Gjendet i vdekur në banesën e tij Stefan Konomi, babai i Franc Konomit, të “fortit” bandës së Rrugës Bardhyl në Tiranë.
Ai është gjetur nga e shoqja, Kristina, e cila ka udhëtuar nga Greqia drejt Tiranës, pasi i shoqi nuk i përgjigjej në telefon.
Policia thotë se nuk ka të dhëna për një krim të mundshëm.
Sipas bluve, 79-vjeçari ka vdekur nga një infarkt.
Nga rrëzimi në tokë, ai ka përplasur kokën.
Por e shoqja, Kristina, thotë se dyshon se burrin ia kanë vrarë.
“Mua nuk më duket rastësi. Stefani ishte mirë me shëndet. Flisja me të shpesh në telefon. Ka drogaxhinj plot që të vrasin për pesë lekë. Kam frikë se janë futur për ta vjedhur dhe e kanë goditur duke e vrarë. Por edhe ato historitë e vjetra të Francit. Gjithçka mund të ketë ndodhur. Por nuk besoj se ka vdekur rastësisht,” tha ajo për Panoramën.
“E gjeta të gjakosur. Kokën e kishtë të çarë. Edhe abazhuri ishte me gjak. Kjo më bën të dyshoj se e kanë goditur me abazhur dhe ai ka vdekur”.
Sipas saj, Stefani jetonte vetëm, pasi nuk preferonte të largohej nga Tirana për në Greqi, ku ka fëmijët.
“Këtu ka kujtimet e djalit, ka një jetë të tërë dhe nuk lëvizte asnjëherë”.
Ajo thotë se i shoqi mbante veshur bluzën që i kishte dhuruar i biri, Franci, në vitin 2010, kur ishte kthyer nga Gjermania.
“Stefani e donte shumë atë bluzë. E vishte çdo ditë, nuk e ndante nga trupi. Sa e laja, e thaja, e vishte direkt. I thosha që po të vjetërohet kështu, por ai nuk dëgjonte. Donte ta mbante në trup”.
