Albanologia, studiuesja, historiania dhe shkrimtarja e shquar italiane, Lucia Nadin është dekoruar sot me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Ajo e merr këtë çmim nga Presidenti i Republikës me motivacion: “Për kontributin e saj të jashtëzakonshëm shkencor dhe promovues në zbulimin e rrënjëve dhe lidhjeve evropiane të Shqipërisë gjatë kohës së Republikës së Venedikut, për veprimtarinë e saj të paçmuar akademike dhe pedagogjike në fushën e albanologjisë…”.
Në fjalën e tij, Nishani tha se shpreh mirënjohjen e pamat institucionale dhe qytetare një historianeje dhe albanologeje par excellence.
Duke vënë në dukje se zonja Nadin ka jetuar dhe punuar në vendin tonë gjatë viteve ’90-të, Presidenti theksoi se ajo ka luajtur rol të pazëvendësueshëm dhe punë metikuloze prej amvise të përkryer historie dhe qëmtuese plot durim e pasion, tipike për një albanologe të përkushtuar.
“Luçia Nadin ka meritën e saj të jashtëzakonshme dhe kontributin e pamohueshëm në të gjitha këto arritje shkencore, akademike, historike dhe letrare.
Ajo punoi, sakrifikoi, këmbënguli, hulumtoi, botoi dhe u përpoq pareshtur duke derdhur djersë e mund si e vetmja albanologe e gjallë e periudhës së Skënderbeut gjithmonë e karakterizuar nga shpirti i saj altruist, pas asnjë lloj përfitimi material, por vetëm e shtyrë nga interesi shkencor për të provuar me dokumente historike”, theksoi Nishani. /Dita/
