Albion Avdijaj: Plotësova ëndrrën e babait që të luaj për Shqipërinë

redaktor

Dy ditë më parë, trajneri i Kombëtares së Kosovës shprehte mërzinë e tij për atë që ai e quante “rrëmbim nga vëllai më i madh”, përkatësisht nga Shqipëria, i lojtarëve më të mirë.

Një ndër këta lojtarë, që Bunjaku përmendi, ishte edhe sulmuesi i talentuar, Albion Avdiaj, pjesë e Vaduzit në kampionatin zviceran.

Pasi luajti dy ndeshje me Kosovën, ai zgjodhi përfundimisht të veshë fanellën e Kombëtares së Shqipërisë, duke u pajisur nga Presidenti Bujar Nishani me pasaportë shqiptare. Por kush është Albion Avdijaj?

Përse sulmuesi i talentuar zgjodhi të refuzojë Zvicrën dhe më pas Kosovën për Kombëtaren e Shqipërisë? Dhe cili është mesazhi që ai ka për trajnerin e Kombëtares së Kosovës? Për më shumë, lexoni intervistën që ai ka dhënë për “Opinion.al”.

Albion, cila është historia juaj dhe e familjes suaj. Si kanë qenë fillesat e nisjes së futbollit?

Prindërit e mi vijnë nga Gjakova. Ata kanë ardhur në Zvicër 26 vite më parë. Unë jetoj momentalisht me mamin dhe vëllain, i cili është më i madh se unë. Babai më ka vdekur. Ne, familjarisht, jemi marrë me futboll. Babai im, Qaush Avdijaj, ka luajtur për të rinjtë e Gjakovës. Më pas erdhi në Zvicër, ku vazhdoi të luajë futboll në një klub këtu në Zyrih. Babai im është marrë shumë me mua dhe vëllain tim, Drenin, i cili, po ashtu, ka luajtur futboll. Ai na ka ndjekur në çdo aktivitet. Babai im i ndjerë ka qenë edhe menaxher i FC Kosovës, këtu në Zyrih. Unë jam rritur në stadiumin e Zurihut, por nuk kam harruar prej nga kanë ardhur prindërit dhe dajat e mi, të cilët kanë kontribuar në karrierën time.

Si po shkon karriera juaj në klubin aktual ku aktivizoheni?

Aktualisht po luaj në Vaduz dhe po më shkon jashtëzakonisht mire. Këtu janë shumë të kënaqur me mua, po kështu edhe unë me ta.

Si dhe kur ka qenë kontakti i parë me Federatën Shqiptare të Futbollit?

Kontaktet e para me Federatën Shqiptare të Futbollit kanë qenë para një viti përmes menaxherit tim, i cili është kontaktuar nga ish-trajneri i Shpresave, Skënder Gega. Me kënaqësi pranova ftesën e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Ju keni qenë pjesë e ekipeve zinxhir të Zvicrës, U-17, U-18, U-19. Përse e latë Zvicrën, kur mund të kishit një karrierë shumë më të mirë futbollistike aty?

Po, është e vërtetë. Unë kam luajtur për U-17, U-18 dhe U-19 të Zvicrës. Pastaj, jam huazuar në vitin 2013 te U-19 e Wolfsburgut në Gjermani, që edhe me meritën time arriti të bëhet kampion i Gjermanisë në U-19. Atje, për një sezon shënova 17 gola. Dëshira e prindërve të mi ka qenë që një ditë të luaj për shqiptarët, sepse atë ndjesi që të jep populli yt, s’ta jep asnjë popull. Babai im, ndjesë pastë, e ka pasur ëndërr që unë të luaj për Shqipërinë.

A mendoni se keni bërë tradhti, duke lënë Kombëtaren e Kosovës, me të cilën keni luajtur dy ndeshje…?

Jo, nuk mendoj kështu. Ne jemi shqiptarë dhe jemi një. Më besoni, kur ju them se fanella kuqezi më rrëqeth trupin. Nuk e di pse.

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaku, është shprehur i mërzitur që ju keni shkuar te Shqipëria. Madje ka thënë që Shqipëria po na merr lojtarët më të mirë, duke përmendur edhe emrin tuaj. Çfarë do t’i thoshit Bunjakut në këtë rast?

Unë i dëshiroj Albert Bunjakut suksese dhe shokëve të mi aty iu uroj të ardhme të ndritur.

A ka nevojë Shqipëria dhe Kosova për dy kombëtare?

Nuk jam unë ai që duhet të gjykoj për këtë. Unë di që jemi veç një komb!

Cila është ëndrra juaj më e madhe në karrierën si futbollist?

Ëndrra ime dhe e të ndjerit, babait tim, ka qenë të luaj për Kombëtaren shqiptare. Dëshira dhe ëndrra ime më e madhe është të luaj në një ekip si Bajerni i Mynihut.

Share This Article
2 Comments
  • nje ekip futobolli ;;; vetem keshtu do e bjeme pak vend ne europe ;;;perndryshe kurre nuk do te kualifikohemi ne kupat e botes ose te europes ;;;;; ne jemi nje pupull i Vogel dhe ndarja do te na bente shume keq ;;per cdo gje ;;; federat e shqiperise dhe kosoves duhet te bejne nje kampionat te vetem me ekipe shqiptare keshtu do te dalim me te forte ;;;ndersa traineri i kosoves ;;eshe egois gjeloz per te gjithe shqiptaret ;;;; sepse nuk eshte shqiperia qe u kualifikua per ne France ;;; jane te gjithe shqiptaret mbare botes qe jane kulifikuar ;;;kete gje se kupton traineri i kosoves ;;;; belgjika flet 2 gjuhe ne belgjike dhe ka nje ekip te futbollit ;;;; ne flasin te gjithe shqipe dhe nuk jemi 50 milione popullacion

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *