Rriten tarifat që duhet të paguhen për ridhënien e provimeve të shtetit

anazapta

Pëson rritje tarifa që duhet të paguajnë të diplomuarit në fusha të ndryshme të mjekësisë apo mësuesisë për të marrë licencën profesionale pas dhënies së provimit të shtetit. Sezoni i radhës është parashikuar të zhvillohet gjatë muajit maj. Kandidatët që do t’i nënshtrohen këtij testimi për herë të dytë do të duhet të paguajnë 12 500 lekë, me 2 500 lekë më shumë nga kostoja e derdhur gjatë sezonit të zhvilluar në muajin nëntor.

Ndërsa kandidatët që kanë dështuar në marrjen e rezultateve kaluese gjatë zhvillimit të  këtyre provimeve në dy sezonet e shkuara, për t’i ridhënë këto provime duhet të paguajnë edhe më shumë, përkatësisht 15 000 lekë. Drejtuesit e urdhrave profesionalë të shëndetësisë, si dhe ata të mësuesisë u kërkojnë të diplomuarve që duan t’i japin sërish provimet e shtetit gjatë sezonit të muajit maj, duhet të paraqiten për të bërë regjistrimet përkatëse në mënyrë që të mos mbetën jashtë listës zyrtare që i dërgohen AKP-së ku dhe zhvillohen provimet.

Provimet e shtetit të zhvilluara në  dy sezonet e para kanë dëshmuar për rezultatet të dobëta në radhët e farmacistëve dhe infermierëve, ku një pjesë e konsiderueshme e pjesëmarrësve dështuan në marrjen e licencës, pasi nuk morën dot as pikët minimale që të klasifikoheshin kalues.

Studentët e diplomuar në universitetet private manifestuan më së shumti rezultatet e dobëta të arritura në këtë provim. Sipas rregullores së aprovuar, kandidatët që pas tentativave të dhënies së provimit rezultojnë sërish mbetës, ata e humbasin të drejtën për të ushtruar profesionin në të cilin janë diplomuar.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *