, tek konfirmoi se ““nuk mund të presim të gjithë mjerimin e botës”.

Por, këto përçarje brenda të djathtëve, po pëshpëriten tashmë sa brenda institucioneve, por edhe me zë të lartë jashtë tyre, nëpërmjet medias. Përplasjeve politike në parim mbi mënyrën se, si duhet të zgjidhet kriza e refugjatëve, i shtohen edhe përplasjet institucionale se kush ka kompetencë të thërrasë organizimin e një Samiti dhe kush nuk e ka. Duke nënkuptuar pasivitetin mbi zgjidhjen e krizës të kreut të Këshillit Evropian Donald Tusk, që ka edhe kompetencat për thirrjen e një Samiti dhe ndjeshmërinë dhe aktivizmin e lartë të kreut të KE-së Junker, që nuk kishte se përse të merrte kompetenca, që nuk i takojnë mbi zgjidhjen e krizës.

Ndonëse organizimi i vazhdueshëm i Samiteve apo i Mini-Samiteve evropiane në lidhje me krizën nuk ka munguar, rezultatet që kanë dalë prej tyre vazhdojnë të konfigurohen si të dobëta, të pamjaftueshme dhe jo efikase. Problemet janë ende të pazgjidhura, si rishikimi i sistemit të përbashkët të azilit, rishikimi i rregullores së Dublinit, shpërndarja e kuotave të refugjatëve në forma vullnetare apo detyruese, një proces tejet i ngadaltë, por edhe imponimi për respektim të të drejtave të njeriut dhe sidomos të të drejtave të fëmijëve. Por, mbi të gjitha, Evropa e ditëve të sotme duhet të përpiqet të shmangë ripërsëritjen e imazheve, që kujtesa risjell në vëmendjen e opinionit publik mbi burgosjen e fëmijëve dhe familjeve në kampet e përqendrimeve, dhe duhet të imponojë nëpërmjet ligjit dhe forcës së saj morale, rikthimin në vlerat që ajo mbron./im.ta/

 

 

 

 

Share This Article