Integrimi Evropian dhe Breshka e Zenonit

redaktor

Progres raportet mbi vendet, që aspirojnë anëtarësimin në BE u publikuan. Reagimet, që pasuan kishin optika të ndryshme këndvështrimi. Teksa media ishte në rendje se, kus0h do të gjente më shpejt vlerësimin e përvitshëm dhe kush do të publikonte sa më parë, qoftë edhe dy rreshta, një fjalë, apo një ide të këtij vlerësimi, është e vështirë të thuash se, opinioni publik ndante të njëjtin shqetësim. Kjo, pasi ky opinion ka kutin e tij vlerësues, ndaj çdo arritje apo mosarritje.

Gjithsesi, këndvështrimet analitike u pozicionuan sërish në dy kampe, kampi i vetëkënaqësisë dhe kampi i trishtimit agresiv. Tek-tuk vërehej ndonjë analizë, por e margjinalizuar tek numërimi i përdorimit të fjalës korrupsion. Vëmendje tërhiqnin edhe opinionet mbi nervozizmin, që shkakton spërdredhja e gjuhës së evropianëve. Pra, që s’flasin troç. Në gjuhën, që kupton Ballkani. Gjuhën e ashpërsisë, ku forca dhe goditja e saj duhet të jetë aq e thellë sa të tronditë në themel shtetin, institucionet, por edhe individin. Ndonëse real si vlerësim, në thelb konfirmon faktin se strukturat politike dhe shoqërore, janë të mbuluara me një tis të egër pandjeshmërie, dhe se evoluimi i shoqërisë në këtë pikë, has në një vetë-rezistencë impresionuese.

Ngadalësimi i Ballkanit 

Por, përtej vlerësimit të arritjeve apo të mos arritjeve, interpretimit të tyre nën optikën qeveritare apo opozitare, duke e gjykuar si progres apo regres, sfera e diskutimeve është kufizuar në një rrethrrotullim të brendshëm ndaj progres-raportit. Kornizë, që imponon një reflektim pak më të jashtëm ndaj procesit të zgjerimit. Fjala është për të kuptuar në tërësi çfarë po ndodh me integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE ? A po i qëndron Unioni premtimeve të tij, të bëra gjatë mbledhjes së kokave të shteteve dhe të qeverive në Samitin e Selanikut në vitin 2003, për integrim të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE ? A kemi ngadalësim të këtij procesi, që lidhet ekskluzivisht me një vullnet të deformuar evropian ?

Kanë kaluar 12 vjet nga premtimet e Selanikut, se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të jetë në BE dhe të 6 vendet kandidate janë ende shumë larg derës evropiane. Por, çfarë ka ndodhur ndërkohë ?

Së pari, procesi i aderimit, ndryshe nga çdo proces integrimi, që Unioni ka njohur deri më tani, ka pësuar transformime, duke ndërlikuar ndjeshëm rrugën e Ballkanit drejt BE-së. Një sërë mekanizmash rishtazi të krijuar, e kanë shndërruar rrugën e Ballkanit drejt Evropës, në një pistë vrapimi me pengesa. Kritere shtesë për vlerësim, procese asocim-stabilizimi, dimensione të domosdoshme rajonale, dimensione të domosdoshme fqinjësore, mekanizma monitorues, etapa të ndërmjetme, procese të hershëm shqyrtimi analitik, dialogë të niveleve të lartë me fokus special ndaj situatave bllokuese të brendshme dhe atyre fqinjësore, garanci shtesë dhe masa korrigjuese, klauzola të përgjithshme ekuilibrimi (mekanizëm që frenon vazhdimin e mëtejshëm të negociatave dhe hapjes së kapitujve), etj. Përqasje tërësisht e rinovuar, e ndryshme nga të gjithë fazat e tjera të anëtarësimit, që kanë njohur gjithë vendet anëtare të BE-së, përfshi edhe zgjerimet e fundit të vitit 2004 dhe 2007.

Së dyti, sjellja e BE-së ndaj bllokimeve të caktuara të vendeve kandidate të Ballkanit, nuk ka qenë aspak racionale dhe për më tepër e dëmshme. Bllokimi, që Greqia po i bën prej një dekade Maqedonisë, përtej problematikës dypalëshe, që ajo ekspozon mes dy vendeve, shfaq mungesën e fortë të vullnetit të BE-së, për të krijuar mekanizmin e duhur të zhbllokimit të kësaj situate. Dhe kostot e këtij bllokimi, janë tepër të larta, siç edhe situatat e fundit e vërtetuan se, vendi mund të krijojë lehtësisht rrëshqitje drejt destabilitetit, duke krijuar një efekt të padëshiruar edhe për vendet e tjera të rajonit. Kjo, më tepër se, sa një problem mes Greqisë dhe Maqedonisë, është një problem real i vetë Unionit, që nuk arrin dot jo vetëm t’iu imponohet me politikat e tij, vendeve anëtare, por shfaq edhe mungesë të plotë efikasiteti për të gjetur gjuhën e përbashkët mes anëtarëve të tij. E njëjta situatë shfaqet edhe ndaj Kosovës. Pesë vendet e tij anëtare që nuk e njohin, jo vetëm janë një barrierë e integrimit evropian të Kosovës, por tregues i dështimit të politikës së Unionit në gjetjen e gjuhës së përbashkët me bllokuesit brenda tij. Rasti tretë lidhet me Bosnjë-Hercegovinën dhe bllokimin e palogjikshëm që vetë Unioni po kryente prej vitesh, ndaj saj. Bllokim prej disa vitesh, që e konsideroi si jo arsye për bllokim, vetëm para pak kohësh. Por, në të gjithë rastet e mësipërm, barrierat e ngritura, shërbejnë si demotivim jo vetëm për elitat politike drejtuese dhe angazhimin e tyre në proceset reformuese të vendeve, por demotivojnë gjithashtu edhe vullnetet popullore dhe aspiratat e tyre për t’u bërë pjesë e Unionit.

Së treti, duke dalë nga korniza e angazhimeve dhe premtimeve të vitit 2003 në Selanik, në mënyrë të papritur, Unioni shpall bllokimin e zgjerimit. Me ardhjen e Junkerit në krye të ekzekutivit evropian, u deklarua se për pesë vitet në vijim, nuk do të ketë zgjerim. Por, që gjithsesi procesi i negociatave do të vazhdojë. Kjo klimë refuzuese ndaj integrimit, u shoqërua edhe me heqjen e postit të Komisionerit të Zgjerimit, duke krijuar një portofol me Komisionerin Hahn, që ka një fokus të gjerë mbi raportet e fqinjësisë. Paralelisht kemi dhe një zhvendosje të bllokut, që aspiron integrimin, duke krijuar mekanizma paralelë, me Konferencën e njohur të Berlinit. Shenja, që konfirmojnë jo vetëm arratisjen nga premtimet e Selanikut, por edhe ngadalësimin e theksuar të procesit të zgjerimit ndaj Ballkanit Perëndimor.

Progres-raportet, sigurisht që kanë vlerën e tyre dhe duhen analizuar me kujdes si sukseset, por edhe sfidat, që ato shfaqin. Por, klima që është krijuar në Union, larg premtimeve të Selanikut, me shpallje të bllokimit të zgjerimit, me krijimin e një sërë mekanizmash vlerësues, vëzhgues, monitorues, tërësisht të paimagjinuara në zgjerimet e tjera, me indiferencën e thellë, që shfaqet ndaj vendeve anëtare, që bllokojnë lehtësisht procesin e integrimit, shija që krijon progres raporti i radhës, të kujton paradokset e dikotomisë filozofike të Zenonit. Atje ku lëvizja e thjeshtë empirike nga pika A në pikën B është tërësisht e realizueshme, zëvendësohet me artin e iluzionit, pasi vrapuesi që dëshiron të përshkruajë distancën nga pika A, në pikën B e ka thuajse të pamundur këtë proces. Kjo pasi, për të shkuar nga pika A në pikën B, atij do t’i duhet fillimisht të përshkruajë gjysmën e distancës, që ndan pikën A nga pika B, pra të shkojë në pikën C. Por, që të shkojë tek pika C, atij do t’i duhet të përshkruajë fillimisht gjysmën e distancës, që ndan pikën A nga pika C’, dhe kjo deri në pafundësi, duke e shndërruar pikën finale B, në një proces iluzioni të paarritshëm. Dhe ky, është vrapuesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor për në BE.

Dhe që rruga e integrimit evropian të mos shndërrohet në një paradoks, apo në një art të sofistikuar iluzioni, është e nevojshme jo vetëm të konfirmohet qartësisht dhe pa ekuivok vullneti evropian për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, por është e nevojshme edhe një përqasje e ndryshuar ndaj procesit integrues, për ta lehtësuar, thjeshtëzuar dhe njehsuar atë në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor. Shembujt aspak frymëzues të politikës së bllokimit të zgjerimit janë aty, si tensionet e rishfaqura, si kërcënimet për stabilitet rajonal, por edhe influencat në rritje apo alternativat, që po i ofrohen gjerësisht Ballkanit në fushën politike, ekonomike dhe sidomos në fushën e sigurisë. Unioni ka nevojë të ripërtërijë vullnetin e tij ndaj integrimit të Ballkanit, siç ka nevojë edhe Ballkani, elitat e tij politike dhe popujt të motivohen nga një përqasje e rinovuar evropiane. /im.ta/ Dita/

Share This Article