Bajerni i Mynihut ndalet në “Comerzbank Arena” nga Eintracht Frankfurt. Kampionët e Gjermanisë nuk mundën të ruajnë rekordin e tyre perfekt pas 10 fitoresh radhazi pasi u ndanë në barazim pa gola me Eintrachtin në sfidën që çeli javën e 11 të Bundesligës.
Ishte një ndeshje ku si zakonisht Bajerni kontrolloi zotërimin e topit përgjatë gjithë takimit, por vuajti për të krijuar morinë e zakonshme të rasteve dhe Lewandowski me shokë këtë herë nuk ia dolën të shënonin në portën e Hradecky, duke pësuar ndalesën e parë sezonale në kampionat.
Në minutën e 11, Arturo Vidal nuk arriti të shënojë me kokë pas asistit të Robben. Në fillimin e pjesës e dytë edhe Douglas Costa nuk arriti të gjejë portën teksa Hradeck t’i neutralizonte goditjen nga qendra e zonës. Në minutën e 65 ishte radha e Robert Lewandowskit, i cili gjuajti me kokë sipër traversës.
Në minutën e 81 bomberi nga Varshava u prezantua nga një harkim i Robben para portierit por sërish nuk pati precizionin që e ka karakterizuar në këtë fillim sezoni, e padobishme edhe tentativa e David Alabas në minutën e 89 dhe vërshëllima finale ndali hovin e Bajernit që pas 10 fitoresh rradhazi ndalet nga Eiointrachti duke i dhënë mundësinë ndjekësve të Borusias së Dortmundit të shkurtojë diferencën aktuale prej 8 pikësh.
