Llaqi Janko, ish-Drejtori i Kooperativave Bujqësore të Republikës tregon kalvarin dhe jetën e burgut
73-vjeçari Bozo: Nuk e dija që isha prej kohësh nën vëzhgim nga Sigurimi i Shtetit. Rrapi Mino dhe Irakli Bozo më thanë: “Bën mirë që të mos shkosh në Lushnjë!”
(Vijon nga numri i kaluar)
Llaqi Janko, ish-Drejtor i Kooperativave Bujqësore të Shqipërisë, në rrëfimin e tij në vazhdim, tregon intrigat e Sigurimit të shtetit, letrat nga populli dhe këshillat në takimin e ‘rastësishëm’ me Prokurorin e Përgjithshëm Rrapi Mino dhe Zëvendëskryetarin e Gjykatës së Lartë Irakli Bozo, që i ‘hapën rrugën’ drejt prangave e dënimit me 15 vite burg si “armik i popullit”…
Përmendët në fillim se krahas Sigurimit të Shtetit, në arrestimin e dënimin tuaj u aplikuan dhe letrat nga populli?
-Po. Ajo që dua të nënvizoj këtu është edhe prirja për t’u dhënë rëndësi të madhe këtyre të ashtuquajtura informime (letra nga populli), që në fakt, siç më rezulton nga eksperienca ime, shumë nga to ishin dezinformime. Për çudi, por ato që përmbanin më shumë shpifje e akuza të pabaza, tërhiqnin edhe me shumë vëmendjen e organeve drejtuese në rrethe e në qendër, sidomos të komiteteve të partisë në rrethe dhe KQ të PPSH. Ndoshta edhe thënia që: “Shoku Enver e fillon ditën e punës me letrat e popullit” jepte një reflektim kudo, që këtyre t’u tregohej përparësi. Udhëheqja e lartë, sikur mezi priste, që nga këto letra të bënin kokë turku dhe të tregonin kështu, se me masa drakoniane, ata të tregonin se e dëgjonin dhe e vinin në vend ‘zërin e masave’. Pra, kishte kohë që sjellja ime me Kadarenë e gjithë aktiviteti në kooperativën e Semanit, ishin bërë objekt i ‘Letrave nga populli’ e kishin informuar udhëheqjen e lartë të vendit…
Të kthehemi tek pushimet e vitit 1979?
-Po. Familja kishte shkuar më para dhe kishte zënë kabinë, gruaja me djalin 13 vjeç dhe vajzën 3 vjeç. Unë shkoj një të shtunë më vonë, pas datës 15 gusht, sepse punët në drejtori më kishin penguar të shkoja njëkohësisht me familjen. Kur hyj në sinorin e fshatit Seman, te ura e parë, kështu quhet vendi, sepse me të vërtetë është ura, shoh, që në këmbë po ecte prokurori i rrethit, Zija Shahini. Këtu është çasti që do të niste kalvarin tim jetësor në liri dhe në burg…
Diçka për këtë takim me prokurorin?
-Prokurori Zija Shahini do shkonte në Seman, por duheshin rreth 2 km për të vajtur deri në plazh. E ftoj në makinë. Hipi, por qëndroi ftohtë, sikur nuk po i bëja nder, por qeder. Nejse, mendova me vete. Edhe në periudhën, që kam qenë në Seman kryetar, ky kështu më ka qëndruar dhe ndoshta është natyra e tij që të mos afrohet me kuadrot. E justifikova. Por të them të drejtën nuk më pëlqente me atë qëndrim që mbante ky, ose ndonjë tjetër kuadër që bënin pjesë në ato struktura që atëherë quheshin “Organe të specializuara të diktaturës”. Këtë, të dukurën, mendjemadhësinë apo ‘privilegjin’, ata e manifestonin me të gjithë kuadrot e tjerë, por sidomos me ata të ekonomisë, e më e theksuar ndaj atyre të bujqësisë. Paçka se këta robtoheshim në punë, me e pa orar, me një trajtim financiar më të ulët se e gjithë kategoria tjetër e kuadrove, pa asnjë privilegj e të tjera sakrifica.
Këto vlerësime janë të kohës për të cilën flisni apo të mëvonshme?
-Ky qëndrim i kuadrove të “organeve të specializuara” patjetër që ishte rrjedhojë e një politike të caktuar të partisë për rolin e tyre. Vonë e kam analizuar dhe kam arritur në përfundim se njerëzit mund t’i mbash nën diktat vetëm duke i frikësuar. Dhe për t’i frikësuar ata duhet të përdoreshin disa organe e një kategori njerëzish të pakontrollueshëm e me një punë krejtësisht të mbyllur. Këta edukoheshin, duke u thënë se ju jeni “palca e diktaturës së proletariatit” dhe për ju Partia sakrifikon, e ju duhet të bëni ç’është e mundur që asnjë të mos pipëtijë në kundërshtim me direktivën e partisë. I keni në dispozicion të gjitha mjetet deri në futjen në burg të cilitdo, që mendoni se cenon vijën e Partisë. Nga ky status ata përkëdheleshin në sedër dhe kërkonin që të gjithë të tjerët, pavarësisht se ishin drejtorë ndërmarrjesh, apo kryetarë kooperativash, duhet t’u bënin temena, se për të vepruar ndaj tyre kishin në dorë edhe gurin edhe arrën. Shumë vonë më kujtoheshin edhe këshillat e ndonjë shoku se kur të vjen operativi i zonës (kështu quheshin punonjësit e sigurimit të shtetit që mbulonin zona të caktuara), duhet t’ia bësh qejfin, madje edhe më shumë se sa instruktorit të komitetit të partisë. Ai takohet me njerëzit, që i ka në rrjet dhe merr informata të çfarëdollojshme, edhe të vërteta, gënjeshtra e shpifje i raporton lart. Sa të merret vesh që nuk janë të vërteta ato e krijojnë opinion dhe të marrin në qafë. Ruhu më thoshte dhe servilosu pak, sepse nuk dihet edhe mund të të fusin në burg këta soj kuadrosh.
Kështu ndodhi dhe me ju?
-Po. Dhe ishte e vërtetë. Që ditën e parë të arrestimit më thanë se s’i ke begenisur kuadrot e sigurimit. Të gjitha këto këshilla që përmenda më parë, unë i quaja këshilla prej frikacaku. Deri sa unë isha në rregull me ligjet dhe me statutin e kooperativës, s’kishte pse t’ia kisha frikën njeriu. Gjykim naiv për kohën, por ashtu isha formuar. Kisha një rrjet shumë të zgjeruar shokësh, nga ata që nuk punon në këto organe, dhe ndaj hetuesve apo operativëve të sigurimit, mbaja një qëndrim normal, larg çdo servilizmi e përulje. Asnjëherë nuk më shkonte ndërmend se do të vinte një ditë dhe ky soj mileti do raportonte për mua gjatë hetimit se “Llaqi mund të ketë të drejtë, por ai me ne nuk sillet mirë”. Këtë ma ka pohuar drejtuesja e dikasterit në atë kohë. Pra, pas takimit të ‘rastësishëm’ me prokurorin, gjërat nisën të më vështirësohen….
Çfarë ndodhi pas këtij takimi?
-Dua të sjell këtu ndërmend edhe një episod. Një shoku im, që punonte instruktor në komitetin e partisë, ndoshta për të më këshilluar që të bëja kujdes, më tregoi sa më poshtë: Një ditë më mori me vete sekretari i komitetit të partisë, sepse do vinte “të këshillonte” një person, pasi ai kishte përhapur parulla armiqësore në filan fshat. Kur e takuam atë, ç’të shikoje! Një fshatar gjysmë analfabet, i moshuar (siç konsideroheshin atëherë ata rreth 50-55 vjeç). Ky paskësh qenë subjekti që përhapte këto parulla. Ai, i shkreti e humbi fare kur e thirrëm dhe dukej ashiqare që fjala e tij, sikur edhe altoparlant t’i jepnim e të dilte para fshatit, as që do të zinte vend fare te të tjerët. Mirëpo informacioni në Komitet të Partisë ishte bërë nga Dega e Punëve të Brendshme dhe sipas rregullit ky ishte i detyruar ta bënte “këshillimin”. “Gjatë rrugës”, -vazhdon tregimin shoku im, “-i them sekretarit se m’u duk fare i kot ky këshillim që u bë sot. Ai që ka prurë këtë informacion më duket se ka dashur të plotësojë planin e këshillimeve!” Nuk më kundërshtoi sekretari, por në përgjigjen që i dha DPB, i vuri dhe këtë objeksion. Pra, ky ishte një këshillim apo ‘këmbanë’ për mua për ditët, javët dhe muajt e tmerrit që më prisnin…
Cila ishte përplasja juaj e parë me njerëzit e Sigurimit?
-Nuk kaloi shumë ditë dhe operativi i zonës më kap e më thotë se nuk je bërë t’i të gjykosh për punën time. U habita, por më vajti mendja te këshillimi. Jo vetëm kaq, por në një mbledhje të aparatit, ustai (kështu i thoshin në biseda me njëri-tjetrin Sekretarit të parë), tërhoqi vëmendjen se nuk kemi pse gjykojmë ne ato që na jep Dega e Punëve të Brendshme. Ata janë organe të specializuara dhe dinë më shumë se ne për veprimtarinë armiqësore. E kuptova që në këtë vërejtje bëhej fjalë edhe për mua. Vonë do të kuptoja se për mua ishte hapur dosja e ‘armikut’, por kërkoheshin dhe shkaqe të tjera përveç agjitacionit e propagandës…
Cilat ishin këto shkaqe?
-Abuzimet apo përvetësimet e pronës kooperativiste. Aty nga vjeshta e vitit 1979 në Seman kishte vajtur kontroll-revizioni i rrethit. Qëllimi ishte të bëhej një revizionim i përgjithshëm se si ishin zbatuar ligjet dhe udhëzimet në këtë kooperativë, sidomos ato që kishin të bënin me anën ekonomiko-financiare. Dua të theksoj, që në fillim se zakonisht këto revizionime ishin krejtësisht teknike, duke parë dokumentacionet e llogarisë dhe fletë-hyrje e daljet e magazinave. Nga këto shikohej nëse ka pasur përvetësime të pronës kooperativiste, nga kush ishin bërë këto përvetësime dhe sipas rastit i jepej për gjykim organeve të pushtetit në rreth, i cili bënte edhe ndonjë seleksionim dhe për personat e veçantë merreshin masa administrative, por edhe procedim penal. Aty nga muaji dhjetor marr vesh se në përfundim të këtij kontroll-revizionit ishin marrë të pandehur dhe po gjykoheshin shefi i llogarisë së kooperativës Koli Dhima dhe dy magazinierë, Bido Mone dhe Vangjel Stroni.
Ndërkohë, ju ishit emëruar në detyrën e rëndësishme të Drejtorit të Kooperativave Bujqësore në Tiranë?
-Po. Magazinieri i parë, i arrestuari kishte qenë në këtë detyrë edhe kur kam qenë unë kryetar kooperative, ndërsa i dyti në vitet 1976-1980. Kisha dëgjuar për këto arrestime, por as që më shkonte ndërmend se “po më thurej rrjeta”. Dhe këtë do ta kuptoja në takimin që pata me zëvendëskryetarin e Gjykatës së Lartë Irakli Bozon dhe me Prokurorin e Përgjithshëm Rrapi Minon.
Çfarë ndodhi në takimin me Prokurorin e Përgjithshëm e zëvendëskryetarin e Gjykatës së Lartë?
-Në dhjetor të vitit 1979, rastësisht takohem me Irakli Bozon, zëvendëskryetarin e Gjykatës së Lartë dhe Rrapi Minon, Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës. I njihja edhe më parë, sepse qëllonte të vinin në Seman për të kaluar të shtunat e të dielat. Jo se kisha ndonjë muhabet të afërt me ta. Ishim pikërisht para Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë. I ftoj për një kafe. Duke pirë kafe ra muhabeti se ku do ta marrja gjelin e detit për Vitin e Ri. Unë i them se si gjithmonë do ta marr në Seman, sepse atje kam vëllanë. Më këshilluan që është mirë të mos vesh në Seman. U habita, por ata nuk më thanë më shumë. Unë me atë sinqeritetin tim, u thashë se nuk kam pse ta fsheh që atje kam njerëzit e mi dhe s’kam pse të mos vete në Seman, qoftë për t’i takuar para Vitit të Ri, por edhe për të marrë një gjel deti, sepse unë mbaj në Tiranë prindërit. Ata s’e nganë më tej bisedën, por theksuan edhe një herë që mirë është të mos vesh për ca kohë në Seman. Pothuajse e harrova këtë këshillë të tyre, sepse me të vërtetë nuk ndjeja asgjë kërcënuese, megjithëse kisha marrë vesh për arrestimet, që përmenda më lart. Ndodhi edhe diçka. Babai e merrte pensionin në Fier, megjithëse kishte gati 3 vjet që banonte në Tiranë, me mua. Por ai e kishte lënë këtë kështu, sepse me këtë rast, një herë në 2-3 muaj shkonte dhe takonte edhe vajzat e djalin, nga të cilët 3 banonin në Seman dhe 2 në Fier. Kur vajti në dhjetor, i thanë se të është prerë pensioni. I habitur u kthye në Tiranë dhe më tregoi për këtë gjë. “-Do ketë ndonjë ngatërresë, por ti mos u mërzit se çdo gjë do sqarohet”, -i them unë. (Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI
-Rrëfimin e Llaqi Jankos: Letra anonime për Mehmet Shehun, thirrja në polici e akuzat për ‘Vetë administrim kapitalist’ dhe sabotim ekonomik.
-Provokimi seksual nga një femër në teatrin ‘Apollonia’ të Fierit, kurth i Sigurimit të Shtetit për të realizuar arrestimin në flagrancë
të Llazi Jankos.
-Takimi me Çemie Thomain, Ministren e Bujqësisë dhe tre thirrjet e njëpasnjëshme të Jankos në hetuesi e përballja me akuza të tjera.

Themie dhe jo Çemie Thomain, Ministren e Bujqësisë dhe tre thirrjet e njëpasnjëshme të Jankos në hetuesi e përballja me akuza të tjera.
Pershendetje
Poshtersirat e komunisteve , si ja futnin njeri tjetrit.