Kush i bllokon pagat e mësuesve të shkollës “Karl Gega”?

redaktor

Një njeriu normal mund t’i duket e pabesueshme, por në shkollën e mesme të ndërtimit “Karl Gega”, në Tiranë, mësuesit, edhe pse erdhi data 20 e muajit nëntor, ende nuk kanë marrë pagat e muajit tetor. Dhe kjo shkollë, ndër më të mëdhatë në vend dhe më të kërkuarat, në vitin shkollor në vazhdim frekuentohet nga mbi njëmijë nxënës, të cilët menaxhohen nga mbi shtatëdhjetë mësues. Mësuesit kanë pyetur andej-këtej por askush nuk merr mundimin t’u japë përgjigje. Drejtuesit e shkollës kthejnë përgjigjen e thatë “Ka ngecur puna në ministri”. Në se është kjo e vërtetë, atëherë çfarë ka Ministria e Mirëqënies me mësuesit e kësaj shkolle që ua ka bllokuar rrogat? Cili qenka ai titullar, drejtor, shef apo kushdo tjetër që nëpërkëmb djersën e këtyre intelektualëve të përkushtuar që me të rënë zilja hyjnë në klasë dhe nuk dalin andej  pa rënë përsëri  sinjali, gjashtë orë rresht. Në shtet veprohet me të drejta kushtetuese dhe ligje. Të paktën deri tani nuk ka ndonjë ligj kushtetues për arsimin apo në kodin e punës që t’i japë dikujt fuqi madhore për të mos i shpërblyer mësuesit për punën e bërë. Po nëse këta mësues përballë indiferencës dhe paaftësisë të një apo dy zyrtarëve do të zhvisheshin nga humanizmi  që i karakterizon, gjë që ata nuk e bëjnë kurrë, dhe do të bojkotonin mësimin për njëzet ditë që u është vonuar shpërblimi, çfarë do të ndodhte vallë? Mësuesit janë familjarë buxhetorë që ato të ardhura i llogaritin tre herë, pastaj i nxjerrin për përballuar jetesën e tyre dhe të familjeve. Dhe me mësuesit e kësaj shkolle nuk është hera e parë që ndodh kështu. Ky fenomen ka ndodhur edhe në muajt gusht e shtator. Veçse edhe durimi ka kufi. Mos u tallni me njerëzit e dijes, sepse pa punën e tyre nuk do ishit atje ku jeni sot.

Letër e nënshkruar,

Petriti Malushi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *