INSTAT raporton për një rritje ekonomike diçka më të ulët se parashikimi, për 6 mujorin e këtij viti. Banka Botërore jep një shifër tjetër, diçka më të lartë. FMN-ja ka parashikimin e vet. Rezultantja: Ka rritje, por jo sa pritej. Ndërkaq, poshtë, në jetën e përditshme të njerëzve, nuk hyjnë hiç fare në punë. Jo se nuk duhen, por nuk janë të prekshme. Kjo, jo thjesht si perceptim, por dhe si përjetim real. Në të kundërt, ballafaqohesh me zhgënjime. Dëgjon ankesa, flitet për përkeqësim të situatës sociale, etj.
Kuptohet, të rrallë mund të jenë ata që lëvdojnë qeveritë, po ka edhe një perceptim tjetër: Akuza për këtë qeveri, e cila erdhi në pushtet si e majtë, (siç thoshte një analist) dhe shfaqet si e djathtë. Në thelb kjo nuk qëndron, ndonëse shfaqja të jep këtë perceptim. Opozita parlamentare po e bën përditë “fertile” këtë qeveri me një mal akuzash, dhe thërret për revolucion. Baltos dhe shpif. Por ka një argument që shpjegon problematikat e sotme, sidomos ato sociale. Lufta për shtetin e munguar. Kjo qeverisje është duke administruar kostot e një qeverisjeje që në tetë vite nuk guxoi të bënte shtet. Përkundrazi, e çoi në greminë.
Ndaj të gjitha këto aksione e reforma, që s’janë pak në vetëm dy vjet qeverisjeje, flasin për vullnet dhe guxim të shumicës qeverisëse. Për kostot sociale që prodhojnë, natyrisht nuk janë të gjithëpranueshme, por qeverisja e djathtë në 8 vitet e kaluara nuk guxoi. Ndërsa tani e ka kollaj të hedhë baltë.
Letër e nënshkruar,
Panajot Zoto
