Kulla e Sahatit në Tiranë mbrëmjen e sotme është ndriçuar me ngjyrë blu, ngjyra zyrtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Bashkia e Tiranës i është bashkuar fushatës botërore për të përkujtuar Ditën e Kombeve të Bashkuara dhe 70 vjetorin e themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ka marrë shumë seriozisht të gjithë objektivat globale, sociale të Kombeve të Bashkuara.
Sipas tij, një nga 17 objektivat ka të bëjë me qytetet e qëndrueshme dhe kjo është arsyeja pse Bashkia e Tiranës e konsideron si të rëndësishme një qytet të qëndrueshëm.
“Që në muajin e parë filluam punën tonë për të rregulluar çerdhet, sepse ne nuk besojmë se duhet të fillojmë nga puna për të mbrojtur më të fortët, por duhet të fillojmë nga puna për të mbrojtur, mbështetur ata që janë më të dobëtit, ata që ndoshta nuk janë në televizor çdo ditë, që ndoshta nuk kanë mundësi financiare, dhe më të vegjlit që kanë nevojë për ndihmë në qytetin tonë janë ata që shkojnë në çerdhe”, deklaroi Veliaj.
Ai theksoi se në çdo vendim që bashkia ka marrë, është bazuar nga këto parime të OKB, mbi çfarë duhet të jetë prioritet për qytetin.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se ka nisur diskutimet me UNICEF, UNDP apo agjenci të tjera të Kombeve të Bashkuara që kanë qëllim se si Tirana mund të jetë një qytet më i qëndrueshëm.
“Kjo është arsyeja se pse në muajin tonë të parë kemi pasur dy ditë pa makina dhe më vjen mirë që ata që janë gëzuar më shumë nga ditët pa makina kanë qenë fëmijët, të cilët kuptojnë se qyteti është gjithashtu i tyre”, tha Veliaj.


Pse jo ngjyre mavi apo te kuqe more rilindas por blu ngjyren e Berishes dhe Pd