Kohë barrikadash

redaktor

Austria vendosi të ngrejë barrikada kufitare me Slloveninë. Sigurisht jo mure të lartë, por gardhe të vegjël. Në kufirin me Hungarinë dhe Sllovakinë, tashmë janë vendosur kontrollet kufitare. Hungaria ka mbyllur kufirin me Serbinë, Kroacinë dhe Slloveninë. Sllovakia ka vendosur kontrollet kufitare me Hungarinë. Kroacia kontrollon kufirin me Serbinë dhe Sllovenia kontrollon Kroacinë. Gjermania ka vendosur kontrollet kufitare përgjatë kufirit me Poloninë, Republikën Çeke dhe Austrinë. Ndërsa Bullgaria vazhdon ndërtimin e murit të jashtëm kufitar të BE-së me Turqinë. Por, a ka hyrë realisht Unioni në krizën më të fortë të tij?

Ndonëse kriza ekonomike dhe çështja greke, krijuan një perceptim të gjerë se, Unioni po kalonte një nga krizat më të forta të tij, realiteti pasqyronte një situatë më të konsoliduar. Vendet anëtare, ndonëse me nuanca grupimi brenda dhe jashtë eurozonës, kishin një qëndrim politik të unifikuar, të kategorizuar në disa skenarë dhe nën skenarë, që do të çonin në mënyrë të pashmangshme drejt zgjidhjes së krizës greke. Skenarë, që parashikonin gjithë skemat e mundshme të lëvizjeve, kostot e gjeneruar si edhe mënyrat efikase të përballimit.

Por, kriza e refugjatëve me përmasat që po merr, po modelon një situatë, sa të paprecedentë por edhe të paparashikueshme për Unionin.

Nga njëra anë, ngritja e vazhdueshme e barrierave nga kufijtë e jashtëm, drejt kufijve të brendshme, pra shtet me shtet brenda BE-së, ndonëse po justifikohet nën ligjshmërinë që krijon kodi i hapësirës Shengen, po ekspozon jo vetëm problematikën e tejkalimit të natyrës ligjore me inovacione të paimagjinuara, tela me gjemba, gardhe të lartë, të vegjël, mure, policë, ushtarë, qen roje, legjislacion për hapje zjarri etj, por po i konfirmon vullnetet kombëtare ekskluzivisht dhe tërësisht në zgjidhje të njëanshme në lidhje me krizën.

Nga ana tjetër, si pasojë e kësaj krize, që po has në një terren të vështirë menaxhimi politik në nivel evropian, janë shkaktuar një sërë lëvizjesh, që ndonëse mund të cilësohen me karakter teknik pragmatist, po transformojnë një sërë vlerash, duke krijuar precedentë krejtësisht të panjohur deri më tani.

Marrëveshja me Turqinë, për mbajtjen në territorin e saj të 2 milionë sirianëve dhe pengimin e tyre për të hyrë në tokën evropiane, si edhe të flukseve të tjera të mundshme, ka sjellë një zinxhir pasojash deri më tani të paimagjinuara.

Së pari, ofertat për hapje kapitujsh në shkëmbim të zgjidhjeve të problemeve të Unionit, ndonëse u prezantuan si procedurë normale, brenda përmbushjes së kushteve paraprake, nuk mund të shmangen në vlerësim si, instrumentalizim i politikave të zgjerimit.

Së dyti, vizitat e larta diplomatike përgjatë fushatës zgjedhore, sigurisht që konfirmojnë daljen nga kuadrati i vlerave evropiane dhe mbrojtjes së parimeve për paanshmëri dhe mos ndikim politik përgjatë fushatave elektorale.

Së treti, ky pozicionim politik përgjatë fushatës zgjedhore nuk mund të shikohet si i shkëputur nga një tjetër element, shtyrja e publikimit të progres raporteve, pas zgjedhjeve turke. Tashmë janë një sërë burimesh, që vijnë nga diplomacia evropiane se kjo shtyrje, synonte shmangien e publikimit të kritikave të rënda ndaj autoriteteve në fuqi, mbi shkeljen e të drejtave të njeriut, të minoriteteve, të lirisë së shtypit dhe të drejtave themelore. Të njëjtat burime konfirmojnë gjithashtu se, për shkak të nevojshmërisë për vazhdimin e bisedimeve me Turqinë, në lidhje me zgjidhjen e krizës së refugjatëve, raporti mund të rimodelohet duke zbutur gjuhën e rëndë të kritikave.

Së katërti, si rrallëherë përballë shkeljeve të rënda të lirisë së shtypit, që demonstruan lëvizjet e fundit politike në Turqi, Unioni nuk po ndihet. Tek-tuk ndonjë zë periferik, por që shuhet nga heshtja tërësore e institucioneve. Heshtje, e cila rëndohet tek pasohet me reagime pohuese nga kreu i Komisionit se, është e domosdoshme të zgjidhet kriza e refugjatëve në bisedimet në proces me Turqinë.

Kriza e refugjatëve ka marrë përmasa të paparashikueshme dhe ndoshta është nja nga krizat më të forta, që ka përjetuar Unioni Evropian dhe që po e vendos përballë sfidave të paimagjinueshme. Që prej fillimit të krizës, vendet anëtare filluan të vepronin duke reaguar në forma të njëanshme, të ndikuar sa nga preferencat e forcave politike në pushtet, po aq edhe nga presionet e ushtruara nga elektorati. Reagime, që po mbrohen në forma të sforcuara në nivel evropian se, janë brenda kuadrit ligjor mbi rifutjen e përkohshme të kontrolleve kufitare. Një nga arritje më të rëndësishme të Unionit, lëvizja e lirë, është në dilemë ekzistenciale, nga efekti domino i ngritjes së barrikadave kombëtare.

Për herë të parë kjo krizë, rishfaqi edhe linjat e zbehura ideologjike mes Lindjes dhe Perëndimit. Bllokada politike e Visegradit, tashmë ka një pozicion solid, pas fitores së fundit të nacionalistëve konservatorë në Poloni. Por, kjo krizë po vazhdon të fuqizojë edhe ekstremin e djathtë në Union, që e ka monopolizuar betejën sa ndaj forcave politike në pushtet, po aq edhe ndaj vetë flukseve të refugjatëve.

Krizë e brendshme që po reflektohet edhe së jashtmi, ndaj vendeve kandidate dhe politikave të zgjerimit. Në përpjekje për zgjidhje të krizës, shpërfillen vlerat më të rëndësishme të sendërtimit evropian. Por, a u zgjidh realisht problemi me Turqinë ? Unioni ofroi hapje të kapitujve të negociatave, shifra të konsiderueshme financiare, përshpejtim të liberalizimit të vizave, progres raporti me kritika të rënda ndaj politikës turke nuk u botua përpara zgjedhjeve, bile mund të kalojë edhe në retushime të ndjeshme. Ai po hesht edhe ndaj shkeljeve të fundit të lirisë së shtypit. Por, Erdogan e konfirmoi se nuk mund të mbajë gjithë botën, për hir të Evropës. Në këtë kuadër, sigurisht që edhe flukset e migrantëve kanë rrjedhje, ndonëse në shifra të vogla penetrimet për në tokën evropiane vazhdojnë. Rrjedhje, që e justifikojnë përgjatë logjikës së bisedimeve të fundit rritjen e kërkesave turke, si ndaj liberalizimit të shpejtë të vizave, por edhe krijimin e hapësirës për rikonsiderime në kohë në lidhje me shifrat financiare. Nuk dihet se deri në ç’nivel mund të shkohet, sa me rritjen e kërkesave të vazhdueshme nga njëra palë, por edhe me lëshimin dhe tolerancën e ofertave në dëm të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut, nga pala tjetër. Por kjo situatë krize, që po gjeneron nën kriza të tjera, imponon rikonceptim apo rimodelim për zgjidhjen e saj. Rimodelim, që duhet ta nxjerrë nga korniza dypalëshe detyruese, që në fund të fundit edhe pse për momentin “efikase”, nuk mund të jetë veçse e përkohshme./im.ta/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Share This Article