Kina paralajmëron SHBA-në: Rrezikohet luftë

Ornela

Mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara ujërat vazhdojnë të jenë të trazuara, pas incidentit të së martës së kaluar në Detin e Kinës Jugore, dhe sot është mësuar se Pekini ka paralajmëruar se nëse Uashingtoni vazhdon të dërgojë anije në zonë, do të mund të gjenerohet “një incident i vogël që provokon luftë”. Këto fjalë u thanë dje nga admirali kinez Wu Shengli gjatë video-konferencës që pati me homologun e tij amerikan, John Richardson, një takim i organizuar për të diskutuar praninë e anijeve luftarake ‘USS Lassen’ në ujërat pranë gumës Subi, sovranitetin e të cilit e kërkon dhe ushtron Kina.

Edhe pse takimi kishte për qëllim të qetësonte tensionin që shkaktoi ai incident, përfaqësuesi kinez nuk humbi mundësinë për të qortuar SHBA-në për veprimin e saj dhe sipas një deklarate të marinës kineze, i ka thënë se nëse “vazhdon me këto lloj veprimesh të rrezikshme dhe provokuese, mund të ketë një situatë tensioni midis forcave detare dhe ajrore nga të dyja palët, apo ndonjë incident të vogël që provokon luftë”. “Lundrimi i anijes “Lassen” brenda 12 miljeve detare (22 kilometra) nga ishulli, për Pekinin përbën një shkelje të integritetit territorial që nuk duhet të përsëritet. Në këtë mënyrë, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes kineze tha dje se ushtria do të ndërmarrë “çdo veprim të nevojshëm” në përgjigje të një inkursioni të ardhshëm të anijeve amerikane në ujërat të cilat i konsideron të vetat.

Ndërkohë, zëdhënësi i Pentagonit Tim Haëkins iu referua bisedës si “profesionale dhe produktive”, duke shpjeguar se për një orë admiralët trajtuan tema të tilla si “liria e operacioneve të navigimit, marrëdhëniet mes dy armatave, dhe rëndësinë e mbajtjes së një dialogu të vazhdueshëm”.

Tensioni dhe armiqësia mes dy vendeve janë rritur në muajt e fundit për shkak të punës së kryer nga Kina në ishujt dhe shkëmbinjtë nënujorë në arkipelagun e Spratlit, një zonë që pretendohet nga gjashtë vende (Kina, Vietnami, Filipinet, Malajzia, Tajvani dhe Brunei).

Shtetet e Bashkuara akuzojnë gjigandin aziatik për ndërtimin e objekteve ushtarake në ishujt artificialë, diçka që ata e konsiderojnë një kërcënim për lirinë e lundrimit në zonë, dhe kanë paralajmëruar se nuk do të njohin asnjë kërkesë nga Kina për ujërat territoriale të bazuar në këto ishuj të rinj artificialë. Megjithatë, autoritetet kineze thonë se punimet kanë për qëllim ndërtimin e fareve dhe objekteve të tjera që garantojnë sigurinë e lundrimit në zonë. /DITA

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *