Kolegji penal prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit, ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji, ndaj deputetes së Kuvendit të Kosovës, Donika Kada- Bujupi.
Ajo akuzohet nga Prokuroria për veprën penale për ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet ankimore janë të pa bazuara.
“Kjo gjykatë i vlerëson po ashtu si të pa bazuara edhe pretendimet e mbrojtjes se e pandehura ka imunitet funksional, pasi që Gjykata e Apelit, nuk është kompetente për vlerësimin e kushtetutshmërisë se Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Një interpretim të tillë e bënë Gjykata Kushtetuese, vendimet e së cilës janë të obligueshme për gjyqësorin. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese AGJ.138/11, çështja e imuniteti sa i përket veprave penale është sqaruar”, thuhet më tej në njoftim.
Gjykata e Apelit, vlerëson se ende ekzistojnë arsye ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, konform nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale, duke pasur parasysh veprimet e të pandehurës të ndërmarra gjatë dy herëve.
“Të gjitha këto tregojnë se ekziston rreziku se po të gjendet e pandehura në liri do ta përsërisë veprën penale, dhe se kjo rrethanë paraqet bazë të mjaftueshme për caktimin e paraburgimit, konform dispozitave te lartë cekura”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.
