Partizani është kryesues i vetëm i Kategorisë Superiore, pasi mundi 2-1 kampionët në fuqi të Skënderbeut në kryeqytet në ndeshjen më të rëndësishme por dhe spektakolare të javës së 8 të Superiores.
Një prej mbrojtjeve më të mira të kampionatit, iu fal pikërisht mbrojtësve të saj për të marrë fitoren, pasi ishin pikërisht dy lojtarë të këtij reparti Krasniqi dhe Ibrahimi që me golat e tyre i dhanë 3 pikët skuadrës së Starovës, si për të treguar se kjo skuadër nuk është e varur vetëm prej Sukajt, që për të parën herë nuk arriti të shënojë në një ndeshje të Superiores.
Gjithsesi një magji e dhuroi dhe Skënderbeu me Salihin, që me një gol fantastik ndaj Partizanit “lau” atë karton të kuq të marrë në Lisbonë.
Fillimi ndeshjes ishte i denjë për një përballje mes dy kryesuesish. Partizani ndezi që në fillim “shkëndijën” me dy mundësi të Sukajt në minutën e parë dhe të tretë, me Shehin që pasi u driblua nga sulmuesi zgjati këmbën për të evituar golin.
Nga goditja e këndit ndërkohë Batha dhe pse i vetëm përballë portës nuk arriti të shënonte.
Gjithsesi xhevahirin e mbrëmjes e dhuroi një tjetër shkodran në të 8-ën, me Hamdi Salihin që realizoi ndoshta golin e vitit në Superiore me një roveshatë për t’u vendosur në kartolinë.
Partizani megjithatë skuqi sfidën në të 23-ën, kur Gëzim Krasniqi i dhuroi gëzim tifozëve të tij me një gol të shënuar me kokë e këmbë bashkë.
Kryeqytetasit megjithatë ishin të etur për një fitore ashtu si dhe Sukaj për një gol, që bëri një tunel mes këmbëve të Jashanicës por pa Shehin të realizonte një pritje të jashtëzakonshme.
Gjithsesi golat e Partizanit në këtë mbrëmje duket se nuk ishin për sulmuesit, pasi një tjetër mbrojtës si Labinot Ibrahimi me një goditje të fuqishme në hyrje të zonës i dha përmbysjen Partizanit.
Skënderbeu u përpoq të reagonte para pushimit me Latifin që iu afrua golit në minutën e 41-të, megjithatë në dhomat e zhveshjes u vajt me Partizanin në epërsi.
Pjesa e dytë ishte jo vetëm spektakolare, por dhe e luftuar, aq sa në minutën e 55-të, Olayinka në përpjekje për të goditur portën goditi Hoxhën, me futbollistët e Partizanit që iu hakërryen atij. Në të 70-ën, të kuqtë rrezikuan dhe me Plakun, por shanset më të mira do t’i kishte Skënderbeu.
Katër minuta më pas Jashanica nuk përsëriti dot mbrëmjen e Lisbonës, këtë herë duke i mohuar vetes një gol të sigurt, ndërsa në të 77-ën, shpresat e korçarëve u përplasën në shtyllë, me Latifin që nuk mposhti Hoxhën për çështje centimetrash.
Ndeshja u mbyll 2-1 për Partizanin që mundi pikërisht skuadrën me të cilën ndante kreun për të qenë tashmë kryesues i vetëm i Superiores.
