Për “tironsit” dhe të ardhurit

redaktor

Me rritjen e ndjeshme të popullsisë së Tiranës, integrimi i të ardhurve është me shumë sfida. Qytetarët e kulturuar tiranas dallohen për mendësi humane, por nuk mungojnë edhe dukuritë negative denigruese. P.sh., në një klasë ku ishte vetëm një nxënëse e ardhur për dy muaj, mësuesi nuk i thërriste me emër, por me vendardhjen, e dallonte nga shokët. Aq më e papranueshme edhe në ndonjë ish-drejtuese të arsimit që i ndante në provincialë e tiranas edhe mësuesit, madje me kuptim negativ. E neveritshme, e keqe, e turpshme. Në personalitetin e identitetin e çdo njeriu luajnë rol edhe vendlindjet e vendardhjet. Por kryesorja është kultura që manifeston, përshtatja me kulturën e qytetërimin më të përparuar, aftësia ndryshuese. Këto dukuri negative janë të dëmshme për unitetin kombëtar. Historia e kombit tonë na ka dhënë shembuj bashkimi në të gjitha kohët: Besëlidhja e Lezhës nga Skënderbeu, shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, zgjedhjet e deputetëve nga jugu në veri si Avni Rustemi, Kongresi i Alfabetit më 1908 etj. Lufta për unitetin e kombit nuk është e tejkaluar dhe sot. Koncepte e shprehje ndarëse veri-jug, tiranas-provincial etj. ndeshen në jetën tonë. Shumë syresh që manifestojnë këto negativitete nuk janë edhe vetë me origjinë qytetare tiranase, me shumë përfitime nga pushtetet e mëparshme. Te ata shfaqet mungesa e logjikës, e argumentit, vetëm klane interesash materiale e përfitimesh siç janë mësuar. Pakt edhe me djallin për interesa. Kjo po gjen terren edhe në media. P.sh., bëhet “gallatë” me epitete origjinash: malok, skraparlli, tepelenas etj. Ndarjet artificiale tiranas-provincialë janë përjashtuese për vlerat e qytetarisë, parimet e demokracisë, të të drejtave të njeriut. Këta nuk janë vetëm “pjellat” e familjeve “të mëdha”, por më të shumtët nga familje të thjeshta. Ndryshimet për të bërë vlerësimet që duhen janë në rritje. Por përpjekjet nuk duhen reshtur, nga shoqëria, mediat, ligjvënësit e ligjzbatuesit, nga qytetarët e vjetër e të rinj. Njerëzit që i nënshtrohen së keqes, e meritojnë atë. Që vlerat e qytetarisë të mundin antivlerat duhet të vazhdohet puna për kulturën qytetare. Edhe demaskimi i së keqes!

 

Letër e nënshkruar

Muazeze Kanushi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *