007 gjermane përgjoi dhjetëra qeveri, Vatikanin dhe disa OJQ

Ornela

Shërbimet e inteligjencës gjermane (BND) kanë spiunuar sistematikisht qeveritë dhe ambasadat e dhjetëra vendeve të cilat, apriori, mendohet se janë qeveri aleate. Mes objektivave të 007-ës gjermane përfshihen Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania e Madhe dhe Spanja, ashtu si dhe Vatikani dhe disa OJQ, siç është raportuar nga gazeta gjermane “Der Spiegel”, e cila ka dhënë më shumë detaje në lidhje me zbulimet e spiunazhit të publikuara tre javë më parë.

BND ka spiunuar, sipas kësaj medie, Departamentin e Brendshëm të Shteteve të Bashkuara, Departamentin e Thesarit të Shteteve të Bashkuara ashtu si dhe Ministritë e Brendshme të vendeve si Poloni, Austri, Danimarkë dhe Kroacia, sipas të ashtuquajturës “lista e përzgjedhurve”.

Shërbimi i zbulimit gjerman ka hetuar edhe OJQ-të tilla si “Care International”, “Oxfam” dhe “Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, si dhe ambasada dhe konsullata të shumta në Gjermani, të Shteteve të Bashkuara, Francës, Britanisë së Madhe, Suedisë, Portugalisë Greqisë, Spanjës, Italisë dhe Austrisë.

Në këtë kuptim, misionet diplomatike ndërkombëtare nuk janë të mbrojtura nga neni 10 i Kushtetutës Gjermane, Ligji Bazë, që mbron pjesëmarrësit në telekomunikacionet gjermane nga akte të tilla. Kohë më parë u zbulua se BND ka spiunuar zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Francës dhe Presidencës.

Ndërsa në muajt e fundit “Spiegel Online” argumentoi se spiunazhi gjerman bëhej kryesisht në favor të homologëve amerikanë, Agjencisë së Sigurimit Kombëtar (NSA). Por zbulimet e reja evidentojnë se disa ambasada dhe qeveri të  “Shteteve të Europës dhe Aleatëve” janë spiunuar me iniciativën e vetë Gjermanisë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në muajin maj mbrojti këto veprime të BND-së dhe deklaroi se Agjencia Gjermane e Sigurimit duhet të vazhdojë të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht tensioneve të të fundit dhe zbulimit mbi ndihmën klandestine gjermane ndaj spiunazhit të Uashingtonit kundër aleatëve europianë. /DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *