Qeveria shkurton sërish me 8.8 miliardë lekë buxhetin e 2015

Saimir Lleshi

Hendeku prej gati 10 miliardë lekësh në fund të 10 mujorit ka bërë që Ministria e Financave të rishikojë më ulje buxhetin e këtij viti.

Sipas një raporti të posaçëm të përgatitur për Kuvendin të ardhurat nga “Tatimet dhe Doganat” priten të realizohen në masën 262,1 miliard lekë ose 96.2% nga planifikimi.

Pjesën kryesore në këtë mosrealizim e kanë të ardhurat nga Administrata doganore, të cilat priten të realizojnë rreth 147 miliard lekë ose rreth 9.2 miliard lekë më pak se planifikimi.

Të ardhurat nga administrata tatimore priten në realizohen rreth 115 miliard lekë ( pa kontributet) ose rreth minus 1 miliard lekë më pak nga planifikimi.

Të ardhurat nga administrata tatimore së bashku me kontributet priten të realizohen në shumën 182 miliard lekë ose me rreth 341 milion lekë mbi parashikimin.

Në total, të ardhurat që mbledhin të dy Administrata fiskale priten të realizohne në masën 329,1 miliard lekë nga 337,9 miliard lekë të parashikuara, ose 8.8 miliard lekë më pak nga parashikimi.

Në bërë të analizës së bërë me FMN dhe ekspertë të Harvardit, lidhur me pritshmërinë e të ardhurave për vitin 2015, evidentohet se faktorët të cilët kanë ndikuar në performancën e të ardhurave janë kryesisht faktorët ekzogjenë të cilët ndikuan në realizimin e të ardhurave përgjatë gjithë vitit.

Ministria e Financave sqaron se të ardhurat e pritshme për vitin 2015, nga Administrata doganore, janë vlerësuar bazuar në të dhënat operative të periudhës Janar-Tetor 2015 (operative) dhe mbi këtë performancë është bërë parashikimi i të ardhurave për 2 muajt e mbetur të vitit. Për periudhën 10 mujore 2015, të ardhurat nga administrata doganore janë realizuar në masën 118,6 miliard lekë, për muajin Nëntor të ardhurat doganore priten të jenë rreth 13,7 miliard lekë, ndërsa për muajin Dhjetor priten të jenë rreth 14,7 miliard lekë, shkruan Monitor.

Sipas dikasterit të Canit, edhe të ardhurat e pritshme për vitin 2015, nga Administrata Tatimore janë vlerësuar bazuar në të dhënat operative të periudhës Janar-Tetor 2015 dhe mbi këtë performancë është bërë parashikimi i të ardhurave për 2 muajt e mbetur të vitit. Për periudhën 10 mujore 2015, të ardhurat nga administrata tatimore (pa kontributet) janë realizuar në masën rreth 94,2 miliard lekë. Për muajin Nëntor të ardhurat tatimore priten të jenë rreth 10,1 miliard lekë, ndërsa për muajin Dhjetor priten të jenë rreth 10,8 milion lekë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *