Kuvendi ka nisur shqyrtimin e projektbuxhetit për vitin 2016.
Konferenca e Kryetarëve është mbledhur pasditen e sotme për të prezantuar dhe diskutuar projektbuxhetin për vitin 2016.
Në fillim të kësaj mbledhje, deputeti demokrat Edmond Spaho tha se opozita nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë pr.buxhet dhe paketën fiskale.
Spaho tha më tej, se projektbuxheti dhe paketa fiskale nuk janë hartuar sipas rregullores. “Jemi mbledhur në kushtet kur nuk kemi asnjë informacion për përmbajtjen e buxhetit dhe ligjet fiskale që e shoqërojnë. Jemi njoftuar para dy orësh. Programi që është paraqitur për shqyrtim, duhet të ishte hartuar në bashkëpunim edhe me nënkryetaren e Komisionit të Ekonomisë, nuk është bërë, është hartuar në kundërshtim me ligjin. Sipas rregullores pjesë e kalendarit duhet të jetë edhe shqyrtimi i ligjeve fiskale që e shoqërojnë, gjë që duhet të diskutohen në komisionet përkatëse”, tha Spaho.
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, u shpreh pro vijimit të prezantimit të projektbuxhetit 2016 nga ministri i Financave, duke shtuar se diskutimi për kalendarin mund të bëhet në vijim. “Në mbledhjen e kaluar u kërkuar që ky buxhet të vijë sa më shpejt brenda afateve, ndaj jemi mbledhur. Kalendari do të miratohet në seancën e radhës plenare. Propozoj të vazhdojmë me prezantimin, dhe kur të diskutojmë sa i takon kalendarit, do kemi kohën e mjaftueshme për të diskutuar deri të enjten kur është edhe seanca”, tha Meta.
