Janë identifikuar të paktën tre nga autorët e sulmeve të përgjakshme në Paris. Ata janë Salah Abdeslam, Ibrahim Abdeslam e Bilal Hadfi. Autoritetet franceze mendojnë se “truri” i vërtetë i sulmeve është Abdelhamid Abaaoud, i cili ka drejtuar një celulë terroriste, e quajtur “Skuadra e Vdekjes”.
Duket se lista e personave të përfshirë është e gjatë, pasi dyshohet se në këtë celulë janë përfshirë edhe francezo-algjeriani Mehdi Nemmouche, autor i sulmit në muzeun e Brukselit si dhe Amedy Coulibaly, një nga autorët e sulmit terrorist të pak muajve më parë në Paris.
I përfshirë në këtë grup ka qenë edhe Ayoub El Khazzani, që tentoi të kryej një masakër në trenin e linjës Amsterdam-Paris.
Grupimi terrorist është drejtuar dhe financuar nga 28-vjeçari Abdelhamid Abaaoud, i cili konsiderohet si një nga anëtarët më të përgjakshëm të Shtetit Islamik.
Në fillim të vitit 2015, shërbimet inteligjente në Francë, të cilët e kishin nën vëzhgim, i humbën gjurmët e tij. Gjurmët e tij u zhdukën ndërsa ishte në Greqi dhe tani nuk ka asnjë informacion për të. /Dita/
