ÇEZ-i dhe Qeveritë Shqiptare

redaktor

Çështja ÇEZ, që dukej se ishte arshivuar, u kthye përsëri dhe si një stihi ethesh pushtoi theatrin e ngjarjeve në Shqipëri. Politika, institucionet shtetërore, media, analistë të varur e të pavarur dhe gjithë opinioni publik lundroi mbi shtresën vluese të kësaj stihie. Koha prodhoi më shumë debat politik të mbingopur me mjegull dhe shterpësi. Që në fillim më duhet të them se nuk ka një çështje puritane ÇEZ , por ka një çështje ÇEZ-Qeveri Shqiptare. Natyrisht nuk mund të ketë një çështje ku ka luajtur vetëm një palë-ÇEZ-i!… Më tej deklaroj pa mëdyshje se çështja përfaqëson një mozaik papërgjegjshmërish, shkeljesh, shpërdorimesh, abuzimesh etj… të institucioneve shtetërore apo individëve shtetarë, që ka krijuar një traumë të rëndë në Sistemin Elektrik dhe Tregun e Energjisë; ka krjuar humbje financare kolosale, që i ka paguar buxheti i shtetit dhe xhepi i shqiptarëve; ka krijuar ambient për një veprimtari korruptive ku me sa duket janë përfshirë institucione, individë në nivele të ndryshme të administratës shtetërore, deri adminstratorë në shoqëri private që kanë bashkpunuar me segmente apo individë të administratës shtetërore. Duke qenë se opinioni publik është i ngarkuar, do të trajtoj vendimet politike më të spikatura që ka marrë Qeveria Berisha dhe Qeveria Rama gjatë zhvillimeve në këtë histori. Vendimi politik i parë i Qeverisë Berisha është privatizimi i ish-OSHE sha. Në përfundim të proçesit të privatizimit Qeveria Berisha nxitoi të korrë dafinat, deklaroi se kriza në sektorin e energjisë elektrike mori fund dhe se për këtë sektor kishte nisur një epokë e re. Por çfarë ndodhi në të vërtetë? Në më pak se tre vjet privatizmi rezultoi një dështim i madh, që krijoi një gjendje të rëndë në sektorin e energjisë elektrike. U mbars një gjendje kolapsi, ku treguesit sintetikë të sektorit, humbjet e energjisë elektrike ishin ndjeshëm më të përkeqësuara krahasuar me ato para privatizimit. Humbjet e energjisë elektrike shkuan në një nivel shumë të lartë, rreth 52%. Niveli i arkëtimit të energjisë elektrike të faturuar, rreth 73%. Këta dy tregues sillnin që nga energjia elektrike e hedhur në treg të arkëtohej me pak se 35% e saj!.. Vit për vit 50 deri 100 milionë euro të shqiptarëve shpenzoheshin për importin e energjisë elektrike, e cila shkonte në xhepat e kusarëve nga hajdutët klientë deri tek hajdutët zyrtarë e qeveritarë!… Borxhet mes operatorëve në sistemin elektrik arrinin rreth 1.2 miliardë euro. Të gjithë operatorët në prag kolapsi. Sistemi bankar nuk jepte kredi sepse kishte humbur besimin dhe garancinë; për të mos thënë se ndaj operatorëve privatë të prodhimit të energjisë elektrike, bankat kishin nisur sekuestrimin e pasurisë, për moskthim të kredive të marra. Qeveria Berisha, për të larë faqen e vet nga kjo katrahurë, deklaroi se ÇEZ dështoi në Shqipëri. E pra, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, Kryeministri Berisha dhe as ndonjë ministër i kabinetit të vet nuk morën qoftë edhe përgjegjësinë minimale! E pakta dikush duhej t’iu kërkonte ndjesë shqiptarëve për dëmin e madh që iu erdhi nga një vendim politik e qeverisë së tyre. Një Qeveri serioze do të tregonte edhe shkaqet përse ndodhi kjo katrahurë, të dilte para qytetarëve dhe të merrte përgjegjësitë e veta. Këtë nuk e bëri kur ishte në pushtet dhe nuk po bën ende, kur tashmë e vërteta ka dalë lakuriq.

Vendimi politik i dytë i Qeverisë Berisha është përzënia në panik dhe pa asnjë procedure, e ÇEZ-it. Si të thuash ÇEZ erdhi triumfalisht ditën me diell dhe iku natën fshehurazi!.. Përzënia e ÇEZ do të ndodhte pashmangësisht, por veprimet u kryen në panik, me mllef nga dështimi. Përzënia e dhunshme e ÇEZ u bë vetëm e vetëm për të hequr përgjegjësinë e rëndë nga vehtja. Nuk u krye asnjë procedurë, përveç heqjes së liçensës. Nuk u mor asgjë në dorëzim prej adminstratorëve të ÇEZ, duke hapur një kapitull të ri problemesh dhe abuzimesh!…. ÇEZ-i iku… por na la në duar dopio gjashtën e lojës me Qeverinë Berisha!… Ikja e turpshme dhe fshehur e ÇEZ solli një zinxhir problemesh; që sot po i vuajmë të gjithë së bashku. Ish kryeministri dhe oborrtarët e vet mbajnë të njëjtin qëndrim si edhe në rastin e dështimit të privatizimit; vetëm zhurmojnë dhe hedhin baltë mbi të tjerët.

Qeveria Rama ka marrë vendimin politik për zgjidhjen me marrëveshje të konfliktit të trashëguar ÇEZ-Qeveria Berisha. Në analizën e rrethanave që ndikonin mbi çështjen dhe të situatës së rëndë të sistemit elektrik në vend, Qeveria vendosi për këtë zgjidhje. Në të njëjtën kohë Qeveria Rama vendosi krijimin e një Task Force për të ulur humbjet e energjisë elektrike dhe për të rritur arkëtimin e faturave të energjisë elektrike në kuadrin e një reforme energjetike gjithë përfshirëse. Për të dy këto vendime jo të lehta, që asnjë qeveri para saj nuk guxoi t’i merrte, Qeveria Rama pranoi të përballet me çfarëdo lloj rrisku. Dhe tashmë, në afër dy vjet, treguesit sintetikë të sistemit elektrik janë përmirësuar ndjeshëm, aq sa nuk pritej të ndodhte dhe as që krahasohen me nivelet katastrofike të peridhës së Qeverisë Berisha. Sistemi Elektrik doll nga kolapsi dhe dita ditës po konsolidohet. Për vitin 2014 humbjet u ulën në 37.8%. Si 9 mujor 2015 humbjet janë 31.1%, kurse niveli i arkëtimit me gjithë arkëtimin e faturave të prapambetura ka arritur në 112%. Mbledhja e faturave të prapambetura ka arritur në rreth 215 milionë Euro. Humbjet për muajin shtator 2015 janë 25.3%. Donatorët ndërkombëtarë kanë dhënë 273 milionë euro kredi dhe janë në negociim edhe 100 milionë euro të tjera. Në rrjetën e konsumatorëve ligjorë kanë hyrë rreth 150.000 abonentë. Nga dhjetori i vitit 2014 deri në tetor 2015 janë lidhur 340 mijë aktmarrveshje të reja Klient-ÇEZ, prej të cilave rreth 57% kanë përfituar zbritjen me 80% të kamat-vonesës. Në harkun kohor 2015-2018 janë programuar të kryhen investime për rehabilitim dhe modernizim të sistemit elektrik me një vlerë prej 420 milionë dollarë, tashmë me burime financiare të siguruara. Prodhuesit privatë të energjisë elektrike kanë marrë pagesat e prapambetura dhe po paguhen rregullisht për energjinë elektrike të shitur në sistem. Pagesat e OSHEE sh.a ndaj KESH sh.a dhe OST sh.a janë rritur ndjeshëm. Sot thuhet pa ndrojtje se Sistemi Elektrik Shqiptar ka hyrë në gjendjen e stabilitetit dhe po synon konsolidimin nëpërmjet përmirësimeve strukturore, modernizimit dhe reformës reale që po kryhet në këtë sektor jetik të ekonomisë. Donatorët kanë kthyer sytë nga sistemi elektrik dhe kanë krijuar besimin për këtë partner.

Ftoj të bëjmë krahasimin e rezultateve për vendimet politike që morën dhe zbatuan dy qeveri, Ajo e Sali Berishës dje dhe Kjo e Edi Ramës sot. Kur i kanë marrë vendimet të dy qeveritë kishin të njëjtin qëllim, të nxirrnin sistemin elektrik nga kriza dhe ta zhvillonin atë. Mirëpo rezultati është diametralisht kundërt. Ndërsa Qeveria Berisha dështoi, Qeveria Rama arriti suksesin. Është e drejta e çdo qeverie të marrë vendime politike. Askush nuk mund t’i gjykojë qeveritë përse ato marrin vendime politike, sepse Ato për këtë janë votuar. Por qeveritë duhet të ballafaqohen me rezultatin që sjell vendimmarrja e tyre dhe të përgjigjen për këtë rezultat. Besoj se mjafton kaq të kuptojmë çfarë dhe pse ka ndodhur; kush, kur si dhe sa ka gabuar?

Share This Article
2 Comments
  • Z. Pajtim Bello . E lexova per sa ke shkruar me siper .Ke harruar se jam une i pari qe kam denoncuar ne gjykaten e Tiranes , ne daten 30 dhjetor 2008 ,kerkes padine , me objekt: Anullim te procesit te privatizimit te O.S.SH,se ne Shqiperi . Kur jemi takuar se bashku ,une te kam dorzuar dhe kerkes padine ,per kete problem . Perse nuk godet ne shenje dhe te deklarosh perpara shqiptareve ,se e keqja me e madhe ne Shqiperi ,eshte sistemi i drejtesise dhe sidomos gjykatat me gjyqtaret teper te koruptuar. Privatizimi i O.S.SH,se eshte bere ne muajin Mars te vitit 2009, qe eshte miratuar me ligj ne parlament . Pra gjykata e Tiranes ,pati kohe qe ta parandalonte kete masaker te ekonomise te vendit tone . Edhe sot e kesaj dite ,kjo ceshtje ndodhet ne dyert e gjykates se larte , e pa tjeter nuk po jep dhe nuk do jap drejtesi , sepse gjyqtaret jane te kapur per fyti nga hajdutet e politikes ,aty ne Shqiperi .

  • Interesant. Une duke lexuar komentet e politikaneve dhe shtypit kisha arritur ne perfundimin se gjithe faji per CEZ-in i takonte Rames! Ketu me fakte dhe argumenta na del e kunderta?! Po si spjegohet qe keta qenlehesit e PD-se arrijne te krijojne aq shume tym e turbullire sa e bejne te bardhen te zeze. Dhe si spjegohet qe keta te PS-se qe nuk jane fajtore, rrine si bufa?! Per te mos thene ndonje fjale tjeter.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *