Një shtetas u arrestua nga policia e Korçës pasi akuzohet për të paktën 8 vjedhje. Në pranga ra shtetasi Thanas Dido, 27-vjeç, banues në lagjen nr.18 të qytetit të Korçës.
“Arrestimi i tij u bë pasi, dje në lagjen 18, u kap në flagrancë, duke vjedhur në dyqanin e shtetasit XH.SH, vjeç 36, banues në lagjen e mësipërme, një sasi paketash cigare, si edhe 2000 lekë”, sqaron policia.
Në vijim të hetimeve të kryera, në lidhje me këtë rast, rezulton se ky shtetas, është autor i 8 vjedhjeve të tjera, ndodhur në kohë dhe lagje të ndryshme, të qytetit të Korçës.
Në të gjitha këto lokale ky shtetas, ka vjedhur 19 copë televizorë plazma, të markave të ndryshme, ku 18 prej tyre, i ka shitur tek persona të ndryshëm.
