INTERVISTA / Ornela Vorpsi: Rama do ishte përkthyesi im më i mirë, por…

redaktor

Në fund të Tetorit, Ornela Vorpsi ishte në Tiranë për të marrë pjesë në Festivalin e Leximit, organizuar për herë të parë në kryeqytet. Kjo grua, e cila më shumë është e njohur jashtë vendit, se sa në vendlindje, erdhi për të lexuar copëza nga shkrimet e saj, por edhe për të rrëfyer momente nga jeta e cila ndahet në dy epoka, para dhe pas komunizmit.

Piktore, fotografe dhe shkrimtare njëkohësisht, me libra të botuar në Itali dhe në Francë, me ekspozita të hapura në Paris, Ornela Vorpsi nuk mban mëri, pavarësisht se ka thënë që Shqipëria e ka bërë të vuajë për shkak të persekutimit të familjes, gjatë viteve të komunizmit.

“Fëmijëria, një baba në burg për politikë, rritur me nënën vetëm, njerëzit që largoheshin nga frika e një familjeje me të dënuar politikë, e keni parasysh sesi shoqëria largohej nga këto situata dhe kjo ishte tej mase e vështirë”, ka rrëfyer ajo; por duke shtuar se pavarësisht kësaj e merr malli për bujarinë shqiptare. “Në Paris më mungojnë spontaniteti, krijimi i gjërave me shumë miqësi dhe shkëmbimi”. Ajo sqaron se letërsia e saj nuk ka të bëjë me tranzicionin, por me të kaluarën.

Ndërsa sa i përket librit “Vendi ku nuk vdiset kurrë”, i cili muaj më parë u fol se do të përkthehej prej kryeministrit Edi Rama, Vorpsi thotë: “ Ishte një dëshirë e Edit dhe e imja; varet nëse Edi do të ketë kohë, sepse ai është jashtë mase i zënë, dhe detyra e tij është e qartë; detyra e tij e parë është t’i shërbejë Shqipërisë, detyra e tij më e rëndësishme është t’u shërbejë shqiptarëve dhe nëse ai do ketë kohë për këtë libër unë do të isha shumë e lumtur”- duke lënë të kuptohet se hapat konkretë të përkthimit të librit varen nga koha e lirë e kryeministrit.

Sa i përket karakterit autobiografik në romanet e saj, Vorpsi tha: “Mundohem gjithmonë që në librat e mi të marr diçka nga realiteti dhe pastaj ta manipuloj. Për mua është një manipulim në sensin vizual; dritë, ngjyrë, kompozim, deformim, etj. Kam nevojë ta tregoj atë shoqëri siç e kam jetuar. Për mua Shqipëria ka qenë jashtë mase e zymtë dhe e tmerrshme dhe më duket se bukuria nuk mund ta shpëtonte. U rrita me një mama që thoshin se ishte tejet e bukur dhe shihja se bukuria e saj fizike krijonte xhelozi dhe smirë të llahtarshme”. Pavarësisht gjuhëve që përdor si mjet letrar, Vorpsi u shpreh se ndihet shqiptare. “Ndihem thellësisht shqiptare. E qartë që shqiptare ndihem. Por për të mbijetuar kam krijuar disa sisteme mbrojtëse”.

Kjo grua e bukur tiranase që ka 47 vite jetë mbi supe, por që nuk i tregon aspak, ka një finesë në të shprehur ashtu si edhe në portret. Në një intervistë për Dita-n ajo tregon në mënyrë koncize, pa shumë fjalë, jetën e një vajze, që la Tiranën në moshën 21-vjeçare për të kërkuar një jetë dhe një botë më të bukur jashtë. Ia doli. Sot është një artiste e cila lundron dhe punon mes tre zhanresh arti, pikturë, fotografi dhe shkrim. Ajo sot është nënë e një vajze 6-vjeçare. Bashkëshorti i saj është italian dhe e do shumë Shqipërinë.

Më poshtë një rrëfimi i Ornelës, për veten dhe botën përreth…

Zonja Vorpsi, çfarë shije ju lë Tirana sa herë që ktheheni?

– Më lë shijen e vendit tim, që i përkas këtij dheu. Po që jeta ime zhvillohet tutje tashmë. Kjo nuk do të thotë që nuk mund të ketë rrugë kthimi.

Vini re ndryshime në këtë qytet dhe si janë ato?

– Ndryshimet janë të shumta, dhe të shumëllojshme si çdo vend në një tranzicion të madh: Pozitive, negative, të pashmangshme. Fenomen mëse normal dhe njerëzor.

Këtë herë u kthyet për një ngjarje të veçantë që ka të bëjë me leximin, si u ndjetë?

– Shumë mirë dhe tejmase e kënaqur nga pritja. Jonila Godole dhe Klaudia Zerva kanë bërë një punë të shkëlqyer me këtë festival.

Jo të gjithë i dinë arsyen e largimit tuaj nga Shqipëria, diku jeni shprehur se ky vend ju ka bërë të vuajë, çfarë mendoni sot, do e falni ndonjë ditë këtë vend?

– Çdo gjë falur është. Nuk arrij të mbaj mëri. U largova në një moment të caktuar, gjë që ishte jetësore për mua, (shumë shqiptarë u larguan ndoshta për arsye ekonomike), por tani kam ndërtuar jetën time në vend tjetër dhe vazhdoj këtu ku jam.

Ornela Vorpsi
Ornela Vorpsi

E keni çuar ndonjëherë nëpër mend se si do të ishte jeta juaj po të kishit qëndruar duke jetuar dhe punuar në Shqipëri?

– Do të ishin spekulime mendore dhe pa vlerë po të mendoja më nëse… nëse po të kisha qenë këtu… nëse po të kisha qenë atje… po një gjë do doja të thoja: Do e kisha akoma shumë të vështirë të përballesha me mentalitetin e vendit tonë të dashur, shumë akoma të prapambetur me thashetheme, intriga, mburrje, xhelozira etj, gjëra që i dimë shumë mirë midis nesh.

Sa ke marr prej botës perëndimore, prej Milanos, Parisit? Janë këto qytetet pa të cilat ti nuk jeton dot?

– Kam marrë po aq sa mund të merret duke jetuar nga çdo eksperiencë. Aq sa mund të marrë një njeri, aq sa mund të merrja unë. A mund të jetoj unë pa Parisin? E qartë që po. Nuk jam e varur nga një qytet apo një shtet.

Ke punuar dhe je zhvilluar paralelisht me tre zhanre, pikturën, fotografinë dhe shkrimin, si shkojnë këto bashkë?

– Në këto vite jam “thjeshtësuar” disi, merrem vetëm me shkrimin dhe me pikturën. Po mundohem t’ju përgjigjem disi shkurt: Kam periudha që ja dedikoj shkrimit dhe kur mbaroj një libër i kthehem pikturës.

Ornela, pse shkruani në gjuhë të huaj?

– Kështu më vjen në mënyrë organike. Dhe kuti, (masa) im është sinqeriteti me veten.

Shkruani në gjuhë të huaj, po në cilën gjuhë dashuroni, ëndërroni…?

– Në të gjitha gjuhët që njoh. E rëndësishme është që të dashuroj dhe të ëndërroj.

Së fundmi emri juaj është lidhur edhe me atë të kryeministrit Rama. Ju keni thënë se ai po përkthen një libër tuajin. Si qëndron e vërteta dhe si u vutë në kontakt me të?

– Zoti Rama ka qenë profesori im i pikturës. Kështu që kontakti ekzistonte. Nuk besoj që ai të ketë kohë të merret me përkthimit e librit dhe pse dëshira është e madhe. Detyra e pasioni i tij më i madh është t’i shërbejë sa më mirë Shqipërisë.

Cilat janë marrëdhëniet e tuaja me të, e keni mik, e njihni si artist? Po tani që është bërë kryeministër, si e vlerësoni?

– Marrëdhëniet mia me të janë shumë të mira. E vlerësoj shumë si njeri dhe si artist. Po ashtu edhe si kryeministër.

Keni ju besim se Rama do të bëjë një punë të mirë me librin tuaj?

– Nëse Zoti Rama do të gjente kohë, ai do ishte përkthyesi më i mirë që mund të kisha.

Ornela, ju jeni një grua e bukur, por a ndihet ndonjëherë vetëm një grua e bukur si ju dhe si i kaloni këto momente?

– Po e lënë mënjanë këtë pjesën e gruas së bukur. Dimensioni i vetmisë i përket çdo njeriu. Për sa më përket, shpesh herë, vetmia është një shoqe e mirë.

Ornela Vorpsi was born in Tirana in 1968 and studied at the Academy of Fine Arts there. In 1991 she emigrated to Milan and in 1997 moved on to Paris where she works as a photographer, painter and video artist. Torino, maggio 2006. © Leonardo Cendamo
Ornela Vorpsi

Si është një ditë e juaja e zakonshme, është e ngadaltë apo dinamike?

– Të dyja këto procese bëjnë pjesë tek ditët e mia.

Ju jeni nënë e një vajze, çfarë keni mësuar nga mëmësia?

– Që fëmija vjen para meje. Është dialektika e jetës që prin përpara.

Kur shihni vajzën tuaj në këtë moshë, a mendoni dhe kujtoni veten në moshën e saj?

– Po, e pamundur të mos ta kujtoj herë pas here. Dhe mundohem t’i jap asaj çfarë më ka munguar.

A ka një kohë për gjithçka dhe si ta kuptojmë që jemi në kohën e duhur?

– Ndjehet ndoshta. Nuk kam mësime për të dhënë.

Vazhdon të mbetet një diskutim i hapur çështja se letërsia më e mirë është bërë në kohën e diktaturës. Ju ç’mendim kini?

– Do isha në mëdyshje po të pohoja diçka të tillë. Po e lë pa përgjigje për edhe vetë faktin që nuk e njoh ende letërsinë shqiptare të ditëve të sotshme.

Cili është shkrimtari që ju veçoni nga koha e realizmit socialist apo diktaturës?

– Nuk do kisha dëshirë të flisja për asnjë. Vështirë të nxjerr një figurë nga ajo kohë që i përket një fryme aq të rreme.

Sa optimiste ndiheni me talentet e rinj që janë shfaqur pas përmbysjes së diktaturës?

– Ka shumë artistë që më pëlqejnë. Adrian Paci, Ermonela Jaho, Tedi Papavrami etj. Pashë edhe një djalë që më pëlqeu në galerinë e arteve, Enkelejd Zajmi, Edit Pulaj.

Jetojmë në një shoqëri të hapur. A ndihet e rrezikuar letërsia shqipe në këto rrethana?

– Rreziku bën pjesë në procesin e jetës.

Ka patriarkalizëm në shoqërinë shqiptare?

– Ne bëjmë pjesë në një shoqëri patriarkale, jemi pjesë e Mesdheut.

Sipas jush Ornela, a ka përkatësi gjinore letërsia?

– Për mua si Ornela jo, por për plot shkrimtarë po.

Zonja Vorpsi, ju jeni motra e madhe e Laura Vorpsit, një prej zëdhënëseve të Partisë Demokratike, cilat janë raportet tuaja me të?

– Raportet me motrën time janë shumë të mira. Duhemi shumë.

Në librin e tij “Kurban”, kryeministri e përmend motrën tuaj si një rast që në PD flasin kundër tij vetëm me detyrim, dhe për këtë ajo i kishte kërkuar falje kur ishin takuar në një prej aeroporteve të Italisë. E keni diskutuar ndonjëherë këtë temë me shefin e qeverisë?

– Jo asnjëherë. Me Edin flasim për art.

Sipas jush, a ndikon pamja e jashtme e një femre për të ecur në karrierë?

– Ndoshta, për të bërë modelen.

Ju vetë, ju ka shkuar ndonjëherë mendja të merreni me politikë?

– Asnjëherë, se pasioni im për artin nuk më ka lënë të shoh tjetër gjë.

Cila është familja juaj sot dhe çfarë mendimi ka bashkëshorti juaj për Shqipërinë, i flet për vendlindjen tënd?

– Sigurisht ju me flisni për familje në sensin strikt të fjalës, atëherë po ju përgjigjem: Një bashkëshort italian dhe një vajzë gjysmë italiane – gjysmë shqiptare, e lindur në Paris. Po familja ime është edhe rruga e kërkimit e letërsisë, e pikturës, e pasionit për dije. Bashkëshorti im kthehet me dëshirë të madhe në Shqipëri, është një vend që i pëlqen shumë.

Keni ndonjë projekt në dorë momentalisht, qoftë në pikturë, fotografi apo letërsi?

– Jam në një projekt libri dhe në projekte pikture. Në punë.

ornela vorpsi
Ornela Vorpsi
Share This Article
10 Comments
  • Edi Rama te perktheje librin tend? Ke harruar gje shqipen qe nuk I shkruan dot ne shqip ato qe ke shkruar ne frengjisht? Paradokset nuk kane te mbaruar ketu tek ne. Me gjithe keto budalliqe qe shkruhen e fliten te bejne ti dalesh trenit para ose te kendosh dore per dore me Ilir Meten kengen: ore ore lule bore …jemi yllka shembullore…

  • O njerez…
    Kjo zonje e bukur, sidomos shpirterisht, rrefen se ka kohe qe di ç’eshte JETA.
    Ajo nuk nxiton te jap leksione, ajo thjesht u pergjigjet ca pyetjeve duke mos e fshehur veten.
    Pra nuk ben ate cfare kemi bere ne pothuaj tere jeten tone te atyshme. Ajo ndjehet mire, se eshte e hapur, me te gjithe.
    Ne kuptimin me te kendshem dhe me te thelle te fjales.
    Ju kot e keni qe permendni ne komente Edi Ramen kryeminister, edhe pse ajo ua plotesoi edhe ate deshire qe ju mundon kot se koti!
    Ornela, pavarsisht prej shqipes sone te bukur e te dashur -natyrisht edhe per te- dhe gjuheve te tjera, na kujton se eshte mire te behemi sa me shume njerez, NJEREZ…
    Nuk jemi ne faj cfare ndodhi me ne, ne padashjen e ne pafuqine tone. Por duhet te marrim me shume pergjegjesi qytetare, gjithnje njerezore per ate momentin qe vjen fill pasi kemi kuptuar se ne ate shoqerine e deridjeshme, ne mos edhe te sotme, jemi shtire aq shume.
    Po, kemi edhe Nder Kombetare, shume kemi, edhe shkrimtare te tille, por per shkak te asaj kohe…a nuk e vute re, nje zonje si kjo grua e Bukur, nuk kishte dot energji ta levdonte serish…
    Nuk fyen njeri, jo, duket shkoqur: ajo thjehst na kujton se jemi lindur njerez per te qene sa me te lire…
    faleminderit Orneles

  • Ornela rrjedh nga nje familje tiranase me tradita. E vertet qe kane vuajtur ne kohen e diktatures dhe kesaj cupes, bravo i qofte qe ja ka dal, te shkollohet e te krijoje familje ne perendim. Suksese!

  • kjo qe paska harruar dhe shqipen dhe tani flet vetem per art,ne itali punonte si kubiste/spoliareliste neper diskoteka…,e ka deklaruar dhe vete ne nje interviste ne mediaset,

  • Mos na e peshtirosni letersine me metressa publike.Ky kryeministri le tja firmose romanin kesaj,sevap do beje!Le ta sponsorizoje ne panair dhe fitimet prrallore te shkojne ne ndihme te prostitutave te riatdhesuara.

  • ME ATE HARIMIN E SHQIPES ME HAPI BARKUN PASI NJEHERE KUR E KEMI DEGJUAR NERMIN VLOREN QE KISHTE 50 VJET MERGIM NE TV PER 2 ORE RRESHT NUK THA ASNJE FJALE GABIM NGA SHQIPJA OSE TE HUAZUAR …!!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *