Rënia e vazhdueshme e importeve duket një tregues i dobësimit të kërkesës së brendshme në vend dhe e hezitimit të konsumatorëve për të shpenzuar
Instituti i Statistikave ka raportuar dje për një ulje të ndjeshme të importit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kështu sipas INSTAT për muajin shkurt, importet ranë me 11% krahasuar me shkurtin e vitit 2012. Në total për dy muajt e parë të vitit, importet kishin vlerën e 67 miliardë lekëve, me një rënie prej afro 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia e vazhdueshme e importeve duket një tregues i dobësimit të kërkesës së brendshme në vend dhe e hezitimit të konsumatorëve për të shpenzuar. Rënia e konsumit është ndër simptomat kryesore të ndikimit të krizës në ekonomi. Megjithatë, efekti pozitiv i rënies së importeve është përmirësimi i ndjeshëm i bilancit tregtar të vendit. Deficit tregtar për dy muajt e parë të vitit kishte vlerën e 33.2 miliardë lekëve, me një rënie prej 27.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shkalla e mbulimit të importeve nga eksportet gjatë këtij viti ka arritur në nivelet më të larta historike. Mesatarisht për dy muajt e parë të vitit, mbulimi i importeve nga eksportet ishte në masën 50.6%. Kjo nënkupton një raport të eksporteve me importet afërsisht një me dy, ndërkohë që deri para tre vjetësh raporti ishte një me katër. I vetmi tregues pozitiv si nxitje e vetme e ekonomisë shqiptare mbeten eksportet. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave se edhe gjatë muajit shkurt eksportet u rritën 4.4% me bazë vjetore dhe prekën vlerën e 15.9 miliardë lekëve. Në total, për dy muajt e parë të vitit, u eksportuan mallra në vlerën e 34 miliardë lekëve, me një rritje 18.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në krahasimin me muaj paraardhës për disa nga grup mallrat tregon që eksporti i grupit “Produkte kimike dhe plastike” u rrit 26 përqind, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit 19.6 përqind”, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 13.7 përqind, etj. Eksporti i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u ul 31.9 përqind, etj. Importi i grupit “Produkte kimike dhe plastike” u rrit 11.5 përqind, “Ushqime, pije, duhan” u rrit 8.5 përqind, “Prodhime druri dhe letre” u rrit 6.7 përqind, etj. Importi i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u ul 30.9 përqind, etj.
