Në zgjedhjet e fundit vendore, krejtësisht në një strukturë të re pushteti lokal, Partia Socialiste në Shkodër u radhit si forca e tretë politike. Kjo nuk kishte ndodhur më parë dhe, megjithëse shumë gjëra ishin paralajmëruar se do të mund të ndodhnin, vetë struktura socialiste e kishte nuhatur këtë, pak gjëra ndryshuan.
Me socialistët në Shkodër lidhjet e mia janë të hershme, ndoshta edhe nga fakti se do të jem për herë të parë pjesë e një force politike. Sidoqoftë, edhe po të mos doja, janë disa gjëra që të bëjnë të rikthehesh, aq më tepër kur dua të risjell vitet e para të pluralizmit në këtë qytet të vjetër, vitin 1991, i cili do të dukej sikur do të ishte rishtas një partiak, kësaj here nën petkun e PD-së. Pak vetë kanë besuar se mund të ringrihej një forcë e tillë; megjithatë ajo u ngrit, ndoshta edhe nga vizioni dhe besimi që kishin ata që morën përsipër t’a bënin atë pjesë të qytetit. Por u ringrit edhe nga një arsye tjetër: ata që e morën përsipër kishin gjithë të drejtën e botës të distancoheshin nga e shkuara, por bënë atë që ishte më e domosdoshme, morën përsipër edhe gjëra që nuk ishin të tyret dhe, më themelorja, pranuan se ku kishin gabuar.
Viti 2015, qershori i këtij viti, nuk është i njëjtë me vitin 1991. Në të vërtetë mungon një drejtues karizmatik si Shaqir Vukaj, dhe, megjithë peshën që mbajnë figura të njohura si Mimoza Hafizi apo Namik Kopliku, mungon, ndoshta jam i gabuar, militantizmi i njerëzve që e dinin se do të humbisnin, por nuk e bjerrnin shpresën.
Pas zgjedhjeve të qershorit 2015 kisha drojën e mbylljes në vetvete; një qark brenda vetes për të mos dalë gjërat jashtë atij rrethi që krijohet në raste të tilla:ku askush nuk doe pranojë humbjen dhe nuk e shikon në sy atë.
Megjithatë, ndryshe nga sa mund ta shohin strukturat e atyshme, një zë u shfaq edhe publikisht: Rozafa Zmijani. Herë herë dukej si një zë opozitar brenda partisë së saj, herë tjetër si një zë që vinte nga e drejta e mendimit ndryshe, ndoshta e keqkuptuar nga vetë njerëzit e saj, e megjithatë tejet e sinqertë në atë që thonte. Nuk e di se si mund ta ketë konceptuar PS në Shkodër mendimin e saj, sidomos të drejtën për të thënë haptas se ku kemi gabuar, por e di se punët nuk mund të ecin nga e mbara, në se nuk e dimë se ku na pikoi shtëpia.
Me Rozafën, duke qëndruar sëbashku edhe me mikun tim të vjetër, futbollistin e njohur Hysen Zmijani, bashkëshorti i saj, unë bëra një bisedë të cilën vendosa ta sjell, ashtu si e shënova.
– Mendon se ka forcë PS të ringrihet dhe të jetë forcë e parë në Shkodër, si në vitin 2013?
Rozafa – Me siguri , që po. Duket se është utopike dhe jashtë reales, por nuk është ashtu. Kjo që ndodhi ishte një rastësi politike, e cila ka shumë faktorë; të ditur dhe të paditur, çështje përplasjesh dhe moskuptimesh. Nganjëherë serioze, nganjëherë mund të sheshoheshin me pak mundim. Në Shkodër, duhet thënë saktësisht, që të mos jetë e nëpërdhëmbëzuar, socialistët kanë në vete një pjesë të rëndësishme të elitës intelektuale, të kuptueshme dhe të besueshme nga njerëzit. Kjo elitë duket se është e çakët, pr nuk është e vërtetë. Problemi themelor është i yni: rizgjimi i asaj energjie vitale që kishim edhe më herët.
– Megjithatë, në disa shkrime ke qenë kritike dhe ndoshta ke hapur probeme?
Rozafa – Njeriu flet për atë që i dhëmb dhe duhet kuptuar si dhimbje e jo si triumf i askujt. Unë doja me shpirt që të kishte fituar Keti Bazhdari, megjithëse nuk isha në ekipin e saj, e megjithëse nuk isha dakord me një pjesë të ekipit që e përfaqësoi. Unë vazhdoj të mendoj se gjërat i lëviz nga vendi baza e partisë, e jo strukturat jashtë saj. Tani nuk është koha e ofshamave. Sepse nga përplasjet humbasim atë që është më themelore: Besimin e njerëzve se mund të bëjmë ndryshimin edhe në qytetin tonë.
– Përse mendon se mund të humbisni besimin në ndryshimin e domosdoshëm?
Rozafa – Po risjell disa shembuj, pse nga humbja e besimit, qoftë edhe ndaj njëri tjetrit, nuk fitojmë, por distancohemi. Në zgjedhjen e kryetarit të qarkut Shkodër, sipas mediave, kanë rrjedhur pesë vota të majta në favor të kandidatit të djathtë për Kryetar Qarku. Votat normalisht ishin të PS-së, sepse kandidati rival ishte i LSI, dhe të vetët patjetër ja kanë dhënë votën. Besoj se mund të jemi forcë e parë në Shkodër nëse në përzgjdhjen e njerëzve, krahas figurave të shquara intelaktuale, u japim rëndësinë që kanë edhe militantëve tanë. Sepse ndodh që përmes një mjedisi jo të duhur, rrjedhin gjërat si ujrat e shiut. Militanti është nga ata njerëz që sjell besimin dhe nuk e bjerr besimin ndaj tij. Të largosh militantin dhe të sjellësh një langaraq politik, është jo e vyer dhe e dobishme. Këtë mund ta shmangim në Shkodër.
Natyrshëm më është kujtuar një bisedë me një kandidat për deputet të PS në vitin 2005, i cili më tregoi se, dy ditë para votimit, bashkë me dy drejtues kryesorë të PS-së kishin përfunduar listën e komisionerëve për Qendrat e Votimit, dhe si me magji, kjo listë një orë më pas kishte rënë në dorë të PD-së.
Kur PS doli në opozitë, rreth gjysma e delegatëve në kongresin e PS u shkëputën nga partia.
Në vitin 2010, një drejtor i atëhershëm i PD, ishte propozuar për delegat në kongresin e PS, pikërisht nga drejtuesit e PS së qytetit. Në vitin 2013, me ndërrimin e pushtetit qëndror, situata vazhdoi njëlloj, vazhdoi emërimi i drejtuesve të institucioneve pa asnjë lidhje me PS. Disa drejtues institucionesh, që u larguan para zgjedhjeve vendore 2015, nuk kontribuan aspak në fushatën e PS-së. Ne kemi një koalicion në qendër, por hapësira e krijuar në qarkun tonë, jo rrallë herë është qartësisht e llogaritur financiarisht. Prefekti i qarkut, një biznesmen i aftë, ka qenë 22 vjet anëtar i kryesisë së PD, tani përfaqëson të majtën!!!
Dy herë që PD ka marrë pushtetin (në 1992 dhe 2005) ka bërë spastrime radikale të njerëzve me prirje të majta, por sot PS vazhdon rishtazi të punësojë edhe komisionerë të PD, pa folur për ata që ishin në punë, që nuk i luan njeri, mbështetur në filozofinë e meritokracisë, shoqërisë civile apo asaj, as djathtas as majtas… A është e mundur që në administratën e tejmbushur të bashkisë Shkodër të punësohet ndonjë djalë apo vajzë që ai (ose ajo), apo prindërit, të jenë të pozicionuar majtas? Ose, a ka ndonjë qytetar të thjeshtë apo personalitet, i cili, duke qenë i pozicionuar majtas, vetë apo familja e tij, të jenë përfaqësues të PD në organet e zgjedhura?
Në Shkodër kjo mund të kishte efektin e një tërmeti..
E pra, ne socialistët shkodranë jemi evropianë. Ne marrim ish drejtorin e një institucioni të rëndësishëm në kohë të qeverisjes së PD, e kandidojmë për anëtar të keshillit bashkiak, gjoja nga shoqëria civile. Dhe jo i vetmi kandidat, që fushatën e fillon dhe e mbaron duke deklaruar qe nuk kam punë me PS, dhe, pa qenë anëtarë partie, i caktojmë delegatë për zgjedhjet në PS?!
Për të krijuar një përfytyrim dhe realitet ndryshe, duhet filluar që nga ajo që është e dukshme, duke shkuar deri tek ajo që është e brendshme dhe ka lidhje me botën e njeriut.
Një pensionist veteran po thoshte një ditë të nxehtë gushti, i lodhur nga pritja në rradhë për lekët e pensionit: “Shih sa të bukur e ka selinë PD, dhe shih ku i kanë gjetë vendin, midis xhamisë, kishës Françeskane dhe kishës ortodokse, në qëndër të qytetit”.
“Po ne të majtët e PS ku e kemi selinë“? Socialistët në Shkodër nuk janë humbës, ata kanë ngritur një kualitet të ri mendimi e vizioni, pavarësisht gjërave që nuk duhej të ndodhnin.
Sa kollaj është edhe ishte, të jesh i majtë në Tiranë, Durrës, në të gjithë jugun, po në Shkodër?
Nëse ka të majtë të vërtetë të penalizuar deri në persekutim, kjo e majtë është vetëm në qytetin më të madh të veriut. Kush nuk e ka provuar, nuk e din dhe kush nuk e din e ka të vështirë ta respektojë. Nuk është bërë asnjëherë, si duhet dhe me të cilët duhet, një analizë e vërtetë e gjendjes, prandaj ka ndyshuar aq pak.
Daum të fitojmë, duam të jemi forcë kryesore në Shkodër?? Le të zgjedhim të majtë të vërtetë, militantë dhe intelektualë vizionarë në krye të PS-së në Shkodër, le të zgjedhim, krahas forcës civile,një shumicë të majtë në krye të përfaqësimit në të gjitha instancat.
Shkodra mund e duhet të bëhet shembulli i një rilindje partiake. Tani është koha për të vendosur.
Shënimi i fundit: nuk e di se çfarë do të ndodhë pas kësaj bisede. Në fund të fundit unë ndjehesha mirë që po bisedoja me një njeri që kishte atë zjarrin që e kishin shumë prej nesh në fillimet e pluralizmit në Shkodër dhe kur,megjithë mohimin, e dinim se do të ringriheshim.
