Dalin kuotat e pranimeve dhe tarifat që do të aplikohen për studimet universitare të nivelit të dytë në institucionet publike të arsimit të lartë. Vendimi i miratuar tashmë nga qeveria, saktëson se 18,239 kandidatë në të gjithë vendin do të mund të fitojnë të drejtën e ndjekjes së studimeve të nivelit të dytë në programet “Master profesional” dhe “Master shkencor”.
Sipas ndarjes së planifikuar, 10,360 është numri i kuotave të aprovuara për programet e nivelit profesional, ndërsa 7879 janë pranimet që do të realizohen në programet “Master i Shkencave”. Në tabelat bashkangjitur shkrimit gjendet e detajuar tarifa e studimeve, si dhe ndarja e plotë e kuotave të studimit që do të realizojnë të 12 universitetet publike në vend, për ciklin e ri të pranimeve për vitin akademik 2015-2016. Kriteret për përzgjedhjen e fituesve që do të vijojnë studimet e larta në këto programe, do të shpallen nga vetë institucionet e arsimit të lartë publik gjatë ditëve në vijim kur do të nisin dhe procedurat e aplikimit.
Qeveria ka përcaktuar edhe tarifat e studimeve që duhet të shlyejnë të gjithë kandidatët që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur studimet e nivelit të dytë. Tarifa sipas krediteve jepet e detajuar për programet e para të studimeve, si dhe për programet e dyta të studimit (vijimi i një fakulteti të dytë). Në vendim sqarohet se kandidatët që do të transferojnë studimet në programe të ngjashme, do i nënshtrohen tarifës për kredit të programit të studimit përkatës.
Ndërsa shtetasit e huaj, që do të vazhdojnë studimet e ciklit të dytë në universitetet publike do i nënshtrohen të njëjtës tarifë shkollimi, si shtetasit shqiptarë, me përjashtim të rasteve kur në kuadër të marrëveshjes ndërshtetërore është parashikuar ndryshe.
Gjithashtu janë aprovuar edhe kuotat e pranimeve për shtetasit e huaj, për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit, për të verbrit, për romët dhe ballkano-egjiptianët, për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, kuota të cilat do të administrohen dhe rishpërndahen nga MAS.
Për të vijuar studimet në një profil të caktuar të programeve master, fakultetet duhet të regjistrojnë në vitin e parë detyrimisht mbi 10 kandidatë. Çka do të thotë se nëse në një degë ka më pak kërkesa, programi i studimit nuk do të zhvillohet gjatë këtij viti akademik. Përjashtim në këtë rast përbën vetëm Universiteti i Arteve të Tiranës.
Për programet e studimit, për të cilat janë akorduar kuota për disa profile së bashku, institucionet publike të arsimit të lartë në përfundim të aplikimeve duhet të detajojnë në MAS dhe Agjencinë Kombëtare të Provimeve, programet e studimit me profilin përkatës, në të cilat ka të paktën 10 studentë të regjistruar dhe që do të fillojnë veprimtarinë për vitin akademik 2015-2016.
Studentët, të cilët nuk e kanë përfunduar programin përkatës të studimit, apo nuk kanë shlyer të gjitha provimet e parashikuara në kohëzgjatjen normale të përcaktuar konsiderohen studentë mbetës dhe do të paguajnë çdo vit akademik dyfishin e tarifës për kredit të parashikuar në këtë vendim.
Përjashtimi nga tarifat e studimit për programet master
Vendimi detajon edhe shtresat që do të përjashtohen, ose rimbursohen pjesërisht për mbulimin e tarifës totale të shkollimit në programet master. Kështu, studentët që vijnë nga shtresat sociale në nevojë, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit në të gjitha programet e studimeve të ciklit të parë “Bachelor”, programet e studimeve jouniversitare profesionale dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë “Master i Shkencave” me formë studimi me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë.
Konkretisht bëhet fjalë për studentët që kanë statusin si: “Persona që nuk shikojnë dhe dëgjojnë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, invalidët, invalidët para dhe tetraplegjikë, jetimët, romët, ballkano-egjiptianët, personat që kanë humbur njërin nga prindërit dhe familja e tyre trajtohet me ndihmë ekonomike, ish të dënuarit dhe të përndjekurit politikë, fëmijët e policëve dhe ushtarakëve që kanë humbur jetën për shkak të detyrës, si dhe të prekurit nga HIV-AIDS. Për rastet kur kandidatët e këtyre shtresave do të aplikojnë dhe fitojnë ndjekjen e programeve të nivelit të dytë master do të përfitojnë rimbursim të kostos së studimeve në masën 50 për qind.
Kuotat për “Master profesional”
- Kuotat për pranimet e reja për programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë “Master profesional” janë në total 10360 kuota, të cilat ndahen në:
Kuotat e pranimit për kandidatët brenda vendit 9795
Kuotat për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit 375
Kuotat për të verbrit 20
Kuotat për romët dhe ballkano-egjiptianët 20
Kuotat për invalidët para dhe tetraplegjikë 20
Kuotat për jetimët 20
Kuota për ish të dënuarit dhe të përndjekurit politikë 110
- Kuota për program të dytë studimi 120
- Kuota për transferim studimesh 100
- Kuota për shtetasit e huaj 30
Kuotat për “Master Shkencor”
- Kuotat për pranimet e reja për programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë “Master i shkencave” dhe “Master i Arteve të Bukura” janë 7879 të cilat ndahen në:
Kuotat e pranimit për kandidatët brenda vendit 7424
Kuotat për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit 375
Kuotat për të verbrit 20
Kuotat për romët dhe ballkano-egjiptianët 20
Kuotat për invalidët para dhe tetraplegjikë 20
Kuotat për jetimët 20
- Kuota për program të dytë studimi 120
- Kuota për transferim studimesh 100
- Kuota për shtetasit e huaj 30
