Kriteret e 3750 bursave të aprovuara për nxënësit dhe studentët

redaktor

Përcaktohet plani i ri i ndarjes së bursave për studentët dhe nxënësit e arsimit parauniversitar. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave janë miratuar edhe kriteret që do të aplikohen për shpërndarjen e 1950 bursave të planifikuara për nxënësit, si dhe 1800 bursave të tjera që do të shkojnë për studentët e fakulteteve publike. Sa i takon universiteteve, në vendim saktësohet se me bursë do të mbështeten vetëm studentët që ndjekin studimet e nivelit të parë “Bachelor” me kohë të plotë, të cilët duhet të përmbushin kriteret mbi nivelin e të ardhurave dhe rezultateve të provimeve gjatë vitit studimor. Kështu mbeten të përjashtuar nga plani bursave kandidatët që ndjekin studimet e nivelit të dytë “Master”.

Kriteret për ndarjen e bursave

Katër janë kriteret e miratuara nga qeveria për ndarjen e bursave, ku përfshihen kriteri ekonomik, rezultatet e arritura gjatë ndjekjes së studimeve apo vitit mësimor, vijimi i mësimit në degët e cilësuar si parësore në zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe bursat që do të shkojnë për kategoritë e përcaktuara jashtë kriterit ekonomik. Konkretisht do të përfitojnë bursë duke u mbështetur në nivelin e të ardhurave: “Nxënësit që vazhdojnë studimet në largësinë mbi 5 km dhe studentët që vazhdojnë studimet në largësinë mbi 10 km nga vendbanimi i përhershëm i tyre, e që familjet e tyre kanë nivel të ulët të ardhurash. Do të përfitojnë në këtë kategori edhe nxënësit që banojnë në fshatrat ku nuk ka shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km. Bursa do të jepen edhe për secilin nga studentët bashkëshort me fëmijë që akomodohet në konvikte publike dhe plotësojnë kushtet e përcaktuara mbi nivelin e të ardhurave”. Sa i takon kriterit të rezultateve do të përfitojnë bursë të gjithë nxënësit e arsimit profesional që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10, nxënësit që vazhdojnë studimet në shkollat profesionale, në drejtimet mësimore: “Bujqësi, Veterinari, Pyje, Ndërtim, Peshkim, Gjeologji-Miniera dhe Shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, në vitet e treta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8”. Referuar kriterit të rezultateve do të trajtohen me bursë edhe studentët e regjistruar në vitin e parë të shkollës së lartë, që janë shpallur nga dikasteri i arsimit, si më të mirët e Maturës Shtetërore, sipas renditjes në listën e vlerësimit, të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Për më të mirët e maturës së vitit akademik 2015-2016 do të jepen në total 30 bursa, përfitimi i të cilave do të shkojë vetëm për studentët e publikut. Ndarja e kësaj burse do të jepet vetëm gjatë këtij viti studimor. Po ashtu do të trajtohen me bursë edhe studentët që ndjekin një program “Bachelor” të sistemit të ditës në degët Matematikë dhe Fizikë, në vitin e dytë e lart. Ndërkohë që këta kandidatë duhet të kenë mbaruar studimet e vitit akademik pararendës me notën mesatare mbi 8. Jashtë kriterit ekonomik do të përfitojnë bursë nxënës dhe studentë që kanë përfituar statusin e jetimit, ata që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë, nxënësit dhe studentët me statusin ligjor të invalidit para dhe tetraplegjik, ata që nuk shikojnë apo nuk dëgjojnë. Në këtë kriter përfshihen edhe: “Nxënës dhe studentë, fëmijë të personave që gëzojnë statusin e invalidit e përfitojnë pension invaliditeti dhe nuk kanë të ardhura të tjera, komuniteti rom dhe egjiptian që regjistrohen dhe ndjekin arsimin e mesëm profesional, nxënës dhe studentë që janë identifikuar dhe trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror, si dhe fëmijët e punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës”. Për këto kategori brenda datës 15 dhjetor, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Informativ Shtetëror, si dhe institucionet e përkujdesit social duhet të dërgojnë në MAS dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë listën e nxënësve dhe studentëve që përmbushin kushtet për të marrë bursën.

Kushtet për degët e cilësuar si parësore të zhvillimit ekonomik të vendit

Në sajë të këtij kriteri do të trajtohen me bursë nxënësit e shkollave profesionale që ndjekin drejtimet mësimore: “Bujqësi, Veterinari, Pyje, Ndërtim, Peshkim, Gjeologji-Miniera dhe Shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit”, nxënësit e shkollave profesionale, që ndjekin drejtimet mësimore profesionale, me vendbanim të përhershëm në zonat verilindore dhe juglindore të vendit në: “Dibër, Bulqizë, Mat, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet, Pogradec, Skrapar dhe Tepelenë”.

Afatet dhe kategoritë që përjashtohen nga plani i bursave

Nuk mund të përfitojnë bursë nxënësit dhe studentët që janë ndarë nga trungu familjar. Bursa nuk jepet as në rastet kur familjet e nxënësve dhe studentëve janë të përfshirë në veprimtari private, ata vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi. Në rast të mos marrjes së rezultateve kaluese gjatë vitit mësimor ose akademik mbetësit përjashtohen nga skema e mbështetjes me anë të bursave. Drejtoritë rajonale të arsimit, mbështetur në numrin e studentëve që ndjekin vitin e parë akademik 2015-2016, si dhe kërkesave zyrtare të njësive bazë të qeverisjes vendore duhet të hartojnë planin e shpërndarjes së bursave për përfituesit sipas kriterit ekonomik dhe atij joekonomik brenda datës 15 nëntor. Të njëjtat afate duhet të respektohen edhe nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për bursat e nxënësve të arsimit profesional. Këto lista duhet të depozitohen pranë njësive të qeverisjes vendore për miratim brenda këtij afati të përcaktuar. Njësitë bazë të qeverisjes vendore, bazuar në listat e marra, duke u dhënë përparësi nxënësve dhe studentëve nga shtresat në nevojë, miratojnë listën finale të përfituesve me bursë të plotë dhe gjysmë bursë. Prioritet kanë nxënëset vajza. Plani i miratimit të bursave nga pushteti vendor duhet të përfundojë deri në mbyllje të muajit dhjetor. Vendimi saktëson se drejtoritë e shkollave profesionale për nxënësit që regjistrohen dhe vazhdojnë studimet në vitin e parë në degët: “Bujqësi, Veterinari, Pyjore, Ndërtim, Peshkim, Gjeologji-Miniera dhe Shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit”, duhet të dërgojnë informacion Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe njësive bazë të qeverisjes vendore, për përfituesit brenda këtij muaji.

Ruajtja e bursës

Në vendimin e miratuar nga qeveria konfirmohet se nxënësit e shkollave profesionale, që ndjekin vitin e dytë në drejtimet mësimore: “Bujqësi, Veterinari, Pyje, Ndërtim, Peshkim, Gjeologji-Miniera dhe Shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit”, që kanë përfituar bursë në vitin e parë, 2014-2015, dhe nuk rezultojnë mbetës, përfitojnë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit. Kështu, njësitë bazë të qeverisjes vendore, brenda numrit të përgjithshëm të bursave të dhëna për vitin akademik 2015-2016, vendosin për dhënien e bursave sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale dhe konvikteve, në të cilat janë vendosur nxënësit, mbështetur në numrin e nxënësve të regjistruar në këto degë. Bursat e nxënësve për vitin e dytë e lart rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit, nga këshilli i bashkisë, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale apo konvikteve ku janë vendosur nxënësit, përfitues të bursës dhe kuotës ushqimore. Kërkesat për trajtim me bursë duhet të depozitohen në njësitë e qeverisjes vendore. “Nxënësit që kanë përfituar bursë vitin e parë, me vendim të këshillit të baskisë dhe komunës, ku ata kanë vendbanimin e përhershëm, dhe nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike e nuk rezultojnë mbetës, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit. Nxënësit e viteve të III-ta të shkollave të mesme “Nazmi Rushiti”, Dibër, dhe “Havzi Nela”, Kukës, të cilët transferojnë programet e nivelit të dytë në shkollat e mesme profesionale në Shkodër, pra nga njësitë vendore “Bashkia Peshkopi” dhe “Bashkia Kukës”, në njësinë vendore “Bashkia Shkodër”, transferojnë, njëkohësishtnë Bashkinë Shkodër, numrin e bursave që kanë përfituar nxënësit për vitin shkollor 2014-2015”, detajohet në vendimin e miratuar ditën e djeshme. Ndarja e bursave për arsimin profesional do jepet gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës profesionale. Në këtë rast bursa jepet në formën e kuotës ushqimore, nga njësia bazë e qeverisjes vendore, gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës mësimore.

Bursat për profilin “Termohidraulikë”

Nxënësve të klasës së 13-të, të shkollave profesionale, të drejtimit “Termohidraulikë” që nuk kanë përfituar bursë me vendim të këshillave të njësive të qeverisjes vendore, për periudhën e zhvillimit të praktikës profesionale, të miratuar për vitin akademik 2015-2016, u akordohet bursë nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, mbështetur në kërkesën e drejtorëve të shkollave profesionale.

Kalimi i bursës

Bursat e miratuara nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë u dërgohen zyrtarisht njësive bazë të qeverisjes vendore sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve, ku janë vendosur nxënësit që zhvillojnë praktikën profesionale. Nxënësit që përfitojnë bursë, kur nuk kanë mundësi akomodimi në konvikte dhe ofrimi të saj në formën e kuotës ushqimore, e përfitojnë bursën mujore në lekë, drejtpërdrejt në llogarinë bankare të nxënësit ose prindit. Drejtorët e shkollave profesionale e social-kulturore dërgojnë, zyrtarisht, çdo muaj, pranë njësive bazë të qeverisjes vendore, informacion për frekuentimin e shkollës dhe praktikës profesionale për nxënësit që përfitojnë bursë.

Bursat për shtresat në nevojë

Nga plani i bursave të miratuara për këtë vit akademik, Bashkisë së Tiranës i jepen deri në 15 bursa për studentët që pavarësisht nga kriteri i vendbanimit apo kritereve ekonomike kanë statusin ligjor të jetimit, të invalidit para dhe tetraplegjik, atyre që nuk shikojnë e dëgjojnë. Ndërsa bashkive Durrës, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Kamëz, Shkodër dhe Vlorë, të cilat në territorin e tyre kanë institucione publike të arsimit të lartë, për këtë kategori studentësh u jepen 5 bursa. Nxënësit dhe studentët që kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, si dhe nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe atyre që shikojnë përfitojnë falas veshmbathje libra dhe fletore sipas një plani të përcaktuar. Këta nxënës përjashtohen edhe nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme që ofrojnë shkollat. Ndërsa nxënësit me statusin jetim, që vazhdojnë shkollat e mesme ose institucionet publike të arsimit të lartë, trajtohen me pagesë suplementare edhe për periudhën e pushimeve verore, si dhe vetëm një vit kur humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese. Nxënësit e komunitetit rom dhe egjiptian, që vazhdojnë studimet në shkollat e mesme profesionale, përfitojnë, falas, veshmbathje, libra dhe fletore. Po ashtu edhe nxënësit dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, me nevoja të veçanta psiko-sociale pa konvikt trajtohen falas nga shteti me një kuotë ushqimore me vlerë deri në 150 lekë në ditë. Drejtuesit e fakulteteve dërgojnë zyrtarisht çdo muaj pranë njësive të financës frekuentimin e shkollës për studentët që përfitojnë bursë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *