Ligji 7501 dhe reforma në drejtësi

redaktor

Dëshiroj të shpreh nëpërmjet gazetës Dita zemërimin e revoltën time për padrejtësitë dhe për dhunimin e ligjit 7501 me pronat. Sot ka një perceptim të plotë për pasojat tepër të rënda që ka pasur e ka akoma ky ligj monstruoz në shoqërinë shqiptare. Ka provokuar sherre, hasmëri, konflikte e gjakosje deri në familje. Vëllai kundër vëllait, motrës, djali kundër prindërve. Ndërkaq, “zbatimi” është shoqëruar kudo me një korrupsion të shfrenuar. Kësisoj, ligji 7501 mbetet një ligj thellësisht antikombëtar, duke mbjellë ndasi e përçarje mes shqiptarëve. Një lloj tragjedie që nuk e kishte hak Shqipëria.

Ligji 7501 në fakt nuk gjeti zbatim asgjëkund, përveçse në korrupsion. Formalisht u përdor për ngatërrimin e pronave si mos më keq, me papërgjegjësi të skajshme. Komisionet e ngritura në fshatra, të kryesuar nga kryetarë a kryepleq që ndërroheshin rast pas rasti, pa asnjë program, pa konsulencë dhe vetëkuptohet, pa transparencë, i ndanë pronat në thela. Thelat e majme i morën kryepleqtë dhe rrethi i tyre, duke i ngatërruar e kundërvënë fshatarët mes tyre. Sot është vështirë të gjesh ndonjë dokument çfarëdo në fshat që të mësosh se ç’është bërë me këtë ligj.

Këto ditë po flitet për një ligj të ri për pronat, që do kalojë së afërmi në Parlament. Si kërkon ta zgjidhë problemin e pronave kjo shumicë qeverisëse? A do ta kthejë pronën tek i zoti? Kjo është çështja. Por duke ditur se kjo reformë është prodhuar edhe kësaj here, pa mendimin dhe kërkesat legjitime të komunitetit të pronarëve në radhë të parë, por edhe grupeve të institucioneve të interesuara, në vazhdën e një praktike anti demokratike, konfliktuale të qeverisë dështake të mëparshme, të lindin patjetër shumë pyetje.

Ndërkohë flitet, shumë madje, për një reformë në drejtësi dhe për disa ndryshime në Kushtetutë. Sot, në fakt, mund të thuash se e gjithë shoqëria shqiptare është në ankth dhe pret produktin e kësaj reforme tejet të rëndësishme.

Zoti Kryeministër! Disi me ndroje, duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, dëshiroj t’ju përcjell nga gazeta Dita një mesazh qytetar. Me përgjegjësinë dhe detyrimin, me vizionin dhe përkushtimin, në vargun e reformave të rëndësishme që keni ndërmarrë, kryeni të plotë dhe reformën për pronat. Ktheni pronat tek i zoti. Zhbëjeni ligjin 7501, griseni atë, digjeni atë ligj të mallkuar mu aty, në Kuvendin e popullit.

 

Letër e nënshkruar,

Niko Roshi

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *