Gjashtë shtetas janë arrestuar në flagrancë nga policia e Shkodrës, pas aksioneve antidrogë.
Në fillim u arrestuan shtetasit Kastriot Toma, 46-vjeç, Ndue Grrela, 20-vjeç, Ndoc Zhuri, 35-vjeç dhe Fran Preka, 31-vjeç, ndërkohë që u shpall në kërkim Gjon Macaj, 24-vjeç.
Këta shtetas u arrestuan pas kontrolleve të ushtruara nga forcat e policisë në aksin rrugor Shkodër-Dukagjin me qëllim kapjen e personave që transportojnë lëndë narkotike. Kështu, gjatë kontrollit të një automjeti tip Mitsubishi, me drejtues Ndue Grrelën, janë gjetur 6 thasë me kanabis sativa, me peshë gjithsej, 45 kg.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Ndue Grrela është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pushke model 56 si dhe një krehër me 20 fishekë.
Policia sekuestroi edhe automjetin. Në një aksion tjetër, policia ka arrestuar shtetasit Eduart Sallaku, 46 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, si dhe Prekë Shpendi, 25 vjeç, lindur në Pecaj Shale, dhe banues në lagjen”Siri Kodra” Tiranë.
Nga kontrolli i ushtruar i forcave te policisë, në vendin e quajtur Qafe Thore në afërsi të fshatit Theth është gjetur i braktisur mjeti tip “DACIA”, brenda të cilit janë gjetur 129 kg bimë narkotike e kanabis sativa.

