Kotësi… (Baladë për Botën)

redaktor

Toka në ajër vërtitet,
fiksuar në trajektore,
as nuk bie-as nuk ngjitet,
po bën vetëm dy rrethore.

Toka në ajër vërtitet,
s’ka themele-s’ka çati,
as nuk bie-as nuk ngjitet,
fiksuar tek Dielli rri.

Ku nis rrugën-aty kthehet,
pikat fiks në mes të qiellit,
aty ndrin e aty zbehet,
sipas humorit të Diellit.

Me një të shkurtër kalem,
fati i Tokës u shkrua,
ajo ngrin-ose shpërthen,
në çast Dielli po u shua!

Miliona mund të shkojnë,
ose miliarda vite,
po njerëzit dot s’i shpëtojnë,
asnjëherë asaj dite!

Toka ende s’ka marrë ters,
njëlloj ecën në çdo vit,
po në këtë Univers,
s’është e largët asnjë ditë.

Njerëzit si toka vërtiten,
në shekujt e jetës sonë,
që në Kohë llogariten,
nga sekonda-një fraksion!

S’e kuptoj njerinë e shkretë,
pse më bën kaq karshillëk,
gjersa vërtitet në jetë,
nga boshllëku në boshllëk!

Tokën dot nuk e mbështesim,
themele për të nuk kemi,
ndaj sa lindim gjer sa vdesim,
në ajër si Toka jemi.

Njeri-që këtu jeton,
siç linde në ajër mbete,
sa çudi që s’e kupton,
kotësinë e kësaj jete!

Në gjithë shekujt që kanë shkuar,
si guri je bërë i gurtë,
te kjo Botë e ngatërruar,
ku asgjë s’është e sigurtë!

Gozhdë në kokë më është ngulur,
ajo që s’na thanë të parët,
se duhet të rrinë kokëulur,
këtu dhe më guximtarët!

Që kur linde-o njeri,
fati yt u zu në leqe,
në boshllëk e kotësi,
s’ke pse bën asnjë të keqe!

Dhe pa qenë akademik,
çdo njeri mund ta kuptojë,
një çast Dielli po u fik,
s’do mbesë kush të na kujtojë!

Gjer në kockë më lodhi Bota,
pisllëku dhe kotësia,
pa dyshim që janë të kota,
dhe vargëzimet e mia.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *