Terrorizmi, pse është shënjestruar Franca ?

redaktor

Franca u godit sërish. Deri më tani flitet për qindra të vrarë dhe të plagosur. Presidenti i vendit Fransua Holond ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke rikthyer edhe kontrollin kufitar. Edhe Belgjika, fqinje e saj, në të njëjtën linjë akordimi me Francën, njoftoi vendosjen e kontrollit kufitar, duke rritur gjithashtu masat e sigurisë. Vetëm brenda këtij viti, Franca ka njohur katër sulme të rënda terroriste. Por, çfarë u konstatua nga sulmet e fundit dhe përse Franca është shndërruar në shënjestrën kryesore të sulmeve terroriste në Union ?

Në fakt nëse vëzhgojmë të katër aktet e kryera brenda këtij viti ka elementë, që tregojnë një zhvendosje të fokusit, ndaj përzgjedhjes së kategorive të shënjestruara.

Në atentatin e parë, që hapi fatkeqësisht këtë vit, objektivi kryesor ishte media dhe gazetarët e punësuar në këtë media, motivacioni i kryerjes së aktit ishte “blasfemia”, ndërsa mënyra e përzgjedhur për të kryer aktin, sigurisht që hynte në fushën e terrorit dhe përhapjes së panikut. Edhe sulmi i zhvilluar paralelisht në supermarketin Hiper Kashe, ishte gjithashtu me një objektiv të qartë në përzgjedhje, komunitetin çifut.

Atentati i dytë, në uzinën e Izerit, lidhej me një rast të izoluar të një individi, me objektiv hakmarrjen ndaj shoqërisë dhe mënyra e përzgjedhur ( gjymtimit të trupit- tentativat për hedhje të objekteve në erë) ishte për të shfaqur barbarinë, elementë që dëshmojnë linjat e qarta të së njëjtës tendencë terroriste.

Por, tek atentati i tretë i ngelur në tentativë, në linjën e Tajlis, Paris-Amsteradam, si edhe në sulmet e shumëfishta të ndodhura mbrëmjen e djeshme, kemi një zgjerim të fokusit ndaj objektivit të përzgjedhur. Të dy atentatet e fundit tregojnë se, tashmë nuk kemi të bëjmë më me një publik të përzgjedhur, por me një goditje pa selektim, pra goditje në masë. Vendet e sulmuara mbartin gjithashtu të njëjtin karakter, stadiumi, salla e koncertit dhe një klub (ndoshta edhe dy apo tre, nëse klubet e tjerë, nuk do të kishin mbyllur grilat për vetëmbrojtje). Pra, ambiente publike me popullatë të përzierë. Çka tregon se, fenomeni ka marrë një përmasë delikate, objektivi është zgjeruar dhe se niveli i lartë i alarmit si edhe gjendja e jashtëzakonshme e shpallur, shkojnë në proporcion të drejtë me rritjen e lartë të rrezikut.

Përtej këtyre elementëve që konstatohen, ka edhe një pyetje që lind: përse Franca po shndërrohet në një objektiv të përsëritur sulmesh terroriste ?

Janë një sërë argumentesh, që krijojnë linjat e një profili shtetëror, me komponentë të rëndësishëm shoqërorë, që mund të shpjegojnë deri diku, se pse Franca është shndërruar në shënjestrën e sulmeve të vazhdueshme terroriste.

Së pari, nuk duhet harruar se, Franca ka njohur një sërë atentatesh terroriste, që prej viteve ’90. Atentate, që lidhen me pozicionimet e saj të forta diplomatike në fushën e marrëdhënieve të jashtme, konkretisht me qëndrimet e forta pro qeverisë algjeriane, dhe kundër grupeve islamiste, përgjatë Luftës Civile, të zhvilluar në Algjeri. Këto grupe kanë gjetur zhvillimin e tyre në territorin francez prej dekadash.

Franca, në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare strategjike, mban një angazhim të një niveli të lartë, si në Irak, Libi, apo në Mali, etj. Çka është një arsye më tepër, që e çon drejt ekspozimit me këto lloj fenomenesh. Nuk duhet harruar se, në këtë fushë dhe pikërisht për hir të këtij angazhimi shtetëror, edhe vende të tjera janë përballur sistematikisht me sulme terroriste, si SHBA, apo Britani e Madhe. Nga ana tjetër, Franca ka një angazhim të lartë edhe në koalicionin kundër shtetit islamik, çka përbën një arsye më shumë; për t’u vënë në fokus nga elementë të caktuar radikalistë, ekstremistë. Këtë ekspozim e njohin edhe vende të tjera, si Indonezia, Kuvajti, apo Jemeni.

Së dyti, argumentet shkojnë drejt mënyrës së brendshme të funksionimit të shoqërisë franceze, elementë që lidhen kryesisht me problematikat në fushën e integrimit, klimës së duhur për përjashtimin e diskriminimit, papunësinë e lartë në mjediset që prekin këto kategori, vështirësitë sociale, familjare dhe ekonomike, që ato hasin, etj. Ngushtësimi i hapësirës për gjithëpërfshirje dhe integrim krijon problematika, që shndërrohen gradualisht në hakmarrje personale, ndaj një shoqërie, që nuk i integron minoritetet e saj. Kur këto elementë ndërthuren me një sistem krejtësisht të ndryshëm vlerash radikale fetare, që jo vetëm justifikojnë këto akte, por edhe i glorifikojnë ato, këtu fenomeni bëhet tërësisht i ndërlikuar dhe kompleks. Edhe sistemet e burgjeve, janë një mjedis ku fuqizohet dhe strukturohet radikalizmi i mëtejshëm.

Terrorizmi nuk është një element i ri për Francën. Roli dhe angazhimi i saj në arenën ndërkombëtare, e bën të pashmangshëm përballjen me këto akte. Së fundmi, Franca ka miratuar edhe një sërë ligjesh, që në thelb bien ndesh apo cenojnë liritë themelore, si përgjimi në masë i komunikimeve elektronike, duke anashkaluar autoritetet juridike, si edhe zgjerimi i listës së të dyshuarve për terrorizëm. Gjithsesi, ndonëse mund të kenë një konotacion, që cenon disa të drejta themelore, ato po rezultojnë sërish se nuk mund të kenë efikasitetin, që pritet. Kjo për arsye se, trajtimi në masë i këtyre të dhënave, pa përzgjedhje paraprake kërkon jo vetëm kohë fizike, por edhe staf të zgjeruar për trajtimin e tyre. Nga ana tjetër, të gjithë të inkriminuarit në këto akte kanë qenë të skeduar, dhe sërish këto akte nuk kanë mundur dot të parandalohen, çka ekspozon sërish autoritet shtetërore në sfida të rëndësishme për rikonceptime, apo riformulime të ndryshme strategjish në përballje me këtë fenomen./im.ta/

Share This Article