Ekspozita e veçantë / Artistja që sindromin Down e kthen në vepër arti

redaktor

Soela Zani është njeriu më i përfolur këto ditë në Tiranë për shkak të një ekspozitë të veçantë dhe të paparë ndonjëherë në kryeqytet. Ajo ka bërë që 14 fëmijë me sindromën Down të pozojnë për të duke imituar një vepër arti shqiptare apo botërore.

Ajo që ka bërë Zani, është se i sjell këtë fëmijë në një ambient plot dritë, i sjell ata me ngjyra, ashtu siç jeta e tyre ndoshta nuk është gjithmonë. Në këtë bisedë për Dita-n, Soela tregon rrugën dhe çka ka mësuar nga kjo përvojë.

-Soela, është surprizë ardhja jote në një ekspozitë të kësaj natyre…

U bënë shumë vite që punoj në fushën e fotografisë dhe kishte ardhur pikërisht momenti për t’u shfaqur me një projekt të mirëfilltë artistik personal. Ishin pjekur të gjitha kushtet. Fati më kishte njohur dhe me Emanuela Zaimin, themeluesen e Fondacionit Down Syndrome Albania, e cila e bëri të mundur realizimin e këtij projekti.

Nuk mjafton vetëm t’i kesh idetë e qarta, por edhe t’i realizosh ato. Ndërkohë që nëse nuk e ke idenë, nuk mund të realizosh asnjë gjë. Unë kam mbaruar Akademinë e Arteve, Fakulteti i Artit Skenik, dega Skenografi Kostumografi Teatri nën drejtimin e profesorit tim Agim Zajmi. Sigurisht që shkollimi është një bazë e mirë mbi të cilën mund të ngrihen projekte artistike në të ardhmen.

-Në fakt, në fotot tuaja nuk mungojnë fëmijët. Ju keni eksperiencë me ta, por pse zgjodhe këta fëmijë për këtë ekspozitë?

Është e vërtetë, eksperienca nga puna e përditshme në studio me fëmijët, më ka bërë t’i njoh nga afër ata, të parashikoj lëvizjet dhe sjelljet e tyre përpara se ata t’i kryejnë. Kisha shumë dëshirë t’i ndërthurja këto të dyja, pra gjithë atë çfarë unë dija nga koha e studimeve të mia dhe fëmijët të cilët janë baza e punës time të përditshme. U kisha një borxh të madh artistëve botërorë mbi veprat e të cilëve jam bazuar pasi unë kam mësuar shumë dhe duke kopjuar punët e tyre. Ndaj kishte ardhur koha t’jua ktheja këtë me gjithë mirënjohjen time. Por duhet të ishte një projekt i veçantë…

-Kur ke njohur për herë të parë një person me sindromën Down?

Kur unë jam njohur për herë të parë me një person me sindromën Down, ka qenë viti 1987-1988. Ai kishte komunikim të pakët dhe ishte shumë i acaruar, si pasojë e izolimit të tij prej familjarëve, shoqërisë por dhe mospërftimit të asnjë lloj terapie aftësimi për sjelljen dhe komunikimin. Në atë kohë këto gjëra ishin tabu. Madje më kujtohet se si edhe vetë familjarët e tij ndiheshin të turpëruar prej prezencës së tij. Po ashtu edhe shoqëria i bënte fajtorë dhe i tregonte me gisht prindërit e tij.

-I ke sjellë shumë bukur këta fëmijë në ekspozitë, gjithë ngjyra… kështu është jeta e tyre, apo ti dëshiron t’i shohësh kështu?

Në fakt ka një shpjegim edhe kjo, para disa kohësh, kur nisa të interesohesha për fotografinë, rastisa në disa autorë të cilët i shfaqnin këta persona me shumë dramacitet, shumë bardhë e zi … deri diku te bënin që të të vinte keq. E ndikuar thellë nga ky lloj emocioni, para disa vitesh u nisa drejt një qendre shtetërore ditore për persona me aftësi të kufizuara apo më bukur thënë, me nevoja të veçanta. Dera e atij institucioni nuk mu hap pasi nuk kisha lejen e posaçme. Sot mendoj se kanë bërë shumë mirë që nuk më kanë lejuar, pasi në atë kohë do të shprehesha ndryshe me objektivin tim, ndoshta dhe unë do të sillja dramë me shkrepjet e mia. Unë nuk i njihja ata, kështu që do të bëja një ri-interpretim të gjithë asaj çfarë unë perceptoja për ta. Njohja me Emanuelën dhe djalin e saj, Arbin, bëri që unë t’i shihja ndryshe gjërat por dhe individët me nevoja të veçanta. Ema më tregoi se një person me sindromën Down është i komunikueshëm, ka dëshira, ndjenja dhe pasione njësoj si ne. Këtë e vërtetova pasi punova me disa prej fëmijëve me sindromën Down të Fondacionit Down Syndrome Albania, përfshirë Arbin, për të realizuar kartolinat e fundvitit 2013 të këtij fondacioni që shiten për mbledhje fondesh.

-Mendoj se të është dashur kohë deri në plotësimin e kësaj tabloje me të gjitha këto foto. A ka qenë e vështirë për ty të punosh me këta fëmijë?

Të punosh me fëmijët me sindromën Down, është po njësoj si të punosh me fëmijët pa këtë sindromë. Të dyja palët janë njësoj të paparashikueshëm, dhe njëkohësisht njësoj të manipulueshëm. Vendosja e këtyre 14 individëve me sindromën Down nën objektivin e aparatit tim, nëpërmjet këtij projekti, bëri të realizoj ekspozitën time të parë dhe sigurisht që ka një rëndësi të veçantë. Shkurt, dua t’ju them se këta persona janë shumë të bukur. Shihini ata siç shihni veprat e artit. Në këtë ekspozitë, ata kanë zëvendësuar personazhet më të njohura të historisë së artit, shqiptar dhe botëror, denjësisht. Me anë të kësaj ekspozite, unë e thashë fjalën time… i mbetet, ndoshta shoqërisë, të bëj akoma më shumë.

 

P.S. Një shënim rreth kësaj ekspozite mund ta lexoni KETU

cvcbbb

dcvcbv dfdgggh dfdgj gfhg sssssssssssss zccccccc

Share This Article
2 Comments
  • Mendoj se Soela ka bere nje mbrekulli ! Keta femije jane njerezit me te sinqert ne bot !Atyre ne duhet tu falim perkrahje,miresjellje, kujdes , perkushtim ne menyre te pa kursyer sepse keta femije te kthejn dashurine dhe sinqeriteti ne menyre te pa kufishme . Brava Soela !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *