Ditën e premte më 29 tetor 2015 u mblodh Komisioni i Planifikimit të Emergjencave për Qarkun Tiranë për të vendosur prioritetet e parandalimit dhe për të raportuar gadishmërinë e secilit institucion pjesë përbërëse e komisionit në fjalë.
Në tryezën e thirrur nga Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi ishin të pranishëm drejtues të 5 bashkive dhe njësive administrative të Qarkut Tiranë, kreu i Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi, drejtues të OSHEE, Bordit të Kullimit etj.
Duke folur për zonat problematike të qarkut, prefekti Sadi Vorpsi tha se sigurimi i jetëve njerëzore përmes lajmërimit të shpejtë të popullatës dhe informacionit të ndërsjellët, për shkak të situatës së përmbytjeve të mundshme, është prioritet.
“Kontrolli dhe garantimi i kalueshmërisë së akseve rrugore, si rezultat i përmbytjeve. Ofrimi i ndihmës mjekësore për popullsinë e zonave të prekura nga fatkeqësia. Mundësimi i ndihmës në ushqime e veshmbathje. Marrja e masave për një evakuim të mundshëm të banorëve të zonave të prekura. Këto prioritete sigurisht duhen pasur në vëmendje pasi stina e shirave dhe ngricave sapo ka nisur dhe parandalimi apo gjendja në gatishmëri e Komisionit të Emergjencave është detyrim sa ligjor, po aq edhe moral”, tha prefekti Vorpsi.
Ai theksoi se duke u nisur edhe nga situatat e krijuara vitet e mëparshme, janë marrë masa të menjëhershme për sigurinë e digave dhe rezervuarëve që ndodhen nën juridiksionin e Njësive të Qeverisjes Vendore të Qarkut Tiranë, bazuar në funksionet dhe detyrat e parashikuara në ligj.
Kreu i Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi tha se “në kuadrin e marrjes së masave për përballimin e emergjencave civile në nivel qarku në bashkëpunim me Ndërmarrjen e Rrugëve Rurale, është urdhëruar ngritja e një grupi pune për përballimin e situatave të emergjencës civile me përfaqësues nga administrata e Këshillit të Qarkut dhe Ndërmarrja e Rrugëve rurale.
Ky grup pune do të jetë në gatishmëri dhe angazhim të menjëhershëm për dhënien e ndihmës përkatëse strukturave shtetërore për përballimin e çdo situate të emergjencës civile të krijuar nga faktorë të ndryshëm. Aktualisht, grupi i punës ka bërë verifikimin e situatës aktuale në disa segmente rrugore që administron.
Nga ky verifikim rezultoi se ka probleme të vogla teknike të cilat po riparohen, (mbushje gropash me stabilizantë, hapje kanalesh, pastrim shembje, pastrim pusetash”).

