Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t ka zhvilluar një takim pune me drejtorët rajonalë për mbarëvajtjen e procesit të legalizimit në këto dy vite si dhe për problemet me të cilët ata janë përballur.
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni dhe kreu i ALUIZN-t, Artan Lame, kërkuan nga drejtorët rajonal angazhimin maksimal për legalizimin e objekteve në proces.
Gjatë konferencës, u bë me dije se janë legalizuar 35 mijë objekte pa leje.
Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-it, Artan Lame tha se ndryshimet ligjore që janë bërë në këto dy vjet i kanë hapur udhë legalizimit të shumë objekteve që kishin mbetur pezull. Ai kërkoi angazhimin edhe të pushtetit vendor për tu bërë pjesë e procesit të legalizimeve.
“Deri më sot bashkëpunimi mes këtij institucioni dhe pushtetit vendor nuk ka ekzistuar ndonjëherë. Në këtë proces kaq të rëndësishëm ne do të kërkonim bashkëpunimin e vendorëve për t’u përfshirë në këtë proces”, tha Lame.
Kreu i Legalizimeve bëri të ditur se drejtoria e ALUIZNI-it ka zhvilluar takime bashkëpunimi dhe me homologët në rajon, ku ndërtimet pa leje janë shqetësuese. Nga të dhënat rezulton se i gjithë rajoni ka afro 1 milionë ndërtime pa leje. /Dita/
