Heshtja institucionale apo eleganca diplomatike, e përdorur përballë zhvillimeve të fundit në Turqi, nuk ka mundur t’i inkuadrojë të gjithë zërat në një skalion. Rebelizmi bën gjithmonë përjashtim në radhët e eurodeputetëve. Për disa, është e patolerueshme dhe e pakonceptueshme shpërfillja e vlerave dhe parimeve. Por, për disa të tjerë është pikërisht e kundërta ajo që kërkohet, nëpërkëmbja e vlerave, detyrimeve dhe parimeve.
Janë dy zhvillimeve interesante, që vijnë nga hemisfera parlamentare e Unionit, në lidhje me Turqinë. Zhvillimi i parë, konfirmon instrumentalizimin e politikave të zgjerimit dhe zhvillimi i dytë, ekspozon dëshirën apo vullnetin, për t’i dhënë fund procesit të aderimit të Turqisë në Union.
Problematika e parë, instrumentalizimi i politikave të zgjerimit, i përfolur nga burime të ndryshme të diplomacisë së pas kuintave, konfirmohet nga një letër e hapur, që disa eurodeputetë i kanë dërguar Komisionit Evropian. Në këtë letër të hapur, ato i bëjnë thirrje Komisionit që të rimendojë strategjinë e tij, në lidhje me planin e veprimit mbi çështjen e refugjatëve. Ato shfaqin shqetësimin e tyre mbi lidhjen direkte, që Komisioni po i bën negociatave të aderimit me Turqinë, me gjetjen e një zgjidhje në lidhje me krizën e refugjatëve.
Tek shprehen tërësisht në favor për avancimin e procesit të negociatave me Turqinë, eurodeputetët shfaqin shqetësimin se, si ky proces po përdoret si mjet negocimi për Draftin e Planit të Veprimit. Në logjikën e tyre, kushtëzimi i BE-së për zgjerimin, nuk duhet të jetë një instrument politik për të kompensuar një strategji të dështuar, për të përballuar krizën e refugjatëve, duke i kujtuar njëkohësisht Komisionit Evropian sulmet e fundit mbi lirinë e medias, në Turqinë e drejtuar nga Presidenti i vendit Erdogan, dhe përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet qeverisë dhe PKK-së (Partisë së Punëtorëve Kurdë). Çështje këto të përfshira në planifikimin e reformave të vitit 2013, që përshkruhej si “paketa më e gjerë e reformave në historinë e vendit”.
Por, eurodeputetët në letrën e tyre akuzojnë gjithashtu Komisionin se, “Shtyrja e progres raportit të këtij viti, tregon një mungesë vullneti për të ngritur zërin kundër shkuarjes mbrapa në kryerjen e reformave” duke argumentuar se, “Kjo përbën një precedent të keq dhe krijon një imazh se, BE është gati të zbusë tonin e saj në zhvillimet e brendshme në Turqi, në shkëmbim të bashkëpunimit mbi refugjatët”. Ato e mbyllin letrën e tyre, duke i bërë thirrje Komisionit të publikonte progres raportin mbi Turqinë, përpara zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme.
Rëndësia e kësaj letre të hapur, shkon sa ndaj konfirmimit të problemit të instrumentalizimit të politikave të zgjerimit, po aq edhe ndaj një reflektimi të nevojshëm për dalje nga kjo kornizë, dhe rishikim të strategjive të përdoruara nga Unioni, për arritjen e marrëveshjeve dypalëshe.
Rebelët ekstremistë
Por, teksa eurodeputetët hartues të letrës së hapur Komisionit Evropian, nuk kërkojnë veçse respektim të procedurave, parimeve dhe normave ekzistuese, eurodeputetët ekstremistë janë aktivë në politikat e tyre për shkatërrimin e vlerave të mësipërme.
Ato nuk kanë munguar të kërkojnë sërish bllokimin e procesit të aderimit të Turqisë në BE. Nëpërmjet rezolutës së tyre të radhës, eurodeputetët e Frontit Nacional francez, Montel, Bilde dhe Philippot i kërkojnë si Komisionit, por edhe Këshillit Evropian të braktisë procedurën e aderimit të Turqisë në BE.
Rezoluta e propozuar bazohet në argumente që marrin shkas nga ngjarjet politike, që janë zhvilluar në Turqi që prej muajit qershor 2015. Zhvillime, që kanë shkaktuar kërcënime të lirisë së shtypit, të drejtës për të manifestuar paqësisht, si edhe kërcënimet ndaj të drejtave themelore të minoritetit kurd. Por, përtej argumenteve, që bazohen në shkeljet e të drejtave themelore të kryera nga qeveria turke, rezoluta përmend gjithashtu një tjetër faktor shqetësues: deklaratat politike të Kancelares gjermane Merkel, për mbështetje dhe favorizim të kandidaturës turke dhe hapjen e shpejtë të kapitujve të rinj të negocimit, sidomos përgjatë Samitit të fundit mbi krizën e migrimit. Kjo e fundit, është një arsye me tepër, që i detyron ekstremistët francezë t’i kërkojnë si Komisionit, por edhe Këshillit braktisjen e menjëhershme të procedurave të aderimit të Turqisë në BE.
Publikimi i progres raporteve për të gjithë vendet kandidate, pritet në ditët në vijim. Raporti për Turqinë, ngjall interes, jo vetëm për mënyrën se, si Unioni do të reflektojë kritikat e tij dhe do të ripozicionojë vetveten përballë një aktori shumë të rëndësishëm rajonal si Turqia, por edhe për konfirmimin apo mohimin e zërave se, ky progres raport për hir të arritjes së marrëveshjes me Turqinë është rimodeluar. Por, rëndësia e tyre do të jetë edhe ndaj faktit të ndryshimit të përqasjes së hartimit dhe formulimit, me synim pasjen e një gjuhe më praktike, më të kuptueshme dhe lehtësisht më të krahasueshme mes vendeve kandidate./im.ta/
