Nga Panajot Zoto
Flitet për korrupsion. Flitet e thuhet se kontratat për kullota jepen me para. Nuk mund ta them. Këto akuza që vinë përmes ankesave të barinjve të rretheve Sarandë e Delvinë, le t’i verifikojnë (në drejtësinë e tyre, a jo) strukturat përkatëse. Kjo është puna e tyre.
– Si është e mundur që për të marrë vulën e kontratës për kullotën, të shkoj në Vlorë?- thotë një bari nga fshati Muzinë, bashkia Finiq. Kontratat,- thotë ai, sipas kërkesave tona miratoheshin çdo vit në drejtorinë pyjore të rrethit dhe po kjo drejtori i shpërndante ato tek aplikuesit. Tani na dërgojnë në Vlorë.
Po nuk është vetëm fermeri i Muzinës. Ankesat vijnë gjithandej. Një bari plak nga Malçani, një tjetër nga Konispoli, të tjerë nga Dhivri e Leshnica, duhet të shpenzojnë dy ditë dhe mijëra lekë për të marrë vulën (kontratën) në drejtorinë rajonale te shërbimit pyjor në Vlorë.
Kjo marrëzi ndodhte edhe më herët, kur për një vulë qytetarët nga Saranda, Delvina dhe fshatrat e komunave, duhet të shkonin në Vlorë, në prefekturë apo drejtoritë rajonale atje. Ishte kjo pasojë e mënyrës së ndarjes territoriale, ku Saranda, pjesë e qarkut Vlorë, ndodhej 140 kilometra dhe më keq, Konispoli e zona të tjera mbi 180 kilometra larg Vlorës. Kjo u korrigjua shumë shpejt, duke i dhënë më shumë kompetenca nënprefekturës Sarandë, për t’i kryer këtu shërbimet etj. Tani, sot, nga institucione apo drejtori rajonale të qeverisjes së majtë, sërish sorollaten qytetarët.
Një vit më parë (në këtë sezon, kur lidhën kontratat për kullota), Zyra Rajonale e Shërbimit Pyjor Sarandë shpërndau rreth 90 kontrata për mbi 120 barinj që kishin aplikuar për të kontraktuar kullotë. Ndërkaq, Zyra e Shërbimit Pyjor Delvinë kishte shpërndarë rreth 40 kontrata të përfituara nga mbi 60 individë. Të gjithë këta, sot duhet të shkojnë (shumica ka shkuar) në Vlore, për një vulë në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Pyjor. Ndryshe kullota nuk jepet.
Pse është centralizuar ky shërbim? Pse nuk iu është lënë kjo kompetencë (vula) edhe këtë vit, (pasi vitin tjetër ky lloj shërbimi u kalon për kompetencë bashkive te reja) zyrave të shërbimit pyjor të rretheve Sarandë e Delvinë? Pyeta dhe punonjës që shërbejnë në këto zyra, nuk më dhanë një përgjigje nëse kështu veprohet në të gjitha qarqet nga drejtoritë rajonale te shërbimit pyjor. Nëse është centralizuar kjo praktikë pune me urdhër nga lart, nga ministria përkatëse, atëherë mëkati ngjitet lart, te drejtuesit e dikasterit. Nëse jo, dikasteri përkatës (Ministria e Mjedisit) duhet t’u japë përgjigje dhjetëra barinjve të këtyre rretheve, pse jo dhe të hetojë mbi akuzat që bëhen për korrupsion e ryshfetmarrje.
Në fakt, nuk e besoj se kjo praktike është sajuar, siç flitet, për të rrjepur barinjtë. Kjo as më shkon ndërmend. Ajo që më shqetëson ka të bëjë me faktin se krijohet një opinion i keq për vetëqeverisjen. Më shqetëson fakti që këta njerëz thonë se kjo qeveri po na zhgënjen me disa individë të përzgjedhur dhe emëruar në drejtim nëpër zyrat e administratës së shtetit.
