Tre rreziqet për financat për vitin 2016

Saimir Lleshi

Akumulimet e reja të detyrimeve të prapambetura, paaftësia për të realizuar në kohë investimet publike dhe menaxhimi i borxhit janë tre rreziqet që kanosin buxhetin e 2016 vlerëson Ministria e Financave në relacionin e projektbuxhetit 2016.

1-AKUMULIMI i DETYRIMEVE TE REJA

Një nga çështjet më problematike në sistemin tonë buxhetor u vërtetua se ishte akumulimi i detyrimeve të prapambetura të krijuara në vite dhe pamundësia e shlyerjes së tyre. Ministria e Financave thotë se qeveria adresoi me prioritet çështjen e shlyerjes së tyre, por ndërkohë, me asistencën më të specializuar ndërkombëtare, ndërtoi edhe një sistem të plotë të parandalimit të akumulimit të detyrimeve të reja.

Në buxhetin e vitit 2015, për herë të parë, u miratuan edhe tavanet e shpenzimeve për vitet 2016 dhe 2017, gjë që vazhdon edhe në këtë projektbuxhet, duke përforcuar më tej sistemin e kontrollit të angazhimeve buxhetore. Njëkohësisht, gjatë 2016 do të procedohet me vënien në funksionim të sistemit informatik, pjesë e sistemit të thesarit, që do të shërbejë si një instrument për realizimin e kontrollit të angazhimeve buxhetore.

2-MOSREALIZIMI NË KOHË I INVESTIMEVE PUBLIKE

Në referim të treguesve të monitorimit lidhur me realizimin e investimeve për muajin shtator 2015, realizimi i investimeve paraqitet më mirë në raport me realizimin e investimeve për të njëjtën periudhë në vitin 2014. Konkretisht, në vitin 2014 realizimi i investimeve ka qënë në nivelin prej 92% të planit vjetor, ndërkohë që për vitin 2015 kjo shifër pritet të jetë në nivele akoma më të larta. Ndërkohë që, Ministria e Financave thotë se, për vitin 2016 do të ndërmerren masat e mëposhtme për kryerjen në kohë të investimeve publike:

  • Sistem monitorimi (mujor) i cili do të verifikojë problematikën dhe do të propozojë masat për zgjidhje brenda një kohe më të shkurtër;
  • Monitorimi i veçantë (javor) i portofolit të investimeve publike për projektet prioritare me impakt të gjerë, duke veçuar këtu projektet me impakt të ndjeshëm buxhetor, të cilat do të monitorohen sipas ecurisë së tyre në bazë javore për të siguruar realizimin e tyre në terma financiar dhe rrjedhimisht në plotësimin e objektivave të vendosura nga institucionet e linjës;
  • Monitorim i veçantë (javor) për investimet prioritare, të cilat janë kostuar dhe buxhetuar në bashkëpunim të ngushtë me zyrat e jetësimit të prioriteteve pranë MZHETS dhe Kryeministrisë;
  • Rialokime të fondeve buxhetore nga projektet me performancë të ulët në projektet me performancë më të lartë, duke konsideruar gjithashtu dhe mundësinë e rishikimit të ligjit të buxhetit 2016 për këtë qëllim.
  • Çeljen e planeve të investimeve brenda muajit Janar dhe përgatitjen e dokumentacionit të prokurimit brenda muajit Shkurt për projektet e reja.

Po kështu, të gjithë institucionet buxhetore do të kenë përgatitur paraprakisht listën e nevojave të tyre sa u përket investimeve prioritare, që në fillim të vitit 2016, me synim për të arritur plotësimin e kushteve dhe afateve për zbatimin në kohë të këtyre investimeve, dhe për faktorizimin e tyre në ekonomi.

3-MENAXHIMI i BORXHIT PUBLIK

Për vitin 2016 dhe në vijim, objektivi kryesor i Menaxhimit të Borxhit Publik është përmirësimi i strukturës dhe rritja e qëndrueshmërisë së borxhit të brendshëm duke synuar sigurimin e rifinacimit të borxhit dhe huamarrjes së re kryesisht nëpërmjet instrumenteve afatgjatë, në varësi edhe të zhvillimeve të tregut.

Zbatimi me sukses i kësaj strategjie garanton rritjen e jetëgjatësisë së borxhit, me qëllim thellimin e raportit midis instrumenteve afatgjatë dhe afatshkurtër deri në 57% me 43% në fund të vitit 2016, objektiv i cili ndikon në mënyrë direkte në uljen e riskut te ri-financimit dhe riskut të normave të interesit. Në këtë drejtim, është bërë progres që në vitin aktual dhe në të njëjtën kohë janë krijuar kushtet e përshtatshme që Menaxhimi i Borxhit të ketë mundësi ta thelloj progresin edhe gjatë vitit 2016 dhe në vazhdim. Si pjesë integrale e kësaj strategjie mund të përmendet emetimi i Garancisë Pjesore të Bankës Botërore (PBG), si edhe rifinancimi me sukses i Eurobondit ekzistues gjatë vitit 2015.

Këto instrumente kanë rritur likuiditetin në buxhetin e Qeverisë dhe kanë ulur ndjeshëm presionin në tregun e brendshëm, duke i dhënë frymarrje burimeve të limituara të këtij tregu dhe duke krijuar kushtet e përshtatshme për përmirësimin e strukturës së borxhit të brendshëm. Në të njëjtën kohë, kjo praktikë ndikon në rritjen e stabilitetit të normave të interesit për periudhën në vijim si edhe në rritjen e kredibilitetit dhe riafirmimit të Republikës së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

Kështu, në nëntor të vitit 2015 Republika e Shqipërisë arriti të afirmohet sërish pas 5 vitesh në tregjet ndërkombëtare të kapitalit duke emetuar Eurobond në vlerën e 450 milion EUR me një normë interesi të favorshme (5.75%). Megjithëse situata e tregjeve karakterizohej nga një volatilitet relativisht të lartë, Eurobondi shqiptar tërhoqi interesin e investitorëve, duke reflektuar një besim pozitiv të tyre mbi financat e vendit dhe axhendën e reformave të ndërmarra nga Qeveria.

Krahasuar me paraardhësin e tij ky Eurobond garanton një kosto më të ulët të financimit, duke kursyer në mënyrë të konsiderueshme të ardhura në buxhet. Madhësia prej 450 milion Euro e këtij instrumenti nuk ndikon mbi rritjen e borxhit pasi kemi të bëjmë vetëm me spostim të burimeve të financimit nga të brendshme drejt atyre të jashtme, duke qenë në këtë mënyrë konsiston me objektivat strategjike për përmirësimin e strukturës dhe uljes së risqeve (risku i rifinancimit dhe normave të interesit) që e karakterizojnë borxhin e brendshëm.

Menaxhimi i Borxhit,gjithashtu synon edhe ruajtjen e balancës midis kostos dhe riskut, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron tregu i brendshëm në momente të caktuara, nëpërmjet fleksibilitetit të kalendarit të emetimeve.

Përsa i përket mbajtësve të borxhit për vitin 2016, pritshmëritë janë pozitive në kuadër të diversifikimit të portofolit të borxhit. Gjatë vitit të ardhshëm pritet një rënie në stokun e borxhit të mbajtur nga bankat kryesore dhe një rishpërndarje e kësaj peshe tek institucionet e tjera jo bankare dhe tek individët.

Gjatë vitit 2016 pritet që të ketë një qëndrueshmëri ose një rritje të moderuar të normave të interesit për instrumentet financiare shtetërore, duke marrë në konsideratë nivelin më të ulët historik të normave të interesit aktuale , si edhe kufizimet e sistemit bankar për të mbajtur nivele të pranueshme ekspozimi ndaj borxhit sovran dhe për të ruajtur raporte të caktuara të likuiditetit.

Nivel më të lartë rritje pritet që të ketë në segmentin e instrumenteve afatshkurtra (bonove të thesarit) si edhe në segmentin e instrumenteve me norma të lëvizshme, spread-i i të cilave është subjekt i ndryshimit në normat e bonove të thesarit 12 mujore. Gjithashtu, edhe huazimi në monedhë të huaj pritet që të shtrenjtohet, pasi parashikimet flasin për një rritje të mundshme të normës bazë të interesit nga ana e Rezervës Federale gjatë fundit të vitit 2015, e cila do të reflektohet në ri-çmimin e borxhit të jashtëm gjatë vitit 2016.

Për sa më sipër dhe për shkak të shtesës në stok, shërbimi i borxhit për interesa në terma nominale gjatë vitit të ardhshëm pritet që të jetë më i lartë krahasuar me vitin aktual. Lidhur me tregun e jashtëm, huamarrja e huaj do të bazohet në financimet e pritshme të projekteve ekzistuese, si edhe të projekteve të reja për të cilat Qeveria është angazhuar me kreditorët. Gjithashtu, financimi i huaj pritet të plotësohet nga mbështetja buxhetore në nivelin e 14 miliardë lekë, sipas marrëveshjes për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Borxhi i pushtetit vendor pritet që të mos ketë emetime të reja.

 

Share This Article
1 Comment
  • Aferim te qofte o Qim. Lepirbythja ka qene dhe mbetet ilaci per te qendruar i mberthyer si gaforre prane karriges se pushtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *