Importet e mallrave të forta të akcizës, karburante dhe cigare kanë vijuar me rënie në fund të periudhës 9-mujore në krahasim me një vit më parë sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Ministria e Financave.
Importet e karburanteve ranë me 1.5 % në krahasim me nëntëmujorin e 2014 dhe importet e cigareve ranë me mbi 10%. Kjo situatë është bërë shkak edhe për rënien e TVSH-së me -3.7% në vlera absolute me pak se 9 mujori 2014. Ndërkohë që grumbullimi i akcizës është përkeqësuar këtë shtator, megjithëse plani u shkurtua ndjeshëm me rishikimin e buxhetit. Gjatë shtatorit të ardhurat nga akciza në dogana ishin 20% më të ulëta se shtatori i vitit të kaluar.
Burimet nga Shoqata e Hidrokarbureve bënë me dije se importet e karburanteve kanë rënë për shkak të konsumit të dobët.
Por sipas një analize që ka bërë Ministria e Financave për këtë çështje për të gjitha produktet e akcizës vërehet një rritje e konsumit të pothuajse gjithw produkteve si për kafene, birrën, pije alkoolike apo verë, me përjashtim të cigareve. Ministria e Financave argumenton se, megjithëse ka ulje të zhdoganimeve për karburantet gjatë 9 mujorit me 5,400 ton, sasi kjo wshtw kompensuar dhe tejkaluar me prodhimin vendas prej 17,934 ton karburant. Në total, importi dhe prodhimi vendas i karburanteve, kanë një rritje prej 3.3% në krahasim me vitin e kaluar.
Por, fakti qw prodhimi vendas është rritur nuk është shkak për mosrealizimin e të ardhurave, pasi nafta e vendit paguan njësoj akcizë me naftën e importit.
Akciza e cigareve, megjithë rritjen e nivelit të akcizës nga 1 janar i këtij viti, vazhdon të jetë e ulët në krahasim me parashikimin për arsye të rënies së importeve, të cilat për periudhën janar –shtator 2015 janë 1,866 ton nga 2,090 ton që kanë qenë vitin e kaluar, njofton Ministria e Financave.
Sasia e më e ulët e zhdoganimeve përbën edhe minusin e mosrealizimit të të ardhurave nga akciza. “Një nga faktorët që mendohet të ketë ndikuar negativisht në nivelin e sasive të importuara është rritja e kursit të USD. Kompanitë kryesore të cilat operojnë në tregun shqiptar faturojnë dhe mbajnë bilancet e tyre në USD. Ndërkohë që në vitin 2015 ka një rritje të ndjeshme të vlerës së USD, kjo vlerë nuk është pasqyruar në rritjen e çmimit final për konsumatorët, duke ndikuar vetvetiu në sasitë e importuara me synim për minimizimin e dëmeve për këto kompani” argumentuan burimet zyrtare të Financave. /Monitor/
