Një polic rrugor në Kaliforni ndaloi një makinë, për shkak se po ecte shumë ngadalë; me vetëm 38 kilometra në orë. Ishte një zonë me një shpejtësi minimale prej 56 kilometrash në orë, dhe makina kishte shkaktuar bllokimin e makinave pas saj.
Çështja është se makina nuk kishte shofer. Asnjë magji, asnjë inteligjencë jashtëtokësore. Teksa polici i afrohej, kuptoi se bëhej fjalë për një makinë të vetëkontrollueshme të Google-it.
Megjithatë makina kishte një pasagjer brenda saj, i cili u mor në pyetje nga polici se përse shpejtësia e saj ishte kaq e vogël. Ai i përmendi pasagjerit ligjin e shpejtësisë minimale.
Ndërkohë Google e ka ‘shfajësuar’ makinën e vet, përmes një artikulli në Google Plus ku shpjegon se makinat janë programuar në shpejtësi të ulëta, për shkaqe të sigurisë.
‘Duam që ato të krijojnë një ndjenjë besimi, e jo të ecin vërdallë me shpejtësi të madhe’, shkruan Google.
Megjithatë, në fund oficeri i policisë e la makinën të lirë, duke shpallur se ajo nuk kishte thyer asnjë ligj.
