Shërbimet e integruara në tregun e komunikimit kanë sjellë dhe rritje të përdoruesve të internetit.
Sipas treguesve statistikorë të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për tremujorin e tretë të vitit, numri i familjeve që marrin tre shërbime të integruara përmes një lidhjeje, konkretisht internet, telefoni dhe televizion, ka arritur në afro 56 mijë.
Në një tremujor të vetëm, numri i abonentëve që marrin tre shërbime të integruara është rritur me 28%. Marrja e tre shërbimeve me një operator të vetëm është një zgjidhje sa praktike, aq edhe ekonomike në raport me blerjen e veçantë të shërbimeve.
Kjo është arsyeja që bashkëngjitja e IP TV me shërbimet e internetit dhe telefonisë duket se po funksionon me sukses për operatorët e telekomunikacionit. Tregu i shërbimeve të telekomunikacionit në përgjithësi vijon të ketë tendencë të qëndrueshme në rritje, pavarësisht rritjes së dobët ekonomike.
Prapambetja në shërbimet e internetit me brez të gjerë po ngushtohet, ndërsa shërbimet e lëvizshme vijojnë të zgjerojnë bazën e përdoruesve. Numri i pajtimtarëve aktivë të telefonisë celulare gjatë tremujorit të tretë arriti në afro 3.6 milionë, në rritje me 8% krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
E rëndësishme është të thuhet se tashmë komunikimi celular po shkyçet nga komunikimi i mbyllur brenda rrjeteve. Të dhënat e AKEP tregojnë se për tremujorin e tretë trafiku brenda rrjetit zbriti në 65% të totalit, nga 80% që ishte në fund të vitit 2014.
Zbatimi i rregullores që ndalon aplikimin e tarifave të diferencuara brenda dhe jashtë rrjetit ka bërë që përdorimi i telefonit celular të jetë më i lirshëm dhe ka favorizuar konkurrencën e lirë mes operatorëve. Zhvillim tjetër i rëndësishëm në rrjetet e lëvizshme ka qenë rritja e përdorimit të internetit.
Numri i përdoruesve të internetit nga këto rrjete ka arritur në 1.2 milionë, në rritje me 23% në raport me tremujorin e dytë. /Dita/
