Jetojmë në botën e prapësive dhe të ndodhive të papara në historinë e kombit. Individët, me apo pa dashje gabojnë, por haraçin e paguan shteti, ose më thjeshtë, taksapaguesit e vendit. Pothuajse të gjitha çështjet gjyqësore të pronësisë në vend e më gjerë, i fitojnë paditësit. Shteti është humbësi i destinuar të paguajë shtrenjtë gjynahet e pushtetarëve, të sistemit të kalbur të drejtësisë sonë. Mohimi i së drejtës së pronësisë nga dita në ditë sjell probleme sociale tepër shqetësuese e me kosto të lartë për shoqërinë.
Mijëra ankesa pronësie flenë për vite me radhë në dosje të prokurorisë, ndërkohë pretendentët, pronarë legjitimë, enden e sorollaten për vite me radhë për një të drejtë që padrejtësisht u është mohuar. Mbivendosjet janë një plagë të cilën shoqëria jonë do ta mbajë barrë mbi shpinë për një kohë të gjatë. Shprehja më e qartë e korrupsionit në administratën shtetërore dhe në sistemin e drejtësisë, janë pronat që figurojnë të regjistruara në zyrat hipotekore me disa pronarë.
Ligji i xhunglës njeh të fortin pronar legal edhe pse pronarët legjitimë paraqesin dokumentet autentike, të firmosura e të vulosura në kohë të mëparshme nga vetë disponuesit apo paraardhësit e tyre në brezni. Tjetërsimi i pronës po kalon nëpër një gamë të gjerë poshtërsish të pafundme që kalojnë nëpër labirinte të errëta, në hallka të lidhura ngushtë më njëra-tjetrën, në një ajsberg korrupsioni. Me të drejtën e ligjshmërisë në pushtet, me detyrimin për të përmbushur zotimet para elektoratit që aq shumë i ka besuar, kjo mazhorancë pse tregohet e pavendosur? Është e pafuqishme, apo e përlyer e frikësohet se mos nga akuzuese kthehet në të akuzuar?
Letër e nënshkruar
Namik Gjoni, Berat
