Nëse do t’i rendisja të padëshirueshmit e të gjitha kohërave, do të bëhej një listë e gjatë, e cila nuk rresht së shtuari me emra të rinj, duke përfshirë ndër ta, pa hezitim, dhe veten.
Këtu krimi shtetëror i kamufluar bën kërdinë, pa u identifikuar keqbërësi, pasi dora që godet sistematikisht, ka namin, si “dorë e ngrohtë”. Ndaj, të padëshirueshmit, nuk janë të persekutuar dhe, si rrjedhojë vuajtjet nuk u njihen. Me raste, diabolikisht, i përfshijnë tek të priveligjuarit, vetëm se: të llogaritur, si drurë të shënuar për t’u prerë, ngaqë sëpata rastis ta vonojë goditjen për arsye që shpesh mbeten të pasqaruara, sikurse është rasti i Kadaresë, si më i denoncuari në diktaturë, befas ngrihet miti i paprekshmërisë.
Punët sillen në mënyrë të tillë, sa i padëshirueshmi duhet t’i jetë mirënjohës keqbërësit të vet, i cili me raste lëshon dhe fjalë si këto: ”Është i yni dhe të mos ia japim armikut”. Kështu u tha dikur për Xhevahir Spahiun.
Të padëshirueshmit ndodh të angazhohen duke mos ia vënë në dukje kontributet, që në shumë raste përvetësohen. Ky është një lloj tjetër i të padëshirueshmit, me demek se i merret armikut, por, i papërfshirë tek “i yni”. Jusuf Vrionit nuk i vihej emrin si përkthyes.
Ja që vinka një ditë, që, të padëshirueshmit, i duan të gjithë, ca më shumë ata, që mezi prisnin t’i hiqnin qafesh. (Nuk mund të harroj fjalët revoltuese të vajzës së Jorgo Bllacit, që para kamerave nuk duroi të shfaqte neveri për denoncuesit e të jatit, të cilët i bënin korte pas vdekjes.)
Si ndodh që një “dele e zezë”, të kthehet në përmasat e një idoli, nuk po them: totemi?
Mund ta marrësh përgjigjen, nëse lexon “Jeta e një historiani” të Kristo Frashërit. Rrno, Kristo Frashëri, vetëm për me tregue, tash historinë e jetës tënde, se boll je marrë me historitë e shqiptarëve, – do i thoshte At Zef Pllumi, një tjetër i padëshirueshëm dhe ky. Me sa duket fjalët kanë shkuar në vesh të perëndisë dhe, historiani, po i kap të 100 vjetët duke patur shansin e rrallë të shoh fundin e të gjithë atyre, që bën njërën për ta nëpërkëmbur. Vetëm se nuk ia duronin dot hijen.
Kur familjarët e regjistruan në Shkollën Mbretërore Ushtarake, u duk se karriera e historianit, po ndillej prej Aleksandrit të Madh, (me këtë emër kishte dashur i jati ta pagëzonte), gjë që u prit me gëzim të madh në fshat. “Kur të bëhesh gjeneral, mos bëj sikur s’na njeh.”-do ta shpotiste njëri prej fshatarëve. (“Edhe në organizimin e ri (pas çlirimit) unë mbeta partizan i thjeshtë.”-shprehet autori. (F.161)
“Kur Beqir Balluku më takoi dhe më pyeti nëse kisha ndonjë gradë, i thashë: ”Unë nuk dua grada. Ti e di që unë e lashë universitetin për të marrë pjesë në luftë dhe për të dalë partizan. Ndihmomë të lirohem nga ushtria dhe të vazhdoj studimet.” M’u përgjigj:”Hëpërhë do të kërkoj të të japin një gradë, se detyra që po të ngarkojmë kërkon të jesh oficer.” Se ku i shkuan gradat vetë Beqirit, dihet ai muhabet. Se kush mbante grada shkencore dhe nuk i patën duk, dihet dhe kjo!
Ia vlen të njihemi me skemën e mënjanimit të të padëshirueshmëve, e cila vazhdon dhe sot e kësaj dite: ku i nevojshmi largohet prej atij që prish punë. Kjo skemë kriminale e eliminimit me lezet, vazhdon të sjellë dëme të pallogaritshme, por që shoqëria nuk i ndjen si fatkeqësi të vetat. Në mos ka brohoritur, kur ndonjë syresh, ka marrë xhadenë.
“Kështu në celulë ai (keqbërësi ziliqar, F.R) varej nga UNË (i padëshirueshmi, F.R), kurse në komitetin qarkor unë varesha prej TIJ, me ndryshim se AI e dinte se varej nga unë, ndërsa unë nuk e dija se varesha prej TIJ. Këtu është e gjithë hilja. (Shënim: Dallimi me gërma të mëdha dhe të vogla është bërë prej meje. F.R) Kjo praktikë, – thotë historiani, kishte ngjashmëri me sistemin organizativ të lëvizjes masone. Është interesant fakti se si bëhen bashkë kundër një njeriu, të gjithë ata që u vranë e u prenë mes tyre mizorisht?!
T’i marrim me radhë për të kuptuar aleancën e ujqërve kundër “deles së zezë”. “Një nga të burgosurit kryesorë ishte Koçi Xoxe, i cili më pa me sy të vëngër. Për sa kohë qendrova në burg, nuk më foli fare me gojë, madje as kur dilnim në oborrin e ajrimit.” (f.119) Ç’të kishte teneqexhiu? I mësuar me zanatin e kallaisjes e gënjente mendja, se po të vishej vetë me ar, mund t’ia nxirrte bojën cilitdo.
Enver Hoxha: “Po me Jusuf Keçin, si i ke marrëdhëniet? -Shumë mirë, i thashë. -Nuk e ke parasysh porosinë që të kanë dhënë për të mos u takuar me shokët e Grupit të të Rinjve? -Po, i thashë, ma kanë shpjeguar, por Jusufi është shoku im i rinisë. Porosinë e kam kuptuar për të mos folur me të për çështjet e partisë, por jo për të shëtitur me të. -Je kokëfortë, – më tha.” (Një rast i mirë ky për të kuptuar se si mbrohet shoku, pavarësisht bindjeve dhe, si u sollën udhëheqësit komunistë me njëri-tjetrin, si shokë të një ideali.
Po Haxhi Lleshi, që e nisi luftën si komit, ç’të kishte me Kriston e varfër? “Haxhiu u gëzua, kur mori vesh se një partizani i ri në çetën e tij ishte një djalë me shkollë të lartë. Por, kur lexoi letrën që Maliqi ia kishte lënë amanet Cen Pucës, u mvrejt. Edhe komisari Llambi Dishnica mbajti ndaj meje një qendrim të ftohtë. (Shihni reaksionin zinxhir të pakënaqësisë nga lart dhe se si shpërndahet gjithandej, në përmasat e një metastaze. F. R) Konsideratën e ultë që pati Haxhi Lleshi ndaj meje e tregoi duke më dhënë një pushkë italiane pa rrip, sigurisht që dikush e kishte hequr për të lidhur pantallonat e veta.”
Ka dhe më keq: ti i siguron kokën, ndërsa ai do që të bëjë gropën. “-Këtu qënka nga çdo pikëpamje një parajsë,-tha Enveri. Pasi u ul në oborr, Enveri si zhbirues i jashtëzakonshëm që ishte, e pyeti Mërkurin: -Kush e ka gjetur këtë shtëpi? Mërkuri iu përgjegj shkurt: Kristo Frashëri. -Përse nuk e keni vënë në dijeni partinë që keni gjetur këtë shtëpi të përshtatshme për punën tonë?-Nuk e kemi raportuar ngase përgjegjësi ynë na tha ta mbanim të fshehtë edhe nga partia. Enveri u kthye nga Miladini dhe i tha:-A e kupton, Kristo Frashëri u paska thënë shokëve të celulës që ta mbajnë këtë bazë të fshehur nga partia. Tani na del se ai është një Mustafa Gjinishi i vogël. Le shokët e vet nuk na i tregon, por edhe bazat na i mban të fshehura….
Ruaju nga Kristo Frashëri, se ai përpiqet të tregohet i bindur ndaj partisë, pasi kërkon të na hedh hi syve. Kërkon që të zërë vend në Komitetin Qarkor, dhe së bashku me shokët e grupit të tij, ta marrin ata në dorë drejtimin e partisë, këshillon Enveri Liri Gegën. Frika se mos dikush më i zot, u merr pushtetin, ua mpreh shqisat, duke u shndërruar kështu në ithtarë të nivele të ulta, duke u rrethuar me njerëz dosido, të cilët marrin aq fuqi rrugës sa vithisin dhe kapot e tyre.
Dhe më pas Miladini do t’i thoshte: “- Jeta jonë si revolucionar na ka bërë të mos i besojmë njeri-tjetrit. (Sa e ngjashme kjo me një thënie të Eskilit në tragjedinë “Prometeu”: “Një zakon të keq tiranët kanë, besë shokëve nuk u zënë kurrë.”)
Shokët brenda në dhomë po bisedojnë për çështjen e pastrimit të partisë nga elementë të dëmshëm. Ndoshta mund të bisedojnë edhe për qendrimin ndaj teje.”f.126 Siç e shihni skema e eliminimit ka filluar të veprojë, pasi aty pyetet ai, që ti kujton se e ke nën vete. (Pikërisht tek ajo bazë ilegale, që Enveri e quajti parajsë dhe Kristo ia afroi udhëheqjes për të qenë më e sigurt, merret vendimi i dëbimit të tij. Kristo Frashëri përjashtohet nga partia për tre muaj. “Ndërsa e ftojmë shokun Kristo të largohet nga mbledhja, ne i urojmë atij kthimin sa më parë në radhët e partisë sonë.”-deklaron E. Hoxha hipokrizisht.
Me sa duket Kristo Frashëri është skeduar heret nga paranoja e njeriut, që e pastron rrugën duke përjashtuar çdo rival të mundshëm. Rastësi të ishte, që kthimi në parti pas tre muajve i Kristo Frashërit, nuk ndodhi kurrë, duke mbetur kështu për gjithë jetën, i përjashtuar? Pra, i padëshirueshëm, jo vetëm i Enverit.
Me çlirimin e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, Mehmet Shehu kërkon të organizohet mbrëmja e fitores, një festë moderne kjo, ku të mos pyetej për shpenzimet, me idenë se: partizanët siç dinë të luftojnë, organizojnë dhe ballo. Ballo dhe jo aheng! Pretendimet aristokratike përherë hanë koka kalorsish. Kjo detyrë iu ngarkua Kristo Frashërit, sikurse iu ngarkua Mihal Luarasit Festivali i 11-të i këngës në radio-televizion. “Me orkestrën shkodrane që zgjodha, hartuam listën e këngëve moderne që qarkullonin në mbarë Europën…Në muzikën e vallëzimit dominonin tangot, valset, fox-trot-et, por dhe këngët partizane dhe vallet popullore.” Dhe fundi:- Kot pyet, o derëzi, se si iu duk shokut Mehmet mbrëmja! Ti provove se ke mbetur një borgjez.” (f.175)
Një reaksion zinxhir i çuditshëm, që nga Enver Hoxha përcillet tek të gjithë, por jo në të gjitha rastet shtyrë prej tij. Si bëheshin bashkë duke e mbajtur njësoj larg të padëshirueshmin?
Gjithë jetën kam dashur t’i jap përgjigje kësaj pyetje dhe, u ndjeva i shpërblyer, kur e pashë të shpjeguar në librin “Jeta e një historiani”.
Po Arshi Pipa nga Amerika e largët, si i bashkohet skemës së spastrimit? “Ndërkohë, Arshi Pipa, më pyeti nëse kisha qenë partizan në radhët e ushtrisë nacional çlirimtare gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Po”, iu përgjigja. Menjëherë më sulmoi: ”Pse nuk thua që paske qenë komunist?” Pyetja më habiti. U përpoqa që t’ia kujtoj se lufta partizane nuk ishte revolucion proletar, por luftë nacional-çlirimtare… “Këto janë fjalë boshe, mbasi dihet botërisht se kush ka bashkëpunuar me komunistët, është bërë dhe vetë komunist”.-iu kthye ai. (f. 276)
Sa do të kishte qeshur Bill Klintoni me këtë arsyetim të Pipës, i akuzuar prej republikanëve si komunist. Kur presidenti i ardhshëm i Amerikës shkonte të kurorëzohej në “Shtëpinë e Bardhë”, diku në një faqe muri shkruhej: “Klinton, ti je komunist.”
E përditshmja duket, sikur është me karrieristët, me ata që tundohen prej pushtetit duke ngritur herarkira të përkohëshme, por, në fakt, koha u përket të tjerëve, ku padyshim: të padëshiruarit mbeten të preferuarit e saj. Shembuj keni sa të doni…

Prof. Kristo Frasheri eshte shembulltyra e njeriut patriot, plot dinjitet dhe devotshmeri ne punen e vazhdueshme per te miren e shkences sone. Shendet dhe jete te gjate e te frytshme, si deri tani, ketij njeriu te nderuar,qe, per mua dhe shume si une, eshte Nder i Kombit.
nje verejtje autorit
varet ku ke dashur ta futesh veten
qe te quash veten “i padeshiruar” do te thote qe ke dashur te jesh “o deshiruar” ne nje rreth te cktuar.
Ti or mik paske vdek me qene pjese e rretheve te pushtetit.
Nuk te paska ec.
Po kjo nuk te ben ndryshe nga ata qe u “ka ec”.
Nje qellim paskeni patur.
Vetem se ti ke deshtuar e ata jo.
E di kur do ishe i vecante ti?
Kur te mos deshiroje hic me u bo pjese e kesaj hipokrizie qe pershkruan.
Po ti ke dash, ndaj vuan
Me te mira
Mos i rrethoni me llustra,naze,ojna persekutimi,perndjekje te kote,ca figura te pakta,te rralla te shkences si prof.Kristo Frasheri.Kane nje veper voluminoze,qe flet vete.Kane jetuar me dinjitet.Mos i lyeni me perndjekje,se i PERLYENI! Per pak perndjekje eshte i perveluar Ismail Kadare..edhe Dritero Agolli,lere pastaj Xhevair Spahiu,Bardhyl Londo…Ca zagare plehrash te bllokut si Fari Balliu,ky Rudolf Marku,klubi Lezhes e klani Tropojes,Keta po! Vetem burgu ju mungon!
Je i vetmi qe flet keq per prof. K.Frasherin turp per ju, por Nuk arrini dot
Bardh Rustemi njihet si i Majte, por i respektuar si realist, I vertete, i Hapur ndaj Faktit.
Nga Lushnjaret qe di e qe njoh, keshtu me rezulton. (Pa pretenduar se njohja eshte e fundme)
E ka nisur edhe kete shkrim kendshem, por e ka turbulluar ca, e ka ngaterruar dhe per fat jo te mire te shkrimit, e ka ilustruar me rastin me te keq te mundshem: Kristo Frasherin.
Ngjan me Ise Kadarene vec prej faktit se te tere perqark tyre e hanin, e pesonin. Jo keta vete!
Kristo tashme ka moshe te caktuar, delikate per tu marre si deshmitar…
Por sidosi duhet pyetur, deri ne fund: Kush e ka origjinalin e Lef Nosit per Shpalljen e Pavarsise, profesore?
Jeni shprehur se e dini kush, por…” i kam dhene fjalen qe te mos flas”!
Si mund t’i japesh Fjalen dikujt, kujtdoqofte, qe te mos flasesh, kur eshte fjala per historine e kombit e te shtetit nen te cilin je nderuar dhe kerkon te nderoshesh edhe me shume, pergjithnjeshem?
Pyeteni Kristo Frasherin, thote edhe Bardh Rustemi. Thesi qe ka qene me miell duhet shkundur, gjithnje ka per te nxjerre ca!