Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar në parim projektligjin “Për miratimin e planit afatgjatë të zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025”.
Gjatë prezantimit në komision, Ministrja Kodheli tha se ky plan, përcakton rrugën që duhet të ndjekin Forcat e Armatosura Shqiptare në kuadër dhe të Aleancës në NATO. Sipas saj, ky dokument përcakton udhën që duhet të ndjekin Forcat e Armatosura në kuadër të rreziqeve rajonale, por dhe atyre të cilat vinë si rrjedhojë e Aleancës së vendit tonë në NATO.
Znj. Kodheli theksoi se ky dokument përcakton përdorimin e burimeve, mekanizmat zhvillimore për rritjen e Sigurisë Kombëtare, si dhe logjistikën e buxhetin me të cilin duhet operuar.
Gjithashtu, Ministrja e Mbrojtjes sqaroi pikat kryesore ku bazohet plani gati 10-vjeçar, i paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë.
“Është hera e parë që një plan i tillë vjen në Kuvend. Ligji vjen natyrshëm, pas miratimit të strategjive për Ushtrinë tokësore e detare”, tha Kodheli.
Ministrja shtoi se dokumenti ka një rëndësi thelbësore në përcaktimin e planifikimit strategjik të ushtrisë shqiptare.
“Dokumenti cakton prioritetet e FA, plani cakton një strategji të qartë të misionit të ushtrisë sonë lidhur me rreziqet që kanosin vendin dhe Aleancën”, nënvizoi Kodheli.
Në mbledhje pati edhe debate midis ministres dhe deputetëve të opozitës. Zonja Kodheli u shpreh se bëhet fjalë për radarët në det, të cilët mbikëqyrin anijet, ndërsa radarët në tokë janë diçka tjetër.
“Radarët e detit nuk duhet të ngatërrohen me radarët e tokës. Janë gjëra krejt të ndryshme. Radarët e detit nuk kanë të bëjnë me radarët e tokës. Radarët e detit shikojnë anijet, radarët e tokës shikojnë avionët. E thënë në fjalë të varfra”, deklaroi ajo.
Nënkryetari i komisionit, deputeti demokrat, Flamor Noka solli rastin e tenderit të përfolur së fundi në Ministrinë e Mbrojtjes.
“Dëgjova disa herë termin rrezik. Por nga ajo që po konstatojmë ne, Shqipëria ka vetëm një rrezik dhe ai është megakorrupsioni qeveritar i shtrirë në të gjithë sektorët, duke përfshirë dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Pse është rrezik? T’i japësh një tender një kioske që riparon celularët për të monitoruar hapësirën ajrore, pastaj i bie që t’i japësh visto me të dyja duart avionëve të drogës, të cilët kanë qarkulluar dhe patrulluar dy vjet hapësirën ajrore”, tha Noka.
Në të njëjtën linjë me të ishte dhe deputeti Asllan Dogjani, i cili u shpreh se përveç avionëve me drogë ka edhe gomone e skafe që transportojnë lëndë narkotike, të cilat nuk zbulohen nga radarët. “Gjatë këtij viti janë konstatuar në dy raste të dokumentuara, avionë që janë ngarkuar me drogë në territorin e Shqipërisë. Ne kemi të dhëna të shumta që nuk janë vetëm këta dy avionë që janë ngarkuar me drogë. Por janë shumë raste që janë ngarkuar. Plus kësaj, përmes detit nisen skafe në drejtim të Italisë po me drogë”, u shpreh Dogjani. Por Kodheli u shpreh sërish se kjo nuk është përgjegjësi e Ministrisë së Mbrojtjes. /Dita/

Flamur Noka e din shume mire se sa avjone kan fluturuar me droge. Edhe kete duan tja mohojne parlamentaret. Cfar ka bere Muli kur ishte minister i brenshem? Vetem me organizimin e fluturimeve te avjoneve te droges eshte marre, dhe nuk i dika ai se sa avjone kan fluturuar, me droge.