Një tjetër shqiptar po projektohet drejt kampionatit italian. Zbulimi i Grasshopersit, Shani Tarashaj është vënë në shënjestrën e klubeve të Serie A pasi gjatë këtij sezoni po zhvillon paraqitje pozitive me fanellën e klubit zviceran.
Sulmuesi 20-vjeçar mund të transferohet në Itali gjatë merkatos së dimrit pasi për të kanë shprehur interes konkret, Sampdoria, Sassuolo, Torino dhe Palermo dhe agjenti i tij, Milos Malenovic nuk e fsheh një gjë të tillë.
“Shumë klube dhe jo vetëm italiane por edhe angleze, spanjolle, gjermane dhe franceze po e vëzhgojnë. Për momentin nuk mund të flas për asnjë emër konkret”, thekson agjenti në një intervistë dhënë për mediat italiane.
Gjithsesi, një pengesë e madhe për largimin e talentit me origjinë shqiptare nga Zvicra do të jetë klubi i Grasshopers që nuk dëshiron ta humbasë sulmuesin në mesin e sezonit pasi ai konsiderohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të grupit aktual. Vetëm një ofertë joshëse mund ta shkëpusë 20-vjeçarin nga klubi dhe agjenti Malenovic e pranon se Italia është një alternativë e pëlqyeshme nga klienti i tij.
Aktualisht Tarashaj është pjesë e grupmoshave të Zvicrës por trajneri i Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi konfirmoi disa muaj më parë se e ka ndjekur nga afër sulmuesin duke konfirmuar se ai është në planet e tij për të ardhmen.
