Starova vs Josa, beteja e dy strategëve

Dita

Shumë talent në fushë dhe po kaq eksperiencë në stol, kjo është kartolina që dërgon kryendeshja e javës së 8-të e kategorisë Superiore mes Partizanit dhe Skënderbeut. Të gjithë i njohim aftësitë e Shkëmbit, klasin e Salihit, shpërthimet e Olainkas nga njëri kamp, por edhe teknikën e Mazrekajt apo edhe ftohtësinë e Sukajt përpara portës nga kampi tjetër, megjithatë Partizani-Skënderbeu nuk do të jetë një duel vetëm në tapetin e gjelbërt të Qemal Stafës, por edhe një sfidë mes dy prej trajnerëve më të mirë të futobllit shqiptar si Sulejman Starova dhe Mirel Josa.

Dy strategë me një përvojë të madhe mbi supe që do të kërkojnë të mposhtin njëri-tjetrin të Dielën për të kryesuar të vetëm kategorinë Superiore pas javës së 8-të. Të Kuqtë janë në kërkim të një titulli kampion që u mungon që nga sezoni i largët 1992-1993 kur në krye të Partizanit ishte pikërisht Sulejman Starova. Uria për të fituar sërish një titull në kampin e kuq është shumë e madhe dhe kujt më mirë se Starovës që e di si fitohet një kampionat, mund tia besonte stolin presidenti Gazmend Demi.

Zgjedhja e këtij të fundit për ti dhënë drejtimin e skuadrës 59-vjecarit po rezulton ajo e duhura sepse Partizani me Starovën në krye po tregon që është një skuadër me një shpirt të madh luftarak dhe që përpiqet deri në sekondën e fundit për të arritur te fitorja. Starova në verë largoi nga skuadra kapitenin Nexhipi duke humbur disi në cilësi në repartin e mesit të fushës por falë grintës së tij ky Partizan po tregon se është një ekip që duhet patur frikë.

Gjithsesi të Dielën, Starova nuk do ta ketë aspak të lehtë të regjistrojë fitoren e 7-të në kampionat pasi përballë tij do të jetë Skënderbeu i Mirel Josës. 52-vjecari e ka marrë drejtimin e korcarëve që në 2012-n duke i udhëhequr ata drejt fitimit të tre titujve kampion por edhe kualifikimit historik në fazën e grupeve të Europa League. Josa ish futbollist i Tiranës dhe ekipit përfaqësues i ka dhënë një tjetër dimension Skënderbeut gjatë këtyre viteve, duke i shndërruar korcarët në një skuadër që jo vetëm fitojnë por edhe bindin me lojë. Josa është një trajner që di të bëjë zgjedhjet e duhura në momentin e duhur.

Me pak fjalë Partizani-Skënderbeu nuk do të jetë vetëm një betejë mes futbollistëve në fushë por edhe një lojë shahu mes dy trajnerëve në pankina, në këtë rast ajo që mund të themi është, fitoftë më i miri.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *