Muzaka në fushë pas 6 muajsh: Dëmtimi kaloi, tani më duhet të kap formën

redaktor

33 minuta në fushë, në fitoren 2-1 që Tirana regjistroi me Kastriotin në Kupë. 6 muaj pas dëmtimit në gjurin e djathtë dhe operacionit, Gjergji Muzaka u rikthye të luajë. Mesfushori bardheblu rrëfen momentin e vështirë që kaloi, kënaqësinë, dhe flet rreth momentit se kur do të japë kontributin për skuadrën edhe në kampionat: “Normal që pas një shkëputjeje kaq të gjatë, gjithmonë rifillimi dhe ndeshja e parë është gjithmonë e rëndësishme, si për parametrat fizikë, por kryesorja është ana psikologjike.

Mezi e prisja dhe ja dola me sukses, jam i kënaqur. Është një periudhë shumë e vështirë, sepse veç operacionit vjen edhe faza rikuperuese, lodhja në stërvitje dhe durimi për t’u kthyer. Çdo gjë përsa i takon dëmtimit ka kaluar dhe tani duhet arritur gjendja optimale dhe të fitoj ritmin në lojë”.

Muzaka flet për kampionatin dhe ndeshjet e radhës. Sfidat me Tërbunin, Laçin dhe Bylisin janë një mundësi që Tirana t’i afrohet rivalëve për Kupat e Europës. “Fitoret njëra pas tjetrës e shtojnë moralin e skuadrës, por mendoj që është e gabuar të mendosh se tre ndeshjet e radhës janë më të favorshme në letër dhe do ta kemi më të thjeshtë për të marrë maksimumin. Edhe nëse do të luanim tre sfidat më të vështira të kampionatit, përqendrimi dhe mobilizimi do të ishte i njëjtë.

Po aq të rëndësishme do ishin këto pikë si ndaj çdo kundërshtari. Është gabim të mendosh se këto tre sfida do të na ndihmojnë të shkojmë sa më pranë rivalëve direkt”, pohon mesfushori.

Përsa i takon rokadës në stol dhe emërimit të trajnerit Ilir Daja, mesfushori shprehet se skuadra e ka të qartë çfarë duhet të bëjë: “Çdo trajner ka metodën e tij të punës. Lojtarët kanë për detyrë të ndjekin me përpikmëri çdo lloj vendimi të trajnerit, kushdo qoftë ai”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *