I nderuar lexues! Dalmacia përmendet fillimisht si krahinë e më pas provincë ilire brenda trojeve të banuara nga fisi i dalmatëve. Më vonë u zgjerua shumë nga luftërat e shekullit II-I p.e.s. Pas një kryengritje të viteve 6-9 e.s. provinca e Dalmacisë shtrihej në veri deri te gadishulli i Istrias dhe shkonte paralel me lumin Sava deri në Singidum (Beogradi i sotëm). Në lindje zbriste nëpër luginën e Ibrit deri te mali i Sharrit. Kufiri jugor i saj ishte lumi Mat, kurse në perëndim deti Adriatik. Provincës së Dalmacisë i takonin gjithë ishujt në detin Adriatik si dhe qytete të rëndësishme të kohës, midis tyre edhe Skodra e Lisi (Shkodra dhe Lezha). Në kohën e sundimit të Dioklecianit, pjesa jugore e Dalmacisë nga gjiri i Kotorrit poshtë u shkëput dhe u krijua provinca e Prevalit. Kjo provincë kishte qendër pikërisht Shkodrën.
